Shën Mitër Korone, që u shqua me Kolegjin Adriano

Qyteti Shën Mitri (Ital. San Demetrio Corone), me rreth 3.500 banorë në provincën e Cosensës në Kalabria, që për herë të parë e vizitova si student 50 vjet më parë, përbën një tempull të shenjtë të kulturës dhe gjuhës arbërore ku falë Kolegjit Adriano dolën personalitete të shquara si : De Rada, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Avni Rrustemi e të tjerë  

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Në vazhdën e prezantimit të katundeve arbëreshe që po bën portali ynë prointegra, këtë të hënë ju prezantojmë qytezën Shën Mitri (Ital. San Demetrio Corone), lokalitet kyme peshë të rëndësishme sa kulturore e arsimore aq edhe atdhetare, nga fakti se aty u shkolluan personalitete të shquara shqiptuare si nga Kalabria ashtu edhe Shqipëria e anë të ndryshme të Arbërisë.

Shën Mitri, të cilin kam pas rastin ta vizitoj tri herë, më parë si studentë para gjysmë shekulli dhe së voni edhe dy herë radhazi, ndodhet në një lartësi prej 521 m mbi nivelin e detit në kodrat që ngrihen mbi fushën e Sibarit në Greca Sila. Ai është ndër qendrat më të rëndësishme të komunitetit arbëresh, që ka ruajtur gjuhën, zakonet, kulturën, ritet fetare dhe identitetin etnik të tij.

Rëndësinë me të madhe këtij lokaliteti ia ka dhënë fakti se këtu ka vepruar Kolegji i  Shën Adrianit (1794), një organizatë e rëndësishme fetare dhe kulturore për ruajtjen e ritit bizantin dhe të traditave arbëreshe. . Në fillim të shekullit të kaluar ky vendbanim kishte një numër më të madh banorësh, por edhe këtu migracioni e bëri të vetën.

Gjatë vizitës së fundit, në shqpoqërim të tre mërgimtarëve nga Zvicra, pasi kaluam një natë të këndshme në Shën  Mitër, në shoqërim edhe të disa vendasve në një kafiteri të vogël, të nesërmen na shoqëroi një shi i imtë deri sa vizituam qendërn e kësaj qyteze, ku pa dyshim bie në sy busti i kryetrimit tonë Gjergj Ksastrioti Skënderbeu dhe sheshi i Shën Mitrit, me një monument po ashtu që spikat në qendër. Më tej i bëmë një vizitë Kolegjit të Shën Adrianit, i ndërtuar aty ku vazhdon të ndodhet edhe në ditët e sotme, në në shpatinë të kodrës së Montesantos, në 530 metra mbi nivelin e detit, me një panoramë shumë të bukur.

Mësojmë se më 1892, nën kujdesin e J. De Radës, kolegji u themelua zyrtarisht nga ana e Ministrisë së Arsimit Katedra e Literaturës Shqipe dhe se mësues i parë u emërua vetë De Rada, i cili mbajti leksionin mbi vjetërsinë e gjuhës shqipe, duke udhëtuar zakonisht nga Maqi me gomar. Ndërsa në vitin 1905, kolegjit iu shtua edhe një degë për shkollën Normale, me djem të ardhur vetëm nga Shqipëria , ndër të cilët ishin Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Avni Rrustemi e të tjerë.

Me një fjalë Kolegji i Shën Adrianos ka qenë gjithmonë një qendër e rëndësishme arsimore e kulturore e arbëreshëve, ndaj edhe me rastin e vizitës sonë të fundit aty pamë se vlonin nxënësit, ndërsa në afërsi të manastirit të vjetër dhe vet kolegjit ndriçonin dy buste , ajo e De Radës dhe Garibaldit, i cili ndihmoi financiarisht kolegjin në shenjë falënderimi për ndihmën që kishin dhënë kolonit shqiptare në Tetor të vitit 1860 kur ky shpalli dekretin e famshëm të Casertas, aty ku kishte formuar qeverinë e vet, në të cilin bënin pjesë edhe tre shqiptarë Françesko Krispi, Paskal Sgura e Luigj Gjura.

Në hyrje dhe dale të Sën Mitrit të presin një tabelë mirëseardhje dhe tjetra lamtumërse të shkruara si zakonisht në fshatrat e arbëreshe në dy gjuhët italisht e shqip. Do përmend se çdo vizitë në këtë lokalitet me histori e kulturë të lashtë të le mbresa të pashlyeshme.