Vizatë profesor Francesco Altimarit në Universitetin e Kozencë që bënë punën e një akademie shkence 

Gjatë vizitës sime të fundit me ekipin e platformës “prointegra” nga Zvicra më 11 Nëntor 2022 i bëmë një vizitë profesor Francesco Altimarit në Katedrën e Albanologjisë pranë Universitetit të Kozencës në Kalabri, meqë rast hasëm në një pritje shumë të përzemërt vëllazërore dhe njëherësh mësuam se ç ‘punë titanike bënë ky profesor në fushën në ndërkombëtarizimit të albanologjisë e veçmas të filologjisë arbëreshe, duke grumbulluar materiale të shumta arkivore dhe duke kryer mikrofilmimet e tyre.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Me këtë rast nga profesor Altimari mësuam edhe për numrin relativisht të madh të katedrave të gjuhës shqipe në Itali, derisa kjo gjuhë mungon edhe në shkollimin fillestar te arbëreshët në Kalabri.

Madje profesori ynë na foli për shumë personalitete të shquara ndër vite që kanë dhënë kontribut të veçantë në fushën e tij studimore dhe se ekzistojnë fakte materiale se shkollë të mësimit shqip në Itali ka pas shumë vite më parë para se të hapej shkolla në Korçë, që njihet si shkolla e parë shqipe. Na foli edhe për mungesën institucionale nga radhët e dy shteteve tona, Shqipërisë e Kosovës por edhe bashkëpunimin e pamjaftueshëm me katedrat simotra me këto shtete. Ndërsa që edhe shumë materiale me peshë të veçantë për albanologjinë dhe shqipen përgjithësisht mbesin të pa botuara në sirtar shkaku i mungesë së mjeteve financiare që ka kjo katedër. Përndryshe studentet janë nga radhët e përkatësive të ndryshme, por që tregojnë një interesim të veçantë për gjuhën dhe kulturën tonë apo specifikat që lidhën me gjuhen dhe traditat arbëreshe.

Në ndarje profesor Altimari na pajisi me shumë libra e disqe që ka përgatit e botuar kjo katedër, ndër to edhe një libër voluminoz të ish- profesorit të kësaj  katedre dhe kolegut tim nga studimet në Albanologjikun e Prishtinës, Anton Nuk Berishës, me të cili ishim edhe koleg në Rilindje dhe me të cilin për herë të parë në mesin e vëllezërve tanë në Kalabri shkelëm gjysmë shekulli më parë, gjegjësisht në vitin 1972. Më pastaj Antoni ligjëroi në këtë katedër deri në pension dhe iu rikthye jetës në Kosovë, ndërsa unë ngela si kurbetçi në Zvicër.

Krejt në fund një falënderim i përzemërt profesor Altimarit si për pritjen ashtu edhe për punën e jashtëzakonshme që bënë në ndriçimin e shumë temave dhe periudhave që lidhen me gjuhën tonë, duke ndjekur rrugën e ndritshme të ish- profesorit të tij F. Solanos .

Do theksuar se profesor Altimari gëzon simpatinë dhe admirimin jo vetëm të brezit tim por edhe brezit më të ri pasi ai ka edhe një dhunti të lindur afrie sa vëllazërore aq edhe njerëzore, çka u dëshmua edhe me pritjen tonë, duke na ofruar aq shumë dashuri e inspirim sikur të ishim takuar prej vitesh.