Mentor Thaqi: EDHE ZYRTARISHT ARBËRESH

Nga 4 prilli 2026 edhe zyrtarisht baca Rexhep Rifati, doajen i gazetarisë dhe i 1001 aktiviteteve tjera jetësore e jetike atdhetare, është edhe zyrtarisht një arbëresh, respektivisht, Qytetar Nderi i Bashkisë Hora e Arbëreshëvet në Sicili!

Fillimisht, urime i dashur Djalosh – baca Rexhë, përgëzime Hora e Arbëreshëvet edhe për shtimin zyrtar numerik me një arbëresh më shumë dhe kjo jo thjeshtë vetëm me një arbëresh më shumë (fundja, të gjithë ne bashkëhapëruesit e bacës Rexhë jemi dhe ndjehemi arbëreshë), veçse edhe me një arbëresh-Qytetar Nderi!

E si është ndjesia të jesh një Prof. Rexhep Rifati?

Të jesh Rexhep Rifat-i, nuk do të thotë (vetëm) të kesh flokë të argjendta, sepse ato secilës e secilit ia bjen mosha, sigurisht nëse i ka dhe i mbesin në kry!

As të kesh moshen djaloshare 83 vjeçare (realisht 43 vjeçe, sepse netët e gjumit nuk i llogarisim as i bëjmë hesap si moshë) e të bëhesh „TURR-EC“, si e quajti arbëreshi ynë Emanuelle Rosanova, që ne dhe ata në gjysmëmoshën e tij të mos mundemi ta ndjekim në hap shtigjeve atdhetare!

Jo jo, as që të jesh nga Ferizaji, aty edhe ne mund të blejmë nga një banesë e të flasim „ferizajçe-tasjançe“!

Qe besa, as (jo vetëm) të jesh në „Rotary Club“ të Ferizajit (Dardanisë) me ato personalitete të nderuara, sepse edhe aty mund të antarësohemi diqysh (se sa mund e mbajmë qëndrueshmërinë, është tjetër temë?)!

– As të jesh gazetar në ndonjë medium e asociacion (sa do me renome), sepse edhe aty mund të antarësohemi diqysh!

Edhe shkrimtar bëhesh diqysh dhe shkruan e boton libra, nga më të ndryshmet.

Në asociacione si LKSHM, „Hora e Skënderbeut“ dhe në një mori tjerash si këto në të cilat ai asocon dhe kontribuon, mund të jesh me vullnet dhe kontribut personal!

Nuk po e zgjas më shumë me format dhe mundësitë tjera në të cilat Djaloshi Rexhep Rifati me „katërzet e tri“ dhe tjerat në radhë të pritjes, hapëron e vrapon, janë shumë, por që të gjitha e bëjnë vetëm gjysmën e tij!

Po gjysma tjetër, cila është?

Sigurisht që përpos nuses së tij që e ndoq në çdo hap suksesesh, është edhe ajo pjesa e madhe konkrete e hapërimit të tij vertikal me dekada. Po, është gjysma që do e lakmonte secila e secili prej nesh bashkëndjekësve të tij e që janë (aq sa mund i numëroj deri diku), duhet që:

– Pas vetes të kesh një armatë të tërë intelektualësh që dikur ishin nxënës e studentë e që ti i ndihmove, qoftë me bursa, qoftë me përkrahje tjera materiale, morale dhe shkrimore!

– Të kesh elanin dhe fuqinë e tejnjerëzorëve të përditshëm, që me dekada të hapërosh shtigjeve atdhetare në interes të kauzës kombëtare!

– Të duhesh e çmohesh nga mijëra e mijëra intelektualë e atdhetarë dhe qe besa edhe miq nga popuj tjerë, për punën tënde kolosale me dekada të tëra pa as edhe një rënkim lodhjeje!

– Të jesh vetëmohues e gjithëpohues për njerëzit e mirë, si një engjëll me virtyte si-hyjnore!

– Të mbledhësh nektar si bleta, (ajo për 60-70 ditë e ky për mbi 70 vjet vrap në hap)!

– Të jesh shqiptar i urtë, arbnor i ngurtë e arbëresh shembullor që me dekada jete nuk u ndal në përqafime vëllazërore dhe përkrahje konkrete të tyre!

– Të të donte At Ndon Belushi poaq dhe përtej Tomasit të tij dhe Ornelës si e bijësueme, të të duan arbëreshët si Vorea Ujko, Zef Schiro di Maggio, Ana Stratigo, Marko Mocca dhe jopak arbëreshë shembullorë.

Duhen edhe 1001 virtyte që ne nuk mund i plotësojmë edhe po t´i kishim tri jetëra tjera!

Epo, të jesh Rexhep Rifat-i, është „peshë dhe barrë“ tejet me peshë për të, por pasuri dhe vlerë e krenari për ne!

E tash, të jesh Rexhep Rifat, do të thotë, të jesh Arbëresh Nderi në „Katundi“ – Hora e Arbëreshëvet dhe në Frasnitën e At Antonio Belluscit!

E gëzofsh nderimin-dekoraten e Shtetit tënd me Medalje Presidenciale, „Diellin Dardan“ nga LKSHM, poaq sa edhe tashmë nga arbëreshët tuaj e tonë!

Urime djalosh!

Urime Hora e Arbëreshëvet!

Mentor Thaqi, 05 prill 202