Ungëra në Kalabri, ruan mbi pesë shekuj doket dhe identitetin arbëresh  

 

 

Qyteza Ungër (italisht: Lungro), një lokalitet relativisht i vjetër (bërthama e parë më 1486), po ashtu komunë në vete në Provincën e Kozencës e ku gjendet edhe dioqeza e ritit grek-bizantin të arbëreshëve.-  Këtu, me 3 Mars 2019 isha me një ekip nga Zvicra për pjesëmarrje në një ngjarje kulturore  kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që pos në zemrat e arbëreshëve e gjen të skalitur edhe në një bust në sheshin qendror me emrin e kryetrimit tonë. Ungëra, si edhe shumica e katundeve arbëreshe, shquhet për mikpritje tradicionale  

Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati

Përndryshe, Ungra ndodhet në një lartësi prej 650 m mbi nivelin e detit dhe 67 km larg nga Kozenca, kryeqyteti i provincës me të njëjtin emër. Fshati u themelua nga refugjatët nga Shqipëria në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë dhe është ndër qendrat kryesore të komunitetit shqiptar në Itali, si dhe kryeqyteti fetar i arbëreshëve të Italisë kontinentale, që kanë ruajtur ritin bizantin. Po ashtu gjuha e lashtë, traditat dhe zakonet tipike të kulturës lokale shqiptare janë trashëguar me xhelozi në këtë katund tipik arbëresh ku shqipja dominon në familje por jo edhe në shkollë, pasi që shqipja në këtë pjesë të Italisë nuk është brenda sistemit shkollor, siç është në Hora të Arbëreshëve në Sicili. Sa i përket përdorimit të simboleve kombëtare, ato jo vetëm në këtë lokalitet prej disa mija banorësh, por edhe në të gjitha fshatrat tjera në sheshe, ku dominojnë bustet e Skënderbeut. Karakteristike është se në këtë vendbanim edhe veturat e policisë kanë shqiponjën tonë dykrenare!

Sa i përket historikut, shkruhet e flitet se pas zhvendosjes nga trojet e të parëve, shqiptarë edhe këtu në Ungra gjetën një pritje të mirë në feudet kalabreze të Geronimo Sanseverino, gjegjësisht te princi i Bisignano-s që ishte martuar me Irena Kastriotin, mbesën e Gjergjt Skanderbekut.

Ngulimi i bërthamave arbëreshë afër fshatit të Ungrës i përket 1486, vit në të cilin Geronimo Sanseverino, princi i Bisignanos dhe zotëri i Altomonte-s, me të dhënë atyre mikpritje, caktoi një taksë për çdo familje 20 dukatësh në vit. Kështu të 17 “zjarret” arbëreshë, brenda pak kohë patën mundësi të përfitonin mbi popullatën e parë të fshatit të vjetër, deri t’u jepnin gjuhën e tyre, ritin bizantin dhe zakonet lindorë. Përveç kësaj, ekonomia e fshatit përfitoi shumë nga fuqia punëtore arbëreshe (blegtorë dhe bujqësorë të aftë) që futi teknika të reja për nxjerrjen e kripës. Ata, brenda pak kohë, u dhanë një përvijim qytetës të ri, fshatit të dikurshëm.

Përhapja me shpejtësi e familjeve arbëreshe, mbledhur në gjitoni, pranoi ngulimit të merrte titullin e Universitas (1546), me të cilin u njihte banuesve të drejtën të krijonin në gjirin e tyre një administratë qytetare. Kështu fshati mesjetar, në pak vjet humbi identitetin italian e tij duke u bërë shprehje e forte të shumicës me etni arbëreshe. Manastiri i Shën Mërisë së Ujërave, që tashmë para ngulimit e arratisurve kaloi një periudhë krize të thellë, qe braktisur nga murgjit në 1525. Në gjysmën e dytë të  shekullit XVIII, u rritën përplasjet midis familjeve të baronit të Sanseverino-s nga Altomonte dhe të Pescara-s nga Saracena, kështu që në Ungër ndodhën shumë përplasje politike për marrjen e disa të drejtave të baronit mbi feudet. Gjatë viteve u rritën kundërshtimet fetarë shekullore midis ritit grek-bizantin të arbëreshëve dhe ritit latin të popullatave kufitare. Shumë zotëra arbëreshë pësuan burgimin për shkak të ushtrimit të ritit lindor, por ungërnjotët, u mblodhën rreth atyre dhe, duke luftuar me ngulm, arritën të ruajnë identitetin fetar të tyre.

Gjatë vizitës në Unëgra i shoqëruar nga mërgimtarët nga Zvicra, Bajrush Zeka, Gjergj Prenkoçaj dhe Ilir Gjeladini, mbetëm më se të impresionuar edhe me mikpritjen e rrallë tradicionale që hasëm këtu, kur edhe na ftuan në një mbrëmje muzikore, ku posa hymë në lokal na pritën me muzikë kosovare e pastaj na shoqëruan edhe gjatë ditëve të tjera edhe në gazmende familjare. Për dy-tri netë rresht sa ishim në këtë qytezë patëm mikpritëse një arbëreshe që ka trashëguar shtëpinë e stërgjyshërve, të vjetëm prej 4-5 shekujsh të kthyer edhe në një muze etnografik e bibliotekë me libra të vjetra, ku mund të hasësh edhe libra të autorëve shqiptarë jashtë Italisë, nga Kosova apo Maqedonia, si në rastin e librave të shkrimtarit Murat Isaku. Nikoqirja Anna Stratigò ka themeluar edhe një kor të femrave që këndojnë jo vetëm këngë arbëreshe por edhe të tjera nga vendet e prejardhjes së të parëve të tyre.

Mikpritja të has me të dal në sheshin e Ungëros, ku zakonisht arbëreshët pijnë kafen e mëngjesit në grupe dhe e folmja e përditshme është arbërishtja. Karakteristike ishte se secili ngutej të na paguante kafen para tjetrit!

Krahas dashurisë dhe simpatisë që kanë vendasit e këtushëm si në çdo lokalitet arbëresh edhe këtu në qendër të kësaj qyteze një bust i është ngrit edhe De Radës në shenjë nderimi dhënë gjuhës dhe kulturës arbëreshe dhe shqiptare në përgjithësi, por edhe për pjesëmarrje aktive në Kongresin e dytë gjuhësor arbëresh në Ungër (Lungro), ku edhe bëri thirrje për ngritjen e një Katedër të studimeve shqiptare në Institutin Oriental në Napol.

Përndryshe ky vendbanim njihet edhe për minierat e ndryshme, përfshi edhe atë të kripës, kur vendasit është dashur të bëjnë punë mjaftë të rënda për të mbijetuar. E së fundi edhe këtu migracioni e ka bërë të veten, sa shumë të ri e kanë marrë botën ne¨sy ndaj edhe një numër i madh i botës femërore ka ngel pa krijuar familje.