Përvojat e organizimit jo partiak të diasporës shqiptare në Zvicër

Në mungesë të mbështetjes shtetërore e institucionale qoftë nga vendi/et amë, qoftë nga ato rezidente, mërgata shqiptare ka qenë e detyruar që të vetorganizohet dhe të krijon përvojat e saja me gjithë baticat e zbaticat objektive e subjektive. Sidoqoftë kontributi i saj i shumanshëm tradicional – megjithëse vazhdon të injorohet duke mos u njohur e pranuar zyrtarisht nga institucionet shtetërore as sot e kësaj dite – ka qenë përcaktues në të gjitha fushat jetësore dhe në të gjitha etapat zhvillimore të shoqërisë.

Edhe sa i përket raporteve diasporë-vend amë, idetë e aksionet e avancuara punëtorëve mërgimtarë, si organizimi bashkiak, krijimi i shoqatave, organizatave e institucioneve kulturore, arsimore, profesionale, ndërmarrjeve ekonomike e industriale, e deri edhe idetë bankare në diasporë, mjerisht as sot e kësaj dite nuk kanë gjete koordinim e zbatim gjithëpërfshirës të organizuar shoqërisht.

Organizimi në të ardhme duhet të mbështetet në përvojat e deritashme të diasporës sonë, me të gjitha të mirat dhe të këqijat e saj. Në vijim do të shtjellojë perceptimet dhe përshtypjet e mija subjektive në lidhje më këto përvoja, të cilat si të tilla edhe mund ti shërbejnë synimeve të tanishme:

Veprimtari e veçantë e diasporës shqiptare në Zvicër 1990 -2010

Që nga fundi i viteve të 70-ta – veçanërisht pas demonstratave popullore për liri, barazi e pavarësi të shqiptarëve nën ish-jugosllavi të vitit 1981 – e deri në fillim të viteve të 90-ta shqiptarët aktiv në Zvicër politikisht dhe atdhetarisht vepronin në kudër të lëvizjes (së rezistencës) për barazi dhe pavarësi të shqiptarëve nën Jugosllavi. Këto aktivitete mbështeteshin edhe nga “seksionet” e para shqiptare të ndara nga klubet e qytetarëve të ish-RSFJ. Më pas u krijuan edhe klubet e para ‘të punëtorëve shqiptarë me qëndrim të përkohshëm në botën e jashtme’. Këto klube përgjithësisht mbështetnin aktivitetet e lëvizjes atdhetare politike të shqiptarëve në çdo aspekt. Ato ishin iniciuar dhe drejtoheshin nga patriot e njerëz përparimtarë nga të gjitha viset shqiptare nën Jugosllavi. Kjo periudhë e historisë së diasporës tonë jo vetëm në Zvicër meriton një trajtim, studim dhe hulumtim më të gjerë dhe të gjithanshme objektive, pa tendenca mohuese, përjashtuese dhe minimizuese.

Pas “pluralizmit politik në Evropën Lindore” u krijuan edhe degët me gjithë nëndegë dhe selitë e partive relevante tanimë të formuara në Atdhe (kryesisht Kosove e viset tjera shqiptare ende nën Jugosllavi). Kjo paraqiste edhe në lloj konkurrence në mes forcave dhe pikëpamjeve të ndryshme të veprimit politik jashtë vendeve të prejardhjes. Rëndësia e klubeve erdhi duke u zbehë dhe edhe ata punëtorë atdhetarë që kishin punuar bashkërisht deri më tani jo vetëm se aderuan në degë e nëndegë të partive të ndryshme, por çka është më e keqja jo rrallë u përçanë deri në armiqësi të ndërsjellët, edhe pse rivalitet e luftë për dominim duke u shërbyer me intriga të llojllojshme që shkonin deri në armiqësi kishte edhe më herët në kuadër të Lëvizjes për Pavarësi të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi. Përpjekjet e para që këto seli e degë të subjekteve të reja të bashkë-ekzistojnë dhe bashkëveprojnë nën një kulm datojnë qysh atëherë, pra në fillim të viteve të 90-ta. Në Kantonin Schaffhausen dhe vendbanimet kufizuese të kantoneve Cyrih e Thuargau u krijua Bashkësia Shqiptare e Schaffhausen-it (BSHSH) me rrethinë, e cila përbëhej nga përfaqësues të subjekteve politike të deritashme dhe të reja (LPK, LDK, PPD, PDKK, Klubi shqiptar “Rilindja” i Schaffhausen-it dhe ai “Ilirida” në Diesenhofen/TG,…) dhe paraqiste një lloj çatie të të gjitha subjekteve dhe rrymimeve politike shqiptare në regjionin e Schaffhausen-it dhe pjesërisht edhe të regjionit fqinjë të Thurgau dhe atij të Cyrihut. Aktiviteti fillimisht koordinohej dhe funksiononte në mënyrë shembullore. U krijua edhe një lobi politik në Schaffhausen dhe reagohej e merreshin qëndrime publike. Për Kosovën flitej dhe shkruhej edhe në shtypin e regjionit si pjesë dhe krahinë e Shqipërisë. Në këtë kohë po nga ky subjekt u iniciua edhe aksioni i solidaritetit “një Frang në ditë” për jetësimin e pavarësisë dhe shtetësisë së shqiptarëve nën Jugosllavi. Ky model pas një bisede me ish deputetët e ish Kuvendit të Kosovës (që pasi shpallën pavarësinë në Kaçanik ikën jashtë) më pas me kohë u zhvillua në fondin të 3%-shit. Fatkeqësisht ky fond si përjashtues e jo si (gjithë)përfshirës i shërbente vetëm LDK-së e jo të gjitha subjekteve shqiptare si në vendet e origjinës ashtu edhe këtu në Zvicër dhe në përgjithësi në Diasporë.

Është me rëndësi të theksohet se përbërja e BSHSH me rrethinë ishte e ndërthurur – nëse mund të themi – si horizontalisht ashtu edhe vertikalisht, d.m.th. në bazë të prejardhjes nga regjionet e ndryshme të viseve shqiptare nën Jugosllavi ashtu edhe në bazë të vendbanimeve në të cilat jetonin në regjionin Schaffhausen me rrethinë.

BSHSH ishte e ndërlidhur shumë mirë si në kontekstin lokal ashtu edhe atë regjional. Bashkëpunonte ngushtë me institucionet vendore dhe ato të ashtuquajtura “multikulturore” dhe përpos se vepronte aktivisht bashkë me to, kishte edhe përfaqësim të denjë në këto struktura. Megjithatë duhet theksuar se aktiviteti kryesor, merret vesh për shkak të rrethanave në Atdhe fokusohej herë në informimin mbi situatën dhe problematikën në vendet e prejardhjes e herë në mbështetjen solidare, morale dhe materiale. E veçantë në veprimin e BSHSH me rrethinë ishte edhe angazhimi i institucionalizuar për këshillimin e bashkëkombësve dhe shoqërimin e tyre në përditshmëri. Këto aktiviteteve përpos atij shkollor (mësimdhënia) që fillimisht shpërblehej njësoj si për mësuesit vendës nga Enti Shkollor i Qytetit, zhvilloheshin vullnetarisht nga aktivistët e BSHSH me rrethinë. Pengesa kryesore për ruajtjen e vazhdimësisë të veprimit dhe zhvillimit të më tejmë institucional ishte mungesa e përfaqësive diplomatike (me strukturat përkatëse në rrafshin politik, ekonomik dhe socio-kulturor) nga vendet e origjinës. Ato ekzistuese jugosllave na luftonin sikur më parë, ndërsa ajo e Shqipërisë pas “pluralizmit” kishte “halle” tjera. Partitë dhe kishe-qeveria e Kosovës në mërgim ishin të interesuara më shumë të vjelin mërgatën, e sa për funksionalitet nuk qanin kokën. Edhe këtë strukturë, pra BSHSH me rrethinë, jo që e ndihmoi, porse e trajtoi si pengesë, për të mos thënë luftoj më shumë se sa strukturat dhe rrjetet shumë aktive të shtetit shtypës dhe pushtues jugosllav.

Përkeqësimi i situatës të përgjithshme në Kosovë dhe viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi (Serbi, Maqedoni, Mal të Zi) qoj në luftën çlirimtare. Diaspora natyrisht se gjithë mundësitë e potencialet e saja kontribuuese u orientua në mbështetje të mbijetesës dhe të luftës çlirimtare në atdhe…Si pasojë e luftës dhe zhvillimeve pasuese, lodhjes dhe zhgënjimeve të mundshme, mund të konsiderohet normale edhe ngecja e avancimit të mëtejmë të organizimit të diasporës sonë…

Përpjekjet me mandat dhe me mbështetje pjesërisht institucionale 2009 – …

Me qëllimi të identifikimit të nevojave dhe preokupimeve të diasporës shqiptare në Zvicër në raport me vendet e origjinës dhe vendin pritës, pak pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës me 17.02.2008 u iniciua një proces bashkëpunimi konkret në trekëndëshin: diasporë shqiptare e Zvicrës – Institucioneve shtetërore të Zvicrës (Drejtoria zvicerane për zhvillim-bashkëpunim / DEZA) – Ambasada e Republikës së Kosovës (me përpjekje kyçje të përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë).

Qysh në fillim u vendos që ky proces të përfshijë gjithë komunitetin shqiptar në Zvicër, pavarësisht nga prejardhja gjeografike, meqenëse komuniteti ynë perceptohet dhe identifikohet si shqiptar dhe përballet me sfida të njëjta, pa marrë parasysh kufijtë administrativë në Atdheun e tyre. Njëherazi u hoq dorë nga ideja fillestare për të ftuar si pjesëmarrës në proces aktorë të tjerë zviceranë. Komuniteti shqiptar pretendohej ti jepej mundësia e vetëvendosjes organizative.

Si pikënisje u morr gjendja aktuale e mërgatës shqiptare me sa vijon:
• Mungesa e rolit aktiv të diasporës shqiptare si partner qoftë në raport me Zvicrën ashtu edhe me vendet e prejardhjes
• Ndryshimi i situatës, (pavarësimi i Kosovës) mundëson riorientimin dhe përkushtimin, një rol dhe angazhim të ndryshëm në raport me atdheun dhe vendin pritës
• Kërkohet një artikulim më i mirë i përfaqësimit të interesave të të gjithë aktorëve të mundshëm (shtetërorë, shoqëri civile, privat, …)

Si në takimin e parë në dhjetor 2009 ashtu edhe në atë të dytin në shkurt 2010 në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë prezantonin mbi 30 personalitete dhe përfaqësues/e të mërgatës shqiptare në Zvicër.

Këto dy takime pune, të emërtuara edhe si punishte të ardhmërisë (metodë kjo pune në lëmin sociale), u realizuan me iniciativë dhe mandat të Drejtorisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Zvicrës dhe fillimisht u mbështet plotësisht edhe nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër.

Rezultatet e përmbledhura nga punishtja e parë
Më 5 dhjetor 2009 u zhvillua takimi i parë, në lokalet e ofruara nga Ambasada e Kosovës. Të 35 pjesëmarrësit ishin burra dhe gra, pjesëtarë të gjeneratës së parë, të dytë dhe të tretë, individë dhe përfaqësues të shoqatave dhe iniciativave të rëndësishme, pra gjithëpërfshirës shoqërorë.

Çështjet e trajtuara në grupe pune ishin:
– Problemet dhe sfidat aktuale dhe të ardhshme në pikë-vështrim të jetës në Zvicër si dhe në pikë-vështrim të raportit me Atdheun.
– Pengesat, preokupimet dhe nevojat e bashkësisë shqiptare (në raport me jetën në Zvicër si dhe në raport me Atdheun).
– Resurset dhe potencialet e bashkësisë shqiptare (në raport me bashkëjetesën në Zvicër dhe në raport me Atdheun).
Për arsye kohore nuk u realizua pjesa e dytë e planifikuar e takimit, gjegjësisht formulimi i ideve dhe iniciativave konkrete. Mirëpo pjesëmarrësit u pajtuan shumë shpejt për një takim pune të dytë të radhës, me ç ‘rast do të punohej më tej në çështjet e shtruara për zgjedhje.

Pasi takimi i parë kishte për qëllim vetëm evidentimin dhe emërtimin e problemeve, preokupimeve e nevojave ashtu edhe të dëshirave dhe aspiratave të mërgatës shqiptare si në raport me vendin nikoqir ashtu edhe me ato të origjinës, takimi i dytë synonte për të siguruar vazhdimësinë e Nismës dhe kishte vu si qëllim përcaktimin e formës së mëtejmë të punës, e cila në njërën anë do të mundëson përfaqësimin e interesave të diasporës dhe në anën tjetër do të bëjë të mundur identifikimin e masave dhe fushave të rëndësishme të aksionit, në të cilat Diaspora në një hap të mëtejmë me Projekte dhe Iniciativa do të mund të aktivizohet për të dhënë kontributin e saj si në drejtim të bashkëjetesës në vendin nikoqir ashtu edhe me zhvillimin dhe bashkëpunimin me vendet e origjinës.

Ky takim i dytë i radhës përpos nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Zhvillim dhe Bashkëpunim e Zvicrës (DEZA), u përshëndet edhe nga Komisioni Federal për Migracion (EKM).

Në takimin e dytë të punës unë vura theksin tek dy çështje urgjente që shtroheshin si detyra konkrete dhe praktike para pjesëmarrësve në takim dhe në përgjithësi para diasporës shqiptare (posaçërisht para qytetarëve të Republikës së Kosovës) në Zvicër:
– Projektligji i Republikës së Kosovës për Mërgatën
– Anulimi i njëanshëm nga ana e qeverisë zvicerane i marrëveshjes bilaterale për sigurimet shoqërore me Republikën e Kosovës
Kjo do të ishte edhe provë se sa kemi mundësi veprimi dhe mobilizimi për të vepruar dhe për tu faktorizuar, për të mënjanuar diskriminimin e hapur dhe ekskluziv që u bëhej shtetasve të Kosovës, përfitues të pensioneve të kthyer nga Zvicra. Për projektligjin në fjalë u arrit të organizohet një konsultë ku u dhanë mendimet dhe sugjerimet e pjesëmarrësve, të cilat mjerisht nuk arritën fare të merren parasysh gjatë aprovimit procedimit të projektligjit në fjalë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Rezultatet e përmbledhura nga punishtja e dytë
Punishtja e dytë u zhvillua në dy grupe punuese, të cilat kërkonin përgjigje e ide në dy pyetjet vijuese:1. “Si dhe në ç ‘formë organizative diaspora shqiptare mund të artikuloj preokupimet dhe realizojë interesat si karshi shtetit nikoqir ashtu edhe në raport me vendet e origjinës?!” dhe 2. “Çfarë mbështetje nevojitet për tu arritur kjo?!”

Si rezultat i përbashkët i tri grupeve të punës, përmbledhur doli me sa vijon:
1. Nisma duhet të kurorëzohet me themelimin e një strukture të organizuar (shoqate çati) të diasporës shqiptare, të pavarur politikisht dhe të hapur për të gjithë të interesuarit, me qëllim absorbimin e potencialeve njerëzore dhe profesionale të individëve, grupeve, shoqatave dhe organizatave të diasporës shqiptare në Zvicër. Forma Organizative ndërtohet në pajtueshmëri me normat dhe sistemit shoqëror të vendit nikoqir dhe në shembullin e organizimit të diasporës së Zvicrës.
2. Për këtë qëllim u përzgjodh një Këshill Iniciues (trup koordinues) i përbërë nga 9 anëtarë (plus dy drejtuesit dhe moderatorët e takimeve), i cili për të siguruar vazhdimësinë e punës dhe legjitimitetin, ngarkohet me përgatitjet e projektstatutit dhe programit si dhe për thirrjen e kuvendit themelues të Organizmit në fjalë. Këshilli për të siguruar transparencë përpilon komunikatën për shtypë ku shpjegohet mandati, procesi, dhe rezultati i punës së deritashme. Ky këshill (trup) njëkohësisht koordinon punët bashkë me institucionet pjesëmarrëse në takim (Ambasadës së Republikës së Kosovës, DEZA-s, EKM-s)
3. Ambasadori i Republikës së Kosovës, asokohe kishte marrë për detyrë të kujdeset për gjithë përfshirjen institucionale të vendeve të origjinës (kyçja në bashkëpunim edhe të Përfaqësisë Diplomatike të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe në një të ardhme më të volitshme edhe të Luginës/Serbisë)
4. Përfaqësuesit e institucioneve të shtetit zviceran (nga DEZA dhe EKM) do duhej të kujdeseshin për përfshirjen e institucioneve relevante zvicerane.

Mjerisht, edhe përkundër krijimit të mëpasshëm formal të “Kuvendit Shqiptar në Zvicër”, kjo nismë nuk u zhvillua sikur ishte planifikuar, edhe shkaku i mungesës së përkrahjes institucionale të institucioneve te vendit rezident dhe atyre të origjinës, andaj mjerisht u shpërfaq edhe si dështim zhgënjyes.

Sidoqoftë, edhe kjo përvojë si e tillë, besoj mund të shërbejë për të vazhduar përpjekjet e jetësimit të institucionalizimit të organizimit shoqëror dhe gjithëpërfshirës të diasporës shqiptare.

Osman Osmani, Bernë/Prishtinë/Tiranë, me 26.06.2018
(e plotësuar dhe aktualizuar me 04.08.2020)