Efekti i masave të vonshme dhe zhurma pas aktit të kryer

Cili do të jetë efekti i masave të vonshme të Qeverisë Hoti, pasi me neglizhencën e vet në emër të asaj se po merret me punë të mëdha, lejoi që menaxhimi me pandeminë e koronavirusit t’i rrëshqasë nga dora? Çka prodhon sot reagimi pas aktit të kryer me Gjykatën Speciale pesë vjet më herët?

 

 Shkruan: Gani Bajrami

 

Është njerëzore dhe e sinqertë që njeriu ta pranojë dështimin. Por, kjo marrë në tërësi nuk ndodh te shqiptarët, pra as në Kosovë. Është shumë e habitshme se si ne dështimin e shohim vetëm te tjetri dhe assesi te vetja. Kur ndalemi dhe fillojmë e ja numërojmë tjetrit dështimet vjen njeriu në një situatë marramendëse. Madje pa fije turpi si dështim tjetrit ia përshkruajmë edhe atë që lidhet shumë me veprimin tonë, me punën apo mospunën. Mirëpo, dështues e shohim vetëm tjetrin.

Ky diskurs është i pranishëm edhe në organet tona më të larta, duke filluar nga Kuvendi i Kosovës. Qytetari i Kosovës e ka mall ta dëgjoi një fjalim të një deputeti a qeveritari pa drejtuar akuza ndaj tjetrit dhe një fjalim si thuhet me autokritikë, por domosdo dështimin duhet kërkuar te tjetri.

Qeveria Hoti, e zgjedhur më 3 qershor 2020, me veprimin e vet neglizhoi plotësisht situatën me pandeminë dhe tani pas rreth dy muajve, kur u pa se i rrëshqiti nga dora menaxhimi me pandeminë, riktheu masat që i pat aplikuar Qeveria Kurti.

Numri i të prekurve me koronavirus ditëve të fundit sillej rreth 200 persona në 24 orë (sot u raportua për 258), madje me tendencë që kjo shifër t’i afrohet 300-shit nga 19 sa ishin ditën e 3 qershorit. Edhe numri i të vdekurve ishte i madh, sa prej gjithsej 30 sa vdiqën në periudhën nga data 8 shkurt deri më 3 qershor 2020, pas datës së 3 qershorit kur mori mandatin Qeveria Hoti numri i të vdekurve nga koronavirusi shkoi në 196 veta (vetëm sot u raportua për 16 të vdekur brenda 24 orëve).

Cili do të jetë efekti i masave të vonshme të Qeverisë Hoti mbetet të shihet. Paraprakisht ekziston dyshimi i bazuar se Qeveria Hoti krejt çka ka bërë lidhur me menaxhimin e pandemisë ka rikthyer masat që i kishte Qeveria Kurti, të cilat Gjykata Kushtetuese i pat konsideruar si antikushtetuese.

Pra Qeveria Hoti nuk bëri asgjë për të miratuar ligjin që e pat kërkuar Gjykata Kushtetuese, por bëri shkelje të dyfishtë, ngase miratoi dhe aplikoi një vendim të këtillë që kohë më parë është shpallur antikushtetues. Ironia më e madhe është se akterë të kësaj qeverie kritikonin ish-qeverinë për vendime antikushtetuese dhe tash i votojnë dhe kërkojnë t’i zbatojnë të njëjtat vendime.

*

Një tjetër dukuri te ne është ajo e reagimit pas aktit të kryer. Dëshmi për këtë ka sa të duash ndër ne, por unë do të përmendi vetëm shqetësimi që na shkaktoi Gjykata speciale kur bëri të njohur lajmin se ekziston aktakuzë e ngritur ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, por edhe të tjerëve. Vetëm atëherë te ne ndodhi shqetësimi që duhej të ndodhte 5 vjet më parë, kur në Kuvendin e Kosovës bëhej presion për votimin e kësaj gjykate, me arsyetimin hipotetik se nëse Kosova nuk e voton këtë gjykatë, atëherë do ta voton e formon Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Edhe atëherë e edhe sot flitej se presionin ndaj deputetëve e bënin njerëzit që ishin të shantazhuar nga faktori ndërkombëtar. Arsyet e vërteta i dinë vetëm të shantazhuarit, të cilët ose kërcënoheshin se do të largoheshin nga pushteti, ose merrnin premtime se ata do të amnistohen.

Bindja ime edhe atëherë e edhe sot ishte se nuk duhej votuar nga deputetët tanë ajo gjykatë, në esencë antishqiptare pasi do të gjykonte vetëm krimet e shqiptarëve në një luftë që ishte mbrojtëse dhe çlirimtare për shqiptarët. Vogëlsia ime si gazetar e publicist edhe atëherë ka sinjalizuar për dëmin e kësaj gjykate. Populli nuk e ka të pa bazë thënien: “Nëse të lidh dikush del dikush që të zgjidh, ndërsa nëse lidhesh vetë, atëherë kush pret të të zgjidh”. Unë do të shtoja se vetëm njerëzit që janë pa vizion dhe që u mungon guximi për t’i thënë gjerat ashtu siç janë, ose në të kundërtën janë të shantazhuar, krijojnë situata të vetëlidhjes.

Mirëpo, tash pesë vjet më vonë më duket shumë anakronik angazhimi në të kundërtën i disa akterëve të atëhershëm e të sotëm politik.

Cili është efekti i zhurmës pas aktit të kryer?!,- përfundon shkrimin e tij në fb Gani Bajrami.

Autori i këtij teksti, Gani Bajrami ka qenë gazetar dhe redaktor shumë vjeçar në gazetat “Rilindja”, gjegjësisht “Bujku”, “Kosova sot” dhe në portalin KosovaLive