Muzeu i Gjirokastrës me identitet të dyfishtë historik  

Edhe pse ky muze etnografik identifikohet si shtëpia e Enver Hoxhës, brenda nuk gjen asgjë që ka lidhje me jetën e tij apo me objekte të familjes së tij. -Dekori i shtëpisë është kopjuar nga shtëpitë e tjera më të bukura të shekullit të 19-të.  

Nga Rexhep Rifati

Këtë shtëpi muze e kam vizitua tri herë: herën e parë më 1979 së bashku Ansamblin e “Kastriotëve” të Ferizajt, kur atëbotë sipas protokollit gjatë vizitave të grupeve kulturore, planifikohej vizitë edhe në këtë muze ku ka lind Enver Hoxha, herën e dytë me 13 Korrik 2015 në përbërje të ekipit të portalit tonë: prointegra.ch: Osman Osmani, Skënder Hajdari dhe unë (Rexhep Rifati), ndërsa herën e tretë gjatë një vizite familjare në Gushtë 2017. Kështu që gjitha fotot e postuara sot këtu i kemi shkrep si ekip ndërsa tekstin e kemi huazuar nga shtypi lokal shqiptar, qoftë ai lokal apo në nivel kombëtar.

Sipas asaj që shkruan : “Visit-gjirokastra.com”, Muzeu etnografik ndodhet në ish shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha. Shtëpia origjinale e Hoxhës ku ai ka lindur në 1908, u dogj dhe u rindërtua në vitet 1964-1966.  Shtëpia u rindërtua si një model i shtëpive më të pasura gjirokastritë.

Shtëpia e re kopjoi elemente nga shtëpitë më të bukura të qytetit

Sipas burimeve lokale, shtëpia origjinale e Enver Hoxhës ka qenë me një kat dhe një oxhak, krahasuar me shtëpinë e Skendulatëve ngjitur. Shtëpia e re kopjoi elemente nga shtëpitë më të bukura të qytetit, madje dhe shumë objekte janë marrë nga to.

Edhe pse identifikohet si shtëpia e diktatorit, brenda nuk gjen asgjë që ka lidhje me jetën e tij apo me objekte të familjes së tij. Edhe dekori i shtëpisë është kopjuar nga shtëpitë e tjera më të bukura të shekullit të 19. Dhomat janë rregulluar e zbukuruar me artefakte, me kostume të ndryshme, veshje, objekte kuzhine etj. Gjithsesi objektet aty paraqesin vërtetë mënyrën se si jetonin gjirokastritët e pasur në shekullin e 19-të.

Ndërsa, IntoAlbania, shkruan se : Nëse e gjen veten në rrugët e bukura prej kalldrëmi të Gjirokastrës dhe pyet se ku ndodhet Muzeu Etnografik, banorët do të mendoheshin pak para se të të përgjigjeshin. Nëse me zgjuarsi e ndryshon pyetjen duke përmendur shtëpinë e Enver Hoxhës, do të merrje një përgjigje të  menjëhershme dhe udhëzimet më të sakta për të arritur aty! Ja përse, ndonëse zyrtarisht e quajtur “Muzeu Etnografik”, shtëpia e fëmijërisë së Enver Hoxhës njihet ende me këtë emër.

Lagja  “Palorto”, që dha disa nga emrat më të famshëm

Lagjia e kalasë e quajtur “Palorto”, mban disa nga shtëpitë më të famshme të vendit: ato të shkrimtarit më të njohur shqiptar Ismail Kadaresë, familjeve Çabej, Babaramo apo Fico. Të gjitha këto përfaqësojnë ndërtime me vlera të rralla arkitekturore por asnjëra nuk i afrohet forcës magnetike që ushtron shtëpia e Hoxhës ndaj publikut! Vendasit tregojnë se kjo shtëpi 3-katëshe u dogj kur Hoxha ishte vetëm 8 vjeç dhe u rindërtua pas çlirimit të ’44-ës, duke u kthyer në muze në vitin 1966. Fillimisht, muzeu tregonte veprimtarinë e diktatorit dhe dëshmorët e luftës e, pas rënies së komunizmit më ’91, ai u transformua në muze etnografik. Ndonëse shtëpia nuk përmban sendet apo dekorimet specifike të familjes së Hoxhës, ajo tregon hollësisht jetën tradicionale të një familjeje gjirokastrite

Një kulturë që vjen nga familje të pasura të shekullit të 19-të

Dhomat duket sikur ende përdoren, me objekte artistike të cilat dëshmojnë për një kulturë që vjen nga familje të pasura të shekullit të 19-të. Kati përdhe, ku dominon guri, përdorej për zahiretë e dimrit. Kati i parë, i ulët, me dritare të vogla, është traditë për të gjitha shtëpitë ndërsa në katin e dytë, më i lartë dhe me punime druri, ndodhet dhoma e miqve. Kati i tretë mban një dhomë të vetme dhe më të bukurën, e cila quhet kamerie: një vend shumë i lartë ku gratë qëndronin për të kundruar jashtë. Duket se shtëpia ofron jo vetëm idenë e fëmijërisë së diktatorit por të gjithë historinë e Gjirokastrës, një qytet i cili, në shumë mënyra, ndikoi në historinë e një populli të tërë.

Turistët me kërkesa të dyfishta

Sipas një shkrimi të Top Channel, ky muze: Për dekada të tëra përfaqëson një histori identiteti të dyfishtë, historinë e identitetit etnografik të Gjirokastrës dhe të rrethinave pasi këtu kanë të ekspozuara me dhjetëra objekte përfshi edhe kostume tradicionale të jetës së përditshme të qytetit dhe të fshatit dhe njëkohësisht tregohet edhe historia e lindjes dhe jetës së Enver Hoxhës megjithëse nuk është shumë e dokumentuar dhe shumë e dukshme vizualisht brenda muzeut.

“Ky muze është me identitet të dyfishtë sepse përveçse muze etnografik është edhe shtëpia ku ka lindur Enver Hoxha. Një pjesë e mirë e turistëve sidomos të vendeve të ish lindjes  por edhe turistë kosovarë janë të interesuar të dëgjojnë rreth periudhës së socializmit dhe e identifikojnë këtë me shtëpinë e lindjes së Enver Hoxhës. Pjesa tjetër e turistëve sidomos turistët evropianë janë shumë të interesuar të dëgjojnë për etnografinë dhe të shikojnë objektet etnografike që ndodhen në muzeun tonë. Ne flasim për të dyja pjesët varet përse janë të interesuar vizitorët. Ky është një muze etnografik por kur vizitorët kërkojnë të dinë edhe për Enver Hoxhën ne e tregojmë edhe historinë e tij…”, shprehet Jona Kaçi, duke shtuar se:

Gjirokastra dikur, pas Stambollit, shquhej me qëndistarë

“Gjirokastra njihet si një prej qyteteve të Ballkanit që për stilin e qëndisjes vjen direkt pas Stambollit. Qëndisjen nuk e arrinte asnjë. Ishte A-ja”, shprehet Stavri Çati, etnograf.

A ka mundësi për trajtimin e duhur të objekteve në muze për ti risjellë autentike?

“Kush do t’i bëjë? Kush do t’i qëndisë? Nuk ka më qëndistarë. Kujtoj që në Festivalin Folklorik që përkoi me 40 vjetorin e Çlirimit i deshën 60 vajza që punuan një vit për të bërë disa rregullime në kostume. Kishte qëndistarë të tjerë që punon përgjatë katër vjetëve me të gjitha materialet. Kostumet mund të datohen por kanë mungesa të shumta dhe janë deformuar. Ne kemi humbur kostumin e Gjirokastrës sepse sot këdo që të pyesësh nuk e di cili është kostumi.”

Mësojmë se së shpejti në këtë muze pritet të ketë ndryshime që kanë të bëjnë me konceptimin më drejt të identitetit të tij dhe të japë zgjidhje për konservimin dhe ekspozimin siç duhet të objekteve dhe kostumeve të rrallë brenda muzeut.