PRAPË TË ZËSHËM ATA QË URREJNË VOTËN E SOVRANIT

Ata që u bënë bashkë për ta dhunuar votën e sovranit dhe me komplot puçist e rrëzuan Qeverinë Kurti, në mars të vitit të kaluar, serish bashkë po tentojnë ta dhunojnë edhe një herë votën e sovranit, duke e kundërshtuar votimin e Vjosa Osmanit për presidente.
Nga Gani BAJRAMI, Prishtinë
Republika e Kosovës vjet e përmbylli vitin më sfidues që nga çlirimi, duke e filluar dhe përfunduar me qeveri në detyrë. Siç dihet, vitin 2020 Kosova e pat filluar me një qeveri në detyrë, e cila u pasua nga një qeveri që mbeti në detyrë pa i bërë dy muaj nga formimi i saj, ndërsa e përfundoi me një qeveri të tretë po ashtu në detyrë që nuk ishte rezultat i votës së qytetarëve, por i kalkulimit i politikës dhe parapolitikës. Tani gati po përfundon edhe tremujori i parë i vitit 2021 me qeveri në detyrë, sado që në fillim të javës pritet të konstituohet Parlamenti i Kosovës në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit dhe të zgjidhet qeveria. Por Kosovën e pret edhe zgjedhja e presidentit, për çka aktualisht është duke u bërë zhurmë e madhe. Përmendet edhe mundësia që vendi serish të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme nëse dështon zgjedhja e një presidenti të pranueshëm edhe për partitë që janë mësuar që mos të dakordohen për asgjë, nëse atij dakordimi nuk i paraprin ndonjë pazar politik.
Zhurma rreth zgjedhjes së presidentit ka krijuar një bosht aleance që i prijnë ata që duan ta dhunojnë votën e sovranit. Në tentim për ta dhunuar edhe një herë votën e sovranit, duke e kundërshtuar votimin e Vjosa Osmanit për presidente, serish janë bërë bashkë ata që me komplot puçist e rrëzuan Qeverinë Kurti më 25 mars të vitit të kaluar. Duhet të jesh jo vetëm naiv, por edhe kokëkrisur e të mos hetosh se fjala është për të njëjtat forca që vjet, me komplot antidemokratik, e rrëzuar Qeverinë e Albin Kurtit, ende pa i bërë plot dy muaj, ndërsa e grabitën pushtetin duke e lënë në opozitë partinë fituese të zgjedhjeve – Lëvizjen Vetëvendosje.
Nuk është e tepërt të përmendet se atij komploti i pat pri vetë Hashim Thaçi, atëherë president i Kosovës dhe lider shpirtëror i PDK-së, i ndihmuar nga Isa Mustafa, atëherë kryetar i LDK-së, si dhe nga liderët e tjerë partiakë, si Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e Kadri Veseli. Siç dihet në atë komplot e patën implikuar edhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe administratën amerikane kryesisht nëpërmjet emisarit të posaçëm të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, por edhe nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Kosovë. Gjykuar sipas deklarimeve të deritashme tentativës për komplot të ri nuk po i prijnë fizikisht më as Hashim Thaçi e as Isa Mustafa, por pasardhësit e tyre në PDK dhe LDK. Dëgjoni me vëmendje deklaratat e pasardhësve të tyre në PDK dhe LDK dhe do të bindeni se ndryshon vetëm toni i zërit.
Nuk duhet ndonjë matematikë e lartë për të kuptuar se opozita aktuale nuk mund ta imponojë asnjë kandidatë të vetin për president edhe nëse duan inate, mirëpo nuk është këtu fjala vetëm për inate, sa për shantazhe e kushtëzime për ta pasur një institucion që quhet president pa legjitimitet, qoftë edhe me kushtin për të shkuar serish në zgjedhje, sipas devizës se opozita nuk ka çka humbet më shumë.
KUNDËRSHTARËT E VJOSËS NUK DUAN PUSHTET ME LEGJITIMITET POPULLOR
Konsideroj se kundërshtarët e Vjosa Osmanit nuk e kanë shumë mllefin si punë inati me Vjosën. Ata mllefin e kanë me sovranin, sepse i takojnë asaj kaste që e urren votën e sovranit dhe pushtetin e do pa votë. Prandaj, krahas sovranit kjo kastë e urren edhe Vjosën, sepse kudo ku u gjet emri i saj, edhe në krye të listës edhe gati në fund, doli femra më e votuar në Kosovë. Përfaqësuesit e kësaj kaste nuk e kanë këtë forcë, madje as guximin qytetar për ta sprovuar veten para sovranit, siç veproi Vjosa. Shtrohet pyetja: Cili do të ishte ai kandidat që do të kishte legjitimitet më të madh popullor se Vjosa Osmani?!
Kundërshtarët e Vjosës tash përmendin president jo partiak, thua se nuk i patëm asnjëherë presidentët partiak. Ata harrojnë se pak më shumë se para një viti çirreshin se presidenti i takon partisë së tyre, e kështu me radhë. Sa tragjikomik dalin, sidomos liderët e dy partive që i përmenda më lart, PDK dhe LDK, ose disa që i thonë veti intelektual, kur angazhohen për president jopartiak dhe shtojnë se ky funksion, ose kjo pozitë, i takon, kësaj ose asaj partie, kuptohet partisë së tyre, ose asaj që ata e kanë për qejfi. Po aq absurde dalin edhe kërkesat ose kushtëzimet e PDK-së dhe të LDK-së, që në esencë nuk kanë të bëjnë me çështjet programore, siç janë shtetndërtimi, sovraniteti dhe integriteti i vendit, zhvillimi ekonomik, arsimor e kulturor i vendit, por me çështjen çka do të fitojnë ato si parti si kundër shpërblim për kuorumin ose për votën për presidentin. Pra edhe më tej synojnë se mund të bëjnë pazare politike.
Është edhe një fakt që nuk duhet nënçmuar kur përmenden kundërshtarët e Vjosa Osmanit. Ata nuk e parapëlqejnë Vjosën se janë të kundërt në karakter. Ishte Vjosa ajo që dëshmoi se ka qëndrim dhe vendosmëri t’i mbetet besnike elektoratit në zgjedhjet e parafundit, sepse nuk deshi ta tjetërsojë vullnetin e votuesit. Ndërkaq, kundërshtarët e saj i përkasin grupimit politik që janë shumë të interesuar që në Kosovë asnjëherë të mos ketë pushtet me legjitimitet dhe burrështetas me kredibilitet, e më së paku edhe me legjitimitet popullor. Ata nuk duan shtet me institucione kredibile dhe udhëheqës me dinjitet, sepse janë të sigurt se nuk mund t’i përdhosin e as t’i shantazhojnë si deri më tash. Kjo kastë matrapazësh politikë synon vazhdimisht t’i mbajë peng institucionet shtetërore dhe ekonominë e vendit, prandaj edhe është shumë e zëshme kur sheh se po e humbet terrenin.
Duhet të jesh jo vetëm naiv, por edhe kokëkrisur e të mos e kuptosh, se qëllimi parësor i kundërshtarëve të Vjosa Osmanit, është që në start t’ua humbin deputetëve të partive të tyre kredibilitetin te sovrani, duke i shndërruar në makinë votuese për ose kundër dhe jo për ndonjë kauzë që lidhet me interesin e shtetit apo të qytetarëve, por që lidhet shkurt me interesat e ngushta partiake, apo personale të bosëve partiakë dhe oligarkëve të vendit.
SHANTAZHI NUK I LEJOHET ASKUJT, PRA AS OPOZITËS
Është me rëndësi për Kosovën dhe të gjithë qytetarët që të bëhet konstituimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja duke përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit dhe të evitohet shkuarja eventuale në zgjedhje të reja. Nuk është kontestues fakti se përgjegjësia kryesore bie mbi subjektin fitues, por edhe opozita ka përgjegjësi të madhe që të kontribuoj në stabilitet institucional, pasi opozita ashtu si pozita janë komponentë njësoj të rëndësishëm për sistemin demokratik.
Skena politike e Kosovës deri më tash nuk ka qenë imune ndaj përdorimit të shantazhit dhe kushtëzimit në politikë për të përfituar sa më shumë secili për interesat e veta, apo të klanit të vet. Dihet mirëfilli se shantazhi dhe kushtëzimi, si metoda të punës, manifestohen në shtetet ku ka lëshuar rrënjë mafia politike, pasi ato konsiderohen si metoda të mbijetesës së asaj mafie.
Nuk do koment fakti se kundërshtarët e Vjosa Osmanit, por edhe të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Albin Kurtit, i ka shqetësuar shumë verdikti dhe legjitimiteti popullor i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, apo si po quhet referendumi, i cili ndëshkoi metë drejtë politikën e vjetër dështake, koalicionin e humbësve në zgjedhjet e parafundit, si dhe politikën e deritashme tejet të dobët të shtetndërtimit, madje edhe antikombëtare në disa segmente të saj. Ata e panë se nuk mund të luajnë më me kartën e antiamerikanizmit, siç luajtën një vit më herët dhe tani i ka kapur edhe frika se me zgjedhjen e Vjosa Osmanit mund të krijohet një standard që presidenti të zgjidhet me votën e popullit dhe atëherë partitë që janë mësuar t’i mbajnë dizgjinët në dorë definitivisht do të mbeten duarthatë dhe nuk do të mund të bëjnë më pazare politike si deri më tash.
Nuk është e tepërt të thuhet se këto parti dhe këta individë që i kundërvihen sovranit, e vërtetojnë se atyre nuk intereson ta ndërtojnë e forcojnë shtetin, por çifligjet e tyre fisnore e klanore, madje edhe duke u bërë pjesë e krimit, e hajnisë dhe e tradhtisë. Është e kuptueshme se të këtillët rezistojnë që të konstituohen organet shtetërore, madje punojnë në drejtimin që ato organe të mos jenë funksionale dhe të besueshme të populli, sepse edhe i frikësohen përballjes me drejtësinë. Habit fakti se si disa që i thonë veti intelektualë, madje edhe analistë, inkurajojnë opozitën parlamentare për kushtëzime e shantazh, duke i sugjeruar jo vetëm mosvotimin e Vjosa Osmanit për presidente, por edhe ta bojkotojë procesin e konstituimit të Parlamentit. S’do mend se gazetarët dhe analistët e këtillë kanë pranuar ortakërinë në krim, hajni, korrupsion e tradhti kombëtare.
Por a mund të vazhdojnë edhe më tej të mbijetojnë ato parti politike që dirigjohen e kontrollohen nga lidershipi i tyre dhe i oligarkët e ndryshëm në kundërshtim me vullnetin e popullit, respektivisht elektoratit, kjo mbetet të shihet. Sinjalet që dha elektorati në zgjedhjet e parafundit, më 6 tetor 2019 dhe në këto të fundit, më 14 shkurt 2021, tregojnë se ata që e katandisën në këtë gjendje Kosovën me hajni, korrupsion e krim të organizuar, duhet t’i mbajnë duart sa më larg pushtetit.