Ornela Radovicka: Prof Mario Massaro, në 82 vjetor vjen me librin “Një herë pleqtë rrëfjejën”

 

Një prej eksponentëve të botës arbëreshe sot për sot  është edhe  Profesor Mario Massaro.Mjafton pak sekonda dhe ti ndihesh sikur e njeh prej dekadash. Ta lejon vet ai këtë spirale “afrimiteti”  në botën e tij akademike. Ndërsa komunikon transmeton butësi, por edhe atë autoritet që kanë njerëzit e kulturuar. Prof Mario ka një profil “fisnik”, ndërsa ajo dozë  “i heshtur” i një njeriu të punës ndihet tek sytë e tij të lagët, disi edhe të lodhur, por që e apostrofon me elegancën etij të posturës.

 Shkruan Ornela Radovicka

Ishte data 25  gusht 2022, kur u gjendëm të dy në Çivita, të ftuar në ceremoninë e dhënies së  çmimit“Cavalier i Skënderbeut”.  Pozicionohemi në vendet që na ishin caktuar dhe vura re që  nuk ishte i qetë, kuptova se kërkonte dikë. U ngrit dalëngadalë, dhe pas 10 minutash rikthehet por tashmë i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Qefiti\Chieutit  i cili mbante disa libra në dorë.

Professor Mario merr njërën prej tyre dhe ma dhuron.

  • Është libri i tij i fundit i sapo dalë këto ditë, “Një herë pleqtë rrëfjejën”

Ceremonia,  akoma nuk kishte filluar dhe kjo situatë më bëri të përfitoja e të flisnim mbi botën arbëreshe .

Profesor Mario, është dipllomuar në universitetin e Urbinos (Italia) në degën Pedagogji me temën:”Chieuti, Colonia albanese”. Në vitet në vazhdim me pasionin e tij  ka qenë i përfshirë në çështjet hisorike dhe kulturore arbëreshe të Capitanatës.

Pjesën më të mashe të kohës ia kushtoi punës së tij si mësues i letërsisë në shkollën e mesme shtetërore të Chieutit, dhe për rreth 30  vjet qe kryetar Komune i kësaj qytese.

Shpirti i tij arbëresh e shtyu që të ishte themelues i shoqatës arbëreshe: “Gjaku i shprishur” si edhe organizator i Grupit folkloristik me të njëjtën emër.Gjatë muajit gusht organizon  “Koncertin e verës” me grupin e Shoqatës “Gjaku i shprishur”, jo vetëm në Kieuti por edhe në katundet tjerë arbëreshë.

Ndihet shumë krenar për qytezën e tij Qeftit\Kieuti.

  • Mendoj se ne e kemi ruajtur gjuhën më mirë se sa popullsia arbëreshe në zonat e Kalabrisë- thotë ai- dhe jo vetëm gjuhën, por edhe kulturë. Ne jemi pasardhës të ushtarëve të Skënderbeut. Ata themeluan  Kieutin më 1470. Arkitektura autentike  ndihet  sapo futesh në qytezën tonë, ajo është tipike e shqiptarëve të Matit, arkitekturë stil këshjelle, dhe për këtë janë bërë studime.

Dashuria për rrënjët i bënë ata të mbajnë  lidhjet edhe me komunën e Krosit\ Shqipëri.  Mendohet që popullsia arbëreshe e Chieutit  të ketë ardhur pikërisht nga kjo zonë.

  • E kemi ruajtur identitetin tonë. Nuk përziheshim as me poullsinë latine. Deri vonë në Qefti\Chieuti, egzistonte shprehja;

Driq e lëti

Mos i ngarno në shtëpi.

Për ne arbëreshët e Qeftit\Chieutit ishte e pa moralshme nëse dikush do të futej në shtëpi e mos ti ofroje diçka për të pirë. Bujaria ishte pjesë e karakterit por edhe një xhest i shenjtë për shpirtin tonë arbëresh.

 Aktiviteti i Prof Marios është  e një punë të pa lodhur, në luftën kundër homologimit, asimilimit,  si edhe për ruajtjen e identitetit. Duke qenë profesor i letërsisë Ai  ka publikuar një sërë tekstesh për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës arbërore. Midis tyre përmendim: Dizionario comparata delle parlate arbëreshe di Casalvechio e Chieuti(2010); Chieuti e la sua parlata Arbëreshe. Qefti dhe e folmja e tij(2011);Gli Albanesi di Casalvecchio(2015); Abetari,Abbeccedario (2019)  etj.Prof Mario nuk kursehet aspak, dhe çdo  vit  mban një kurs gjuhe në të folmen e Qeftit  për të ruajtur gjuhën amëtare në Kieuti\Chieuti.

Folëm edhe për një nga veprat e cila e kishte  emocionuar shumë; “Canti popolari della Capitanata e del Molise”, autor Prof Michele Marchianò nga  Maqi, profesor i leteraturës greke dhe latine, kushuriri i De Radës, ku mbi të gjitha theksoi:

  • Prof Marchiano i mirëpritur me bujari nga fisnikët e familjes Maurea; Giovanni, Nicola, Liborio, Giorgio, e Pietro Mauro, ky i fundit  entuziat për gjithshaka që ishte në shqip (përfshirë edhe figurën fisnike  të Maria Maurea Del Re bashkshorte e Giovanit , humbur jetë vetëm 39 vjeç në 1898) , i cili me një theks pellazgjik thotë- Jam edhe unë shqiptar- dhe  me këtë rast, i dhuron dorëshkrimin martesor të njërës prej grave të familjes Maurea titulluar “ Dallëndyshja”. Gjatë atij takimi, prof Michele Marchianò tek libri “Canti popolari della Capitanata e del Molise ishte  shprehur:

“Nëse do them që më priten me gëzim e gosti feste them pak, ata më mbështollën me sentiment dashurie dhe entuziazëm shpirtëror!”

Atë dorëshkrim aq i çmuar iu është atribuar shumë poteve si  poetit Eugenio Peta (jetuar rreth shek XVIII e XIX), disa të tjetër ia atribuan Nicola Filja  nga Mezzojuso, arkiprift i ritit gerk në Chieuti nga 1721 -1727, ndonjë tjetër ia ka atribuar Papas Andra Fila( 1731-1781, prift në atë kohë në kishën San Giorgio Martire.

Poezia “La Rondinella” \Dallëndyshja u përkthye me një vështim të thellë morfologjik prej Marchianos,  publikuar në 1906.

Me shumë interes është edhe  dokumenti i kënges “Moj e bukura More”që u gjet gjend për herë të parë në dorëshkrimin e Kieutit, botim i vitit 1708. Më pas këtë material do ta ribotonte në librin e tij filologu arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), në vitin 1866. Është interesante se teksti i publikuar i kësaj kënge është i shkruajtur në shqip, por me alfabet grek.

Prof Mario, është edhe një aktivist për të drejtat e minorancës në Itali. Në 2012 ai i drejtohej personave kompetent të asaj kohe me këto fjalë:

  • “Më në fund, Rajoni i Pulias i ka dhënë vetes një ligj për të mbrojtur dhe rritur pakicat gjuhësore historike që janë vendosur prej kohësh në territorin e tij! Tani duhet të përveshim mëngët dhe të punojmë për të kompensuar kohën e zgjatur dhe për të mbledhur atë që ka mbetur ende nga kultura dhe gjuha e griçëve, arbëreshëve dhe franko-provansalëve, fjalët tona janë dhënë vetëm gojarisht nga të parët tanë. Është koha që të gjithë të mësojnë gjuhën e tyre amtare edhe me lexim dhe shkrim, në mënyrë që të mund t’ua lënë pasardhësve identitetin e tyre kulturor. Edhe të rinjtë duhet të bëjnë përpjekje për të rifituar trashëgiminë e tyre të pasur gjuhësore dhe kulturore dhe ta përcjellin atë tek brezat e rinj, duke biseduar me fëmijët dhe nipërit e tyre në familje kur ata janë ende shumë të vegjël. Është një kohë e angazhimeve të mëdha për të planifikuar aktivitete që synojnë rimëkëmbjen e kësaj pasurie të çmuar për njerëzimin, që është gjuha e pakicave historike. Rajoni ka bërë hapin e madh dhe ne duhet të jemi gati të aplikojmë për financimin e vënë në dispozicion për të kryer kërkime, studime dhe shpërndarje të materialeve të mbledhura. Punë të mbarë!

Prof Mario ka marrë pjesë me grupin folklorik “Valle arbëreshe” në Kalabri,  ka organizuar festat e Vëllazërisë në Chieuti dhe ka ndihmuar në marrëdhëniet kulturore jo vetëm midis fshatrave arbrëreshe, por edhe me Ansamble të Këngëve dhe Valleve nga Tirana.

Ai ka qenë pjesëmarrës në Seminarin ndërkombëtar për Gjuhën, Lëtërsinë dhe Kulturën shqiptare në Universitetin e Prishtinës (Kosovë) për shumë vite. Në këtë seminar ka mbajtur disa ligjerata për historinë, gjuhësinë, etnologjinë, folklorin si dhe kulturën e arbëreshëve.

Profesor Mario, është  recensues i disa librave, prej të cilave përmendim: “Arbëreshët e Portkanunit”  autor Michele Flocco, “Fjalor arbëresh i Mulizit” bashkautor Pignoli Maria Luisa e Tartaglione Guido, “ Fjalor i Shën Marxanit” i prof. Gallo etj.

Dashuria për gjuhën arbërore , e shtrin aktivitetitn e tij si përgjegjës i Sportelit gjuhësor të Bashkisë së Kazallveqit dhe të Kieutit për disa vjet por edhe bashkëpunëtor në Sportelin gjuhësor Provincial të Foxhës. Ai është autor i një manual “Udhëzues turistik” për fshatrat në të cilat ruhet gjuha arbëreshe në Kapitanatë

Me rastin e 82 përvjetorit të ditëlindjes së tij, në 10 Shtator 2022 ai publikoi veprën e tij:

“Një herë pleqtë rrëfjejën”. Libri është një antologji e letërsisë orale arbëreshe ku është mbledhur një punë shumë vjeçare që  prej viteve 1963 dhe deri sot.

Në këtë libër ka meritë edhe bashkshortja e Prof Marios, zonja  Florio Costantina Vittoria, e cila ka dhënë një kontribut konkret e të vlefshme.

Për grumbullimin e materiali janë intervistuar me rrëfimet e tyre gojore  persona nga mosha 40 vjeç deri në 93 vjeç. Në këtë  format mbizotrojnë, përrallat, fabulat, nina nana, këngë që këndoheshin pranë zjarrit në netët e ftohta të dimrit, këngë dasme, vjersha, rrëfime, besime etje

Libri është ndarë në fraksione. Pjesa e parë; fabula dhe përralla

Si në të gjitha fabulat, edhe në ato arbëreshe zbulohen zakonet dhe difektet, të cilat simbolizohen prej kafshëve. Larmia e tyre si; Palloi, Dragoi, Laraska, kecat, peshqit, por edhe tituj deduksioni si; “Të bardha si karta e të kuqe si shega”, “Një kopë di kopa” etj

Interesante janë karakteret e kafshëve si ajo e dhelprës apo  ajo e ujkut, të cilat nuk na dalin me karakteret e tyre klasik. Në këto rrëfime  figura e dhelprës,  nuk është triumfuese me dredhitë e saj,  por janë gjithmonë  më të “dobtit” ata  që i çjerrin maskën.

Figura e Ujkut del më shoqërore, jo i egër, i cili qëndron në një territor  me  rosat, ndoshta “ujku” në miniaturë  simbolizon Arbëreshin, i cili qëndron sa në grup, por aq edhe i vetmuar.

Kafsha më dredharake për ekselencë  është macja. Kjo kafshë e egër e cila asnjëherë nuk u zbut plotësisht nga njeriu, por ngeli në të njejtën kohë e këndshme aq sa pëlqehet nga njeriu. Figura e saj ka përpjestime europiane.

Fabulat janë edhe një ushqim për shpirtin, në të manifestohet, shpirti i njeriut me momentet e tij, xhelozia, zakonet, cmirra dhe si të tilla  të bëjnë të reflektosh mbi veprimet e të tjerëve që të bëhen mësime për vete.

Interesante janë figura e Brigantit, bota e magjistarve, fatat, zanat por që  nuk mungojnë por një vend të veçantë zë edhe figura besimi si  Shën Mërisë, apo shenjtorëve.

Në pjesën e dytë janë Tregimet. Rrëfimet kanë karakter edukativ të drejpërdrejtë.  Këto tregime rrëfeheshin pranë vatrës dhe “vrazheri”. Pjesa më e madhe e traskriptimit të tyre është bërë nga bashkshortja e Marios, zonja Florio Caostantina.Tematika e tyre është e gjerë: Kur vijn korrëzit te Hora, Ajdhuri i Urtëlanit, Di zëmra e një kalive, Shpia me droqe, Kriqja, Si bëhëshën të mbjelat, Të skalisurit, Dhia, Curri e kaciqet,Ujët e kroit, Lal Xhini. Edhe pse me nota shumë të forta tregimi “Hora ku ngë biejën këmborët”, del qart triumfi i së mirës ndaj së keqes.

  • Për ne arbëreshët rrëfimet, ishin shkolla e jetës- thotë Mario- ishin pikërisht fjalët e thjeshta që depërtonin në zemër, interiorizoheshin dhe bëhej formim ynë. Kjo ishte meritë e një brezi që edhe pse analfabetë dinin të trasmetonin vlerat humane, e jo vetëm por edhe ato vlera identiteti. Rrëfimet arbëreshe janë varur në buzët e gjyshërve  ku fjalët ishin libra, por edhe memoria dhe tipografia e një bibloteke e tërë  e një popull  staordinario atij të popullit arbëresh.

Pjesa e tretë përfshin Ninne e nanne, magjia, besime. Në ninullat e nënave arbëreshe  për foshnjet e tyre, janë  vargje të thjesht, spontane të mbushura me bukuri e dashuri, i vetmi dëshirë është që të martohen me ndonjë arbëresh, por mbi të gjitha të bëhen të mënçur e të ditur.

Me pëndë e kalamar

E mëma do t’e bënj nutar

Me një fusetë me grurë

E mëma do t’e bënj prufësur

Një vend të  veçantë zënë edhe epigramet funebre. Të shkruar jo vetëm në arbërisht, por edhe me një përmbajte të fortë ruajtje identiteti

Ti, zonja ime, thome çë ke

çë semba më qa e maju ke hare

Zoti jotë forsu ng’ e di,

Mos ka besë ke jam një lëti\latin

U jam një arbëresh çë flet gja ti

Pjesa e katërt. Këngët e dashurisë zënë një vend të rëndësishëm.  Respekti për të dashurën një vajzë e bukur, e sjellshme dhe punëtore. Këto këngë janë më tepër serenata që sjellin të dashurin në mbrëmje kur gjithshaka është e heshtur, e mos të binin në sy nga gjitonia.

Më zuri kukëza\lemza

Kush më kujton?

Jam largu e ngë mund vinj

Jam me parmendën çë punonj

Thuoji namuratës\ dashurës, kë prëm vinj

Nuk mungojnë dhe deluzionet e dashurisë, dhe për këtë ai kërkon të hakmerret.

Këngët e martesës, janë të ngjashme me ato të  ngulimeve të tjera arrbërshe. Përmendim disa: Ngrihu kopile,  Jeta e arbëreshit rrejedh e rrethuar edhe me festat  si krishtlindjet, karnavalet si edhe ajo fetare. Elementet e së cilës janë pjesë edhe në këngët dhe ritet e arbëreshëve të Chieutit.

 Pjesa e pestë e librit. Në këto faqe përfshihen poesi të tashme dhe të më të hershme.

Kanë një larmi tematikash, një vend zenë edhe këngët e vajtimit, por edhe poezi që i këndojnë gjuhës së tyre mëmë.

Gjuhë e mëmës sime

Mëma ishte gjella e dashuria

Mëma ishte speranxa e bukuria

Mbanj ndër mend  gjithë atë çë më tha

Çë fëmijvet ka t’ja mbësonjë

Pse gjuhën e mëmës

Kurrë ka t’e harronjë

Libri është shkruar në dy gjuhë. Italiane dhe e folmja e Qefit\Chieutit, prandaj, ky libër  krahas vlerave të tjera ka edhe  vlera studimi gjuhësor.

Bujaria e Profesor Marios është tipike shqiptare, kjo falë edhe bashkshortes së tij  e cila shquhet si mikpritëse e shumë shqiptarëve nga trojet etnike, por edhe vetë nga vet arbëreshët. Këtë fakt na i përforcon edhe At Antonio Bellusci, i cili ka qenë mysafirë në shtëpinë e tij. Dashurinë për gjuhën ai e ka trasmetuar edhe në familje. Flet me krenari për vaizën e tij Antonella  e cila komunikon shumë mirë në shqip dhe e apasionuar për kulturën dhe rrënjët e çon përpara misionin si arbëreshë.

I urojmë Prof Mario Massari jetë të gjatë dhe e falenderojmë nga zemrat tona  për këtë perlë në 82 pranverat e tij e jo vetëm po  për gjithë kontributin e madh mbi botën arbëreshe.

Me nderime, Ornela Rdovicka

( Pos fotos mbi librin më të ri, fotot tjera janë shkrep gjatë vizitës sime në Qefti\Chieuti si dhe në shtëpinë e Profesor Masaros, R. Rifati)