Në vend të Ardita Kapedanit, që tashmë ka diplomuar, kryetare e re u zgjodh Vjosa Ismaili, si rezultat i rritjes numerike të femrave në universitet.- Përmes veprimtarisë së kësaj shoqate defiluan qindra studentë shqiptarë, nga të cilët me dhjetëra sish u diplomuan, nderta afro dhjetë doktorë shkence, ca prej tyre: asistentë apo edhe ligjërues universitetesh.- “Studenti” përmes projektit “DITURIA +” , ndihmon nxënësit tanë në disa nga lëndë mësimore, për shkollim të mëtejshëm
Rexhep Rifati
Dy vatrat universitare me reputacion ndërkombëtar, Universiteti i Cyrihut dhe ETHZ, tashmë njihen si dy nga burimet kryesore të dijes, të cilat përmes dhjetëra fakulteteve rekrutojnë kuadro profilesh të ndryshme shkencore. Prej viti në vit, në kuadër të këtyre fakulteteve po rekrutohen me dhjetëra studentë shqiptarë me prejardhje nga trojet tona etnike, të cilët po bëhen pjesë e një gjenerate shumë të avancuar prej nga përgatiten e profilizohen kuadro e ekspertësh, thuaja se për të gjitha fushat e ekonomisë dhe më gjerë.
Studentët shqiptarë të po këtyre dy universiteteve ishin ata që 15 vite më parë themeluan Shoqatën Shqiptare “Studenti”, që deri më tash ka anëtarësuar në gjirin e saj qindra studentë, duke nxjerr deri më tash disa gjenerata ekspertesh me renome, ndër ta ekonomistë, juristë, inxhinierë mjekë, e çfarë jo, nderta edhe afro dhjetë doktorë shkence, ca prej të cilëve tash punojnë si asistentë apo edhe ligjërues universitetesh. Bilanci i arritjeve të këtyre studentëve është edhe imazhi dhe krenaria jonë në shtetin helvetik. Sepse pos këtyre studentëve, janë edhe ata që tashmë kanë diplomuar apo i ndjekin studimet qoftë në Universitetin e Lozanës, Gjenevës, Bernës, Bazelit, St. Gallenit , Fraiburgut, Loganos e tjerë.
Vetëm gjatë një jave isha i pranishëm në tubimet e dy shoqata studentore shqiptare: atë të St. Gallenit dhe të Cyrihut, dhe thënë troç, duke i parë këto të reja e të ri se sa kanë avancuar në shtegun e diturive, nuk kisha se si mos të ndihesha më se i entuziazmuar. Kur shihje e kuptoje se sot vetëm brenda shoqatës së ST. Gallenit janë mbi 50 studentë, shumica nga ta pjesë e ekonomikut, njërit ndër fakultetet që nxjerrë ekonomistët më të shquar jo vetëm në nivel evropian.
Dhe takimi i dytë ishte, ai që u mbajte më 4 mars në Universitetin e Cyrihut, ku shoqata “Studenti” mbajti kuvendin zgjedhor, ku merrnin pjesë dhjetëra studentë, ndër ta edhe ish-studentë tashmë të diplomuar, si ish-kryetari i shoqatës Orhan Spahiu (më jurist i diplomuar) si dhe humanistja Valdete Hotjani drejtuese e Shoqatës humanitare ”Parandalo”. Në këtë kuvend zgjedhor shoqata “Studenti”, të cilin e drejtoi Ardita Kapedani , pasi bëri bilancin aktiviteteve jo edhe të pakta në vitin që lamë pas, i përcaktoi edhe detyrat e ardhshme, ndër të cilat shquhet projekti “DITURIA +”, qëllimi i të cilit është përgatitja e nxënëse shqiptarë në shkollimin fillestar me njohuri plotësuese nga ato lëndë që kanë më shumë vështirësi (sidomos matematika dhe gjuha gjermane), për të arritur nivelin e duhur për gjimnaz apo shkolla profesionale. Ky projekt është një ndihmesë e dy anshme edhe për nxënësit prindërit në njërën anë por edh studentët, të cilët për një orë të tillë paguhen 25 franga, ndërsa që një orë e tillë paguhet dyfish më shtrenjtë po këtë ta bënte ndonjë mësimdhënës apo studentë me prejardhje tjetër.
Në këtë tubim u bë edhe zgjedhja e kryesisë së re prej 6 anëtarësh. Kryetarja e deritashme, Ardita Kapedani, me prejardhje nga Tirana, tashmë ka diplomën, për të ia “lëshuar” vendin anëtares tejet aktive të deritashme të kryesisë, Vjosa Ismailit, me prejardhje nga Tetova, studente e semestri të gjashtë në fakultetin ekonomik. Fakti se njëra pas tjetrës në krye të shoqatës “Studenti”, vihen dy femra shqiptare, nuk është e rastësishme. Ky është edhe një sinjal tjetër, se numri i femrave shqiptare në universitetet zvicerane nga viti në vit po vjen duke u shtuar, madje shumë më tepër në raport me meshkujt. Kështu që tash nga afro 10 për qind sa ishin femra para 15 e sa vitesh në Universitetin e Cyrihut tashmë numri i dy gjinive thuaja se është barazuar.
Kryesinë e re e përbëjnë edhe Arbnora Aliu, që studion organizimin; Jetmir Behluli, ekonomi; Sali Zumberi, shkencat e informatikës, Nderim Mustafa ekonomi, drejtues i projektit “DITURIA +” dhe Dafina Shabani, financat.
Me këtë rast u përmend se Shoqata “Studenti” mbulohet kryesisht nga anëtarësia simbolike e anëtarëve të saj dhe se e vetmja që e ndihmon është “Rinora4”, duke ua liruar falas lokalin për festimin e Ditës së Flamurit, në mënyrë që me mjetet që grumbullohen të mbijetojë shoqata. Ndaj edhe është me interes që bizneset e shqiptarëve, por edhe të tjerët ta ndihmojnë këtë shoqatë, sidomos tash kur studentët shqiptarë donë të organizojnë ekskursione në Shqipëri, Kosovë e gjetiu në trojet shqiptare.





















