Hajro Hajra: Lidhur me shkrimin e autores prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha “Programet e elaboratet serbe antishqiptare”, publikuar në faqen zemrashqiptare.net më 25 nëntor 2013
Ky reagim do të duhej të publikohej aty ku është dërguar, pra aty ku është publikuar shkrimi i zonjës Basha, por në vend që ta publikojë reagimin, siç e do rendi, redaksia, për të fshehur vjedhjen e zonjës Basha, për t’i fshehur të palarat e saj (ajo është redaktore e zemrësshqiptare), pas tri-katër ditësh e ka hequr shkrimin e saj nga kjo faqe (në kundërshtim me praktikën e deritashme, jo vetëm të zemrësshqiptare, që shkrimet e publikuara një herë, të ruhen aty përherë). Për fat, shkrimin e saj e kam kopjuar (në Microsoft Word), para se redaksia ta zhdukë nga kjo faqe dhe do ta sjell këtu të plotë, në mënyrë që lexuesi ta shohë e të bindet vetë se si ka vjedhur zonja Basha, me teknikën “copy dhe paste” fjali e periudha të tëra nga parathënia e shkrimit tim që shoqëron përkthimin e Elaboratit të Andriqit, publikuar pikërisht te zemra shqiptare, më 4.6.2009 http://www.zemrashqiptare.net/news/id_8597/Hajro-Hajra:-Projekti-p%C3%ABr-zhdukjen-e-shqiptar%C3%ABve-i-nobelistit-Andriq.html?skeyword=hajro+hajra dhe në disa faqe të tjera interneti, si albaniapress http://www.albaniapress.com/lajme/18102/PROJEKTI-PER-ZHDUKJEN-E-SHQIPTAREVE-I-NOBELISTIT-ANDRIQ.html , gazetakritika http://gazetakritika.com/Forumi/index.php?itemid=2080 etj., madje përkthyer edhe italisht (me lejen time, siç e do etika publicistike) nga Brunilda Ternova dhe publikuar në faqen http://www.scribd.com/doc/24299229/Il-progetto-del-premio-Nobel-Andric-per-far-sparire-gli-Albanesi-di-Hajro-Hajra.
Në shkrimin “Programet e elaboratet serbe antishqiptare”, zonja Basha ka “huazuar” fjali e periudha të tëra nga parathënia e përkthimit tim të Elaboratit të Ivo Andriqit me titull “Projekti për zhdukjen e shqiptarëve i nobelistit Andriq”, duke ia servirur lexuesit si të vetat. S’do të kishte asgjë të keqe sikur autorja ta kishte shënuar burimin e huazimeve, siç e do rendi dhe etika dhe siç do të duhej ta dinte një shkencëtare e mirëfilltë, por ajo s’e ka bërë këtë. Arsyen mund ta thotë ajo vetë, së paku për hir të lexuesit.
Më poshtë lexuesi mund t’i shohë “huazimet” e zonjës Basha dhe pjesë të shkrimit tim (pa i përfshirë të gjitha), nga është bërë “huazimi”, në pjesën më të madhe fjalë për fjalë dhe në fund mund ta shohë të plotë shkrimin në fjalë të zonjës Basha, marrë nga zemrashqiptare.net para se “të avullohej” si dhe parathënien time që shoqëron Elaboratin e Andriqit.
Sabile Keçmezi – Basha:
Serbët u bënë fqinjë me shqiptarët shekuj më parë, atëherë kur erdhën e u vendosën poshtë Danubit dhe, si një metastazë vazhduan të zdirgjeshin poshtë e më poshtë nga jugu, duke i tkurrur vazhdimisht tokat shqiptare, duke i shfarosur, duke i përzënë ose duke i asimiluar shqiptarët.
Hajro Hajra:
Serbët u bënë fqinjë me shqiptarët shumë shekuj më herët, atëherë kur erdhën e u vendosën poshtë Danubit dhe, si një metastazë vazhduan të zdirgjeshin poshtë e më poshtë nga jugu, duke i tkurrur vazhdimisht tokat shqiptare, duke i shfarosur, duke i përzënë ose duke i asimiluar shqiptarët…
Sabile Keçmezi – Basha:
Programi i parë politik për Serbinë e Madhe është Naçertania (Projekti) i Ilia Garashaninit, i vitit 1844.
Hajro Hajra
Programi i parë politik i Serbisë së Madhe është Naçertania (Projekti) i Ilia Garashaninit i vitit 1844.
Sabile Keçmezi – Basha:
Programi “Iselavanje arnauta” (për shpërnguljen e shqiptarëve) – U hartua më 1937 nga Vasa Çubriloviqi, dhe përbën, një nga kulmet e ideologjisë së “Spastrimit etnik”.
Hajro Hajra
Një tjetër dokument antishqiptar është Memorandumi i Vasa Çubriloviqit me titull “Iseljavanje Arnauta” (Shpërngulja e shqiptarëve), një referat që Çubriloviqi kishte mbajtur në Klubin Kulturor Serb më 7 mars 1937 (dërguar qeverisë së M. Stojadinoviqit), ku propozonte dëbimin masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre.
Sabile Keçmezi – Basha:
Në vargun e dokumenteve antishqiptare bën pjesë edhe “Marrëveshja xhentëlmene” për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, nënshkruar në Split të Kroacisë më 1953 nga Tito dhe përfaqësuesi turk Fuad Kyprili. Kjo marrëveshje ishte ripërtëritje e Konventës së vitit 1938.
Hajro Hajra:
Në vargun e dokumenteve antishqiptare bën pjesë edhe “Marrëveshja xhentëlmene” për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, nënshkruar në Split të Kroacisë më 1953 nga Mareshali Tito (për të cilin mjaft shqiptarë të Kosovës kanë edhe sot nostalgji) e përfaqësuesi turk Fuad Kyprili. Kjo marrëveshje ishte ripërtëritje e Konventës së vitit 1938.
Sabile Keçmezi – Basha:
Një tjetër elaborat që gjithsesi duhet përmendur, është ai i Ivan Vukotiqi, të cilin e kishte paraqitur me 30 janar 1939, dhe theksonte: “Aneksimi i Shqipërisë Veriore dhe Shqipërisë së Mesme nga Jugosllavia është me interes vital për popullin tonë. Me këtë do të realizoheshin aspiratat tona të natyrshme si dhe plotësimi i kërkesave tona shekullore” përfundon citati.
Hajro Hajra:
Një tjetër zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, Ivan Vukotiqi kishte hartuar një tjetër elaborat, më 3 shkurt 1939. Aty në mënyrë fare konkrete flitej për ndarjen e Shqipërisë, si një mënyrë e mundshme për pengimin e depërtimit italian në Ballkan. Edhe ky dokument është botuar shqip më 1990 në revistën “Kosovarja” të Prishtinës (përkthyer nga H. H.).
Sabile Keçmezi – Basha:
Ndërsa Ivo Andriqi (1892-1975) një serb nga Bosnja, i cili përveç si shkrimtar (madje edhe fitues i Çmimit Nobël për letërsi në vitin 1961), është i njohur edhe si diplomat, me një përvojë diplomacie, në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.
Hajro Hajra:
Ivo Andriqi (1892-1975) një serb nga Bosnja, i cili përveç si shkrimtar (madje edhe fitues i Çmimit Nobël për letërsi në vitin 1961), është i njohur edhe si diplomat i rryer, me një përvojë shërbimi njëzetvjeçar në diplomaci, në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.
Sabile Keçmezi – Basha:
Propozimet e Çubriloviqit kishin pikëmbështetje idetë e Naçertanies së Garashaninit dhe “opsionet lindore” të Nikolla Pashiqit, që nënkuptonin daljen e Serbisë në Detin Egje nga Selaniku dhe sigurimin e Ngushticës së Otrantos nga Shqipëria e Veriut.
Hajro Hajra:
Propozimet e Çubriloviqit kishin pikëmbështetje idetë e Naçertanies së Garashaninit dhe “opsionet lindore” të Nikolla Pashiqit, që nënkuptonin daljen e Serbisë në Detin Egje nga Selaniku dhe sigurimin e Ngushticës së Otrantos nga Shqipëria e Veriut.
* * *
Më poshtë është shkrimi i zonjës Basha, publikuar te zemrashqiptare.net, zhdukur pas tri-katër ditësh dhe krejt në fund, parathënia ime e Elaboratit të përkthyer të Andriqit, publikuar po te zemrashqiptare.net më 4.6.2009:
Sabile Basha: Programet serbe antishqiptare
| E Hene, 25.11.2013, 08:11 PM |
PROGRAMET E ELABORATET SERBE ANTISHQIPTARE
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Serbët u bënë fqinjë me shqiptarët shekuj më parë, atëherë kur erdhën e u vendosën poshtë Danubit dhe, si një metastazë vazhduan të zdirgjeshin poshtë e më poshtë nga jugu, duke i tkurrur vazhdimisht tokat shqiptare, duke i shfarosur, duke i përzënë ose duke i asimiluar shqiptarët.
Edhe pse shumë programe e elaborate serbe kundër shqiptarëve ishin shkruar dhe u shkruan në periudha të ndryshme historike, aplikimi i tyre vije në shprehje gjatë gjithë kohës e sidomos pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ka dëshmi se në shtetin e “ri” socialist, u bë gjenocidi dhe krimet të papara, ku vijojnë deri më 1999, respektivisht deri tek shpallja e Pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës.
Fillimet e zbatimit të këtyre platformave i gjejmë në luftën serbo-turke, 1876-1878, ku agresionet e forcave të organizuara serbe sollën pasoja shfarosëse në të gjitha viset ku jetonin shqiptarët.
Por, pas përfundimit të LDB-së, me aneksimin e Kosovës Serbisë, programet antishqiptare serbe në mënyrë institucionale u futen në sistem dhe tërësisht u legalizuan. Më vonë, çdo gjë që u punua dhe gjenocidin që përjetoi populli shqiptar në Jugosllavi, ishin prodhim i atyre programeve. E në vazhdim do të përmendja vetëm disa nga ato:
Programi i parë politik për Serbinë e Madhe është Naçertania (Projekti) i Ilia Garashaninit, i vitit 1844. Dokumenti, i redaktuar ka qëndruar për një kohë të gjatë si konfidencial, dhe për herë të parë është botuar në Beograd më 1906. Ky nuk ka humbur asgjë nga interesi i tij i dikurshëm po ta gjykojmë sipas ngjarjeve që ndodhën në kuadër të ish-Jugosllavisë, të cilat rrënuan e gjakosën Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën dhe në fund Kosovën.
Programi “Iselavanje arnauta” (për shpërnguljen e shqiptarëve) – U hartua më 1937 nga Vasa Çubriloviqi, dhe përbën, një nga kulmet e ideologjisë së “Spastrimit etnik”. Aty gjenden të gjitha këshillat dhe recetat e artit dhe mënyrës së serbizimit, duke propozuar një arsenal të tërë të shtypjes dhe të përzënies, një kombinim teknikash dhe masash me imazh intolerance kombëtare të ngritur në mision të shenjët e të përkushtuar nga shteti serb.
Konventa Jugosllavo-Turke u nënshkrua më vitin 1938, kryesisht për dëbimin me forcë të shqiptarëve në Anadolli. Po ashtu kjo Konventë ishte një projekt, në vazhdën e projekteve antishqiptare. Në vargun e dokumenteve antishqiptare bën pjesë edhe “Marrëveshja xhentëlmene” për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, nënshkruar në Split të Kroacisë më 1953 nga Tito dhe përfaqësuesi turk Fuad Kyprili. Kjo marrëveshje ishte ripërtëritje e Konventës së vitit 1938.
Një tjetër elaborat që gjithsesi duhet përmendur, është ai i Ivan Vukotiqi, të cilin e kishte paraqitur me 30 janar 1939, dhe theksonte: “Aneksimi i Shqipërisë Veriore dhe Shqipërisë së Mesme nga Jugosllavia është me interes vital për popullin tonë. Me këtë do të realizoheshin aspiratat tona të natyrshme si dhe plotësimi i kërkesave tona shekullore” përfundon citati.
Ndërsa Ivo Andriqi (1892-1975) një serb nga Bosnja, i cili përveç si shkrimtar (madje edhe fitues i Çmimit Nobël për letërsi në vitin 1961), është i njohur edhe si diplomat, me një përvojë diplomacie, në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Elaborati i Ivo Andriqit, u hartua me 1 janar 1939, në të cilën ky akademik, zgjidhjen definitive të çështjes së Kosovës e sheh duke e ndarë Shqipërinë në dy pjesë: njërën pjesë duhej ta pushtonte Italia, kurse pjesën tjetër, sipas Andriqit, duhej ta pushtonte Jugosllavia.
Projekti politik i Stefan Moljeviqit “Për një Serbi të Madhe Homogjene”, mban datën 20 qershor 1941 dhe flet, për prishje kufijsh, që do ndiqet nga Serbia e zmadhuar në kuadër të Jugosllavisë, sapo të mbaronte Lufta e Dytë Botërore. Në Projekt kërkohej që Serbia t’i marri të gjitha territoret të fituara gjatë Luftës Ballkanike, bile, në Serbin e Madhe duhet të përfshiheshin edhe territoret e Shqipërisë Veriore e mos të flasim për Kosovën, vetëm se duhet të spastrohet nga elementi shqiptar me metoda të ndryshme, theksonte Moljeviqi në projekt.
Përsëri Vasa Çubrilloviqi, i cili nuk u ndal vetëm me Memorandumin e vitit 1937. Ai me një pasion të veçantë shkroi edhe një Memorandum, në vitin 1944, po ashtu, që ishte kryekëput kundër shqiptarëve dhe disa minoriteteve tjera në ish-Jugosllavi.
Propozimet e Çubriloviqit kishin pikëmbështetje idetë e Naçertanies së Garashaninit dhe “opsionet lindore” të Nikolla Pashiqit, që nënkuptonin daljen e Serbisë në Detin Egje nga Selaniku dhe sigurimin e Ngushticës së Otrantos nga Shqipëria e Veriut
Me programe antishqiptare serbe vazhdohet edhe në vitet e më vonshme. Duhet përmendur Memorandumin e Akademisë Serbe, të vitit 1986, e cila gjithmonë ishte në shërbim të politikës hegjemoniste e nacional shoveniste serbe. Akademikët serbë hartuan një Memorandum mbi pozitën politike, ekonomike dhe kushtetuese të Serbisë në ish-Federatën jugosllave. Emrat e autorëve nuk janë botuar kurrë. Por sipas mediave thuhej se shkrimtari Antonije Isakoviqi kishte kryesuar punimet e këtij grupi prej njëzet akademikësh autor të tekstit, dhe se frymëzuesit dhe redaktorët e tij kishin qenë filozofi – Mihaillo Markoviq, historiani – Vasilije Krestiq, gjuhëtari – Pavle Iviq, mjeku ushtarak – Gojko Nikoliq si dhe në mënyrë indirekte, por të rëndësishme, shkrimtari Dobrica Qosiq. Sido që të jetë, ky tekst ka përbërjen e pikënisjen e një koalicioni : parti-akademi-ushtri-shkrimtarë dhe kisha. Në këtë Memorandum, rëndësi e veçantë i kushtohet Kosovës, në të cilën përshkruhet nga një urrejtje dhe me falsifikime për të kaluarën e të tashmen shqiptare.
Më vonë, më 1990, Beogradi hartoi “Programin jugosllav të masave dhe aktiviteteve për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga KSA e Kosovës, kthimin e shpejtë të atyre që e kanë lëshuar dhe ardhjen e të gjithë atyre që dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në Kosovë”.
Gjatë viteve 1991 – 1999, u hartuan edhe tri programe antishqiptare që kishin për qëllim, largimin e popullsisë shqiptare dhe vendosjen e serbëve–serbizimin e Kosovës. Projektet ishin; Projekti “Gërshërët”, i cili kishte objektiv infiltrimin dhe kontrollimin e jetës dhe të skenës politike të Kosovës. Ndërsa projekti “Kafshimi i miut”, kishte objektiv, shkatërrimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe Projekti “Patkoi”, që njihej si operacioni më famëkeq serb, që bënte të kuptohej se qëllimi ishte që 1.000.000 shqiptarë të dëbohen jashtë Kosovës; 500.000 e më tepër të vriten dhe të likuidohen, dhe 500.000 të tjerë të mbesin në Kosovë, por t’i nënshtroheshin Serbisë, dhe se ky numër, mendonin ata, se nuk do të paraqiste kurrë më problem për Serbinë.
Lufta e fundit në Kosovë, e vitit 1998-1999, ngjarjet që ndodhen brenda kësaj kohe, si: dalja publike e UÇK-së më 28 nëntor 1997, masakrat e forcave serbe mbi familjen Jashari më 5-7 mars 1998, por edhe mbi shumë familje të tjera në Kosovë, masakra e Reçakut, bombardimet 77-ditësh të NATo-s e deri te fitorja e UÇK-së dhe NATO-s, kundër caqeve të forcave paramilitare dhe çetnike serbe, në qershor të vitit 1999, po shënonin një etapë të re për popullin e Kosovës.
Me gjithë këtë, Serbia prapë nuk u ndal së vepruari kundër popullit shqiptar të Kosovës. Më 2003, Sinodi i Shenjët i Kryepeshkopatës së Kishës Ortodokse Serbe, nxori memorandumin me titull: “Memorandumi për Kosovën dhe Metohinë”, Beograd, 2003, f. 215, redaktuar nga peshkopi Anastasije Jevtiq. Ndërkaq, më 2004 Dobrica Qosiq ua propozoi politikanëve serbë ndarjen e Kosovës.
Këto plane, projekte e memorandume antishqiptare nuk janë as të parat, as të vetmet që janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen kundër shqiptarëve. Synimet albanofobe të Serbisë po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ajo edhe sot, tenton të sundojë pjesë të Kosovës, kurse në trojet etnike shqiptare që kanë mbetur brenda kufijve të saj politikë, haptas shprehin urrejtjen dhe terrorin me të njëjtin intensitet.
* * *
Speciale
Hajro Hajra: Projekti për zhdukjen e shqiptarëve i nobelistit Andriq
| E Enjte, 04.06.2009, 07:13 PM |
Projekti për zhdukjen e shqiptarëve i nobelistit Andriq
Nga Hajro Hajra
Plane, projekte, memorandume e elaborate për pushtimin e trojeve shqiptare, për shpërnguljen e pjesshme ose të plotë të shqiptarëve nga dheu i tyre, për asimilimin a tjetërsimin e pjesshëm ose të plotë të tyre, ose edhe për zhbërjen e plotë të popullit shqiptar, janë bërë shumë, sidomos nga shekulli XIX e këtej. Kësaj valleje antishqiptare i kanë prirë dhe vazhdojnë t’i prijnë edhe sot, kryesisht ato shtete e qeveri shtetesh, të cilat më së paku kanë të drejtë të jenë aq të zellshme për t’i vënë në veprim gjithë mekanizmat shtetërorë e joshtetërorë, fetarë e jofetarë dhe gjithë potencialin intelektual kundër një populli në trojet e të cilit janë ulur këmbëkryq. Orekset e tyre pushtuese nuk janë kënaqur asnjëherë dhe me siguri nuk do të kënaqen kurrë, sepse në logjikën e atij që ka pushtuar një herë, është të pushtojë përherë.
Serbët u bënë fqinjë me shqiptarët shumë shekuj më herët, atëherë kur erdhën e u vendosën poshtë Danubit dhe, si një metastazë vazhduan të zdirgjeshin poshtë e më poshtë nga jugu, duke i tkurrur vazhdimisht tokat shqiptare, duke i shfarosur, duke i përzënë ose duke i asimiluar shqiptarët, metoda këto të njohura të pushtuesve të djeshëm e të sotëm serbosllavë.
Programi i parë politik i Serbisë së Madhe është Naçertania (Projekti) i Ilia Garashaninit i vitit 1844. Një tjetër dokument antishqiptar është Memorandumi i Vasa Çubriloviqit me titull “Iseljavanje Arnauta” (Shpërngulja e shqiptarëve), një referat që Çubriloviqi kishte mbajtur në Klubin Kulturor Serb më 7 mars 1937 (dërguar qeverisë së M. Stojadinoviqit), ku propozonte dëbimin masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre. Propozimet e Çubriloviqit kishin pikëmbështetje idetë e Naçertanies së Garashaninit dhe “opsionet lindore” të Nikolla Pashiqit, që nënkuptonin daljen e Serbisë në Detin Egje nga Selaniku dhe sigurimin e Ngushticës së Otrantos nga Shqipëria e Veriut.
Këto pikëpamje Çubriloviqi do t’i mbronte edhe pas përfundimit të luftës antifashiste, kur kishte përsëritur edhe një herë idenë e tij për spastrimin e territoreve jugosllave nga shqiptarët dhe nga pakicat e tjera në një referat të tijin që e kishte lexuar më 3 nëntor 1944 para udhëheqjes më të lartë shtetërore e partiake të Jugosllavisë së Re.
Konventa Jugosllavo-Turke e vitit 1938 për dëbimin me forcë të shqiptarëve në Anadolli, ishte po ashtu një projekt, në vazhdën e projekteve antishqiptare.
Një plan tjetër antishqiptar është Elaborati famëkeq i Ivo Andriqit.
Ivo Andriqi (1892-1975) një serb nga Bosnja, i cili përveç si shkrimtar (madje edhe fitues i Çmimit Nobël për letërsi në vitin 1961), është i njohur edhe si diplomat i rryer, me një përvojë shërbimi njëzetvjeçar në diplomaci, në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Në vitet 1937-1939, Andriqi ishte emëruar zëvendësministër i punëve të jashtme në qeverinë mbretërore të Milan Stojadinoviqit dhe gjatë asaj kohe kishte kryer detyra shumë të ndjeshme e me përgjegjësi. Në janar 1939, pas një vizite që ministri i punëve të jashtme të Italisë Galeaco Çano kishte bërë në Beograd dhe kishte pasur takim me kreun e qeverisë mbretërore Stojadinoviq (ku temë bisedimesh kishte qenë edhe çështja shqiptare), ky i fundit e kishte angazhuar Andriqin që të hartonte një përkujtesë zyrtare (Aide Memoire) lidhur me çështjen shqiptare, për nevoja të brendshme të qeverisë së punëve të jashtme. Andriqi e kishte kryer me zell të madh detyrën që i ishte dhënë dhe Aide Memoire kishte qenë gati më 30 janar 1939.
Ky dokument ruhet në Arkivin e Serbisë, Fondi i Milan Stojadinoviqit. Për herë të parë e ka publikuar historiani kroat Bogdan Krizman më 1977 në «Časopis za suvremenu povijest» (Revistë e historisë bashkëkohore), më 1977, me titull “Elaborati i dr. Ivo Andriqit për Shqipërinë i vitit 1939”, shoqëruar me një koment. Publikimi i këtij dokumenti sekret kishte ngjallur asokohe reagime e polemika të shumta në qarqet serbe. Në Serbi ky dokument është publikuar për herë të parë më 1988, në revistën “Sveske”, Fondi i Andriqit.
Përkthimi i plotë që po japim këtu është botuar së pari në revistën “Fjala” të Prishtinës, më 1 maj 1990, faqe 11-12. Është ky publikimi i parë i Elaboratit të Andriqit në gjuhën shqipe botuar në Kosovë (më parë ky Elaborat është botuar shqip më 1981, përkthyer nga Jusuf Gërvalla në gazetën “Zëri i Kosovës” që botohej në diasporë dhe që shpërndahej ilegalisht në Kosovë e në troje të tjera shqiptare).
Një tjetër zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, Ivan Vukotiqi kishte hartuar një tjetër elaborat, më 3 shkurt 1939. Aty në mënyrë fare konkrete flitej për ndarjen e Shqipërisë, si një mënyrë e mundshme për pengimin e depërtimit italian në Ballkan. Edhe ky dokument është botuar shqip më 1990 në revistën “Kosovarja” të Prishtinës (përkthyer nga H. H.).
Në vargun e dokumenteve antishqiptare bën pjesë edhe “Marrëveshja xhentëlmene” për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, nënshkruar në Split të Kroacisë më 1953 nga Mareshali Tito (për të cilin mjaft shqiptarë të Kosovës kanë edhe sot nostalgji) e përfaqësuesi turk Fuad Kyprili. Kjo marrëveshje ishte ripërtëritje e Konventës së vitit 1938.
Këto plane, projekte e memorandume djallëzore nuk janë as të parat, as të vetmet që janë drejtuar e vazhdojnë të drejtohen kundër shqiptarëve. Synimet antishqiptare të Serbisë po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ajo edhe sot, më shumë se një vit pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, vazhdon të sundojë pjesë të Kosovës, kurse në trojet etnike shqiptare që kanë mbetur brenda kufijve të saj politikë, vazhdon terrorin me të njëjtin intensitet. Gjysmë-shteti shqiptar, sot i mbytur në korrupsion, rrezikon të gllabërohet nga fqinji i saj Greqia (nga e cila aktualisht është e varur pothuaj tërësisht në pikëpamje ekonomike), e cila sa i përket çështjes shqiptare, ka pasur dhe vazhdon të ketë qëndrim të njëjtë me atë të Serbisë. Shqiptarët në Mal të Zi e në Maqedoni, ndonëse në trojet e tyre etnike, vazhdojnë të përbuzen e të trajtohen sikur të ishin ardhacakë, paçka se krerët politikë shqiptarë, që atdhe kanë interesin personal, flasin për përparim të të drejtave të shqiptarëve atje.
Quo Vadis, shqiptarë?