Figura e Mikel Kuzhninit do të kujtohet për kontributin e madh kombëtar e humanitar

466

U tha në akademinë përkujtimore, kushtuar Mikelit i cili bashkë me të vëllain Simonin,  ishin të parët që shpalosën flamurin kombëtar pranë kompleksit historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa dy-tri dekada më vonë të themelojnë edhe LSHB-në që tuboi shqiptarët nga anë të ndryshme të botës.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Qyteti i Langenthalit në Zvicër sot , më 9 Shkurt 2020, ishte dëshmitar i një tubimi përkujtimor madhështor kushtuar figurës atdhetare të Mikel Kuzhninit, në 6 mujorin e kalimit në amshim, organizuar nga Lidhja e Shqiptarëve në Botë, që drejtohet nga magjistër, Nazmi Jakurti.

Mikel Kuzhnini, bashkë me të vëllain binjak, Simonin ngritën flamurin kombëtar në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit qysh në vitin 1968. Vëllezërit Mikel e Simon Kuzhnini shquhen edhe si themelues të Lidhjes Shqiptare në Botë, përmes së cilët krijuan një lidhje të fortë midis shqiptarëve në anët e ndryshme të globit, duke sensibilizua çështjen shqiptare përmasa ndërkombëtare.

Në këtë tubim, Nazmi Jakurti, Kryetari i LSHB, pasi përshëndeti praninë e disa personaliteteve nga shtetet e ndryshme Perëndimore e trojet etnike, siç ishin konsullja e Republikës së Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani, deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Përlaskaj, afaristi dhe filantropi i njohur, Lazim Destani, Prof.Dr. Omer Xhemali, Prof.Dr. Sokrat Sinaj, profesor doktor Milaim Fejziu  ardhur nga Tetova e figura të tjera, në pika të shkurta foli për rrugëtimin jetësor të Mikel Kuzhninit.

Jakurti përkujtoi se : Mikeli u lind në Prizren më 22.05.1942, në një familje bujare të brumosur me ide atdhetare. Ai ndërroi jetë me 22 gusht 2019 në Zagreb, nё moshën 77-vjeçare. Qysh në rini bashkë me të vëllain Simonin janë rritur dhe edukuar me një frymë të shëndoshë patriotike dhe liridashëse. Më tej  Jakurti, përkujtoi se Mikel Kuzhnini, ishte një atdhetar i madh i cili do të mbahet mend për kontributin e shquar për bashkimin e shqiptarëve, për sensibilizimin dhe promovimin e vlerave kombëtare. Në aktivitetin e tij kombëtar, rëndësi të veçantë i kushtoi arsimimit të të rinjve shqiptarë, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, duke ofruar ndihma përkatëse materiale. Me aktivitete të tilla u mor vazhdimisht, gjatë gjithë jetës. Duke vepruar, herë në mënyrë të organizuar, e herë në ilegalitet, Mikeli dha kontribut tё rёndёsishёm në ndërtimin e idealeve kombëtare, patriotike liridashëse e demokratike.

Në vitin 1968, Mikeli me të vëllain Simonin dhe disa shokë në Prizren e ngritën flamurin kombëtar pranë shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit. Pas atij akti Mikeli u desh të largohej për në Stamboll, duke zhvilluar aktivitete në Turqi. Angazhimi rreth këtyre çështjeve e detyruan familjen Kuzhnini që patjetër të largohej nga Kosova, dhe në vitin 1968/1969, të vendosen në Zagreb.

Gjatë viteve 90-të,  Mikeli dha kontribut edhe në pranimin dhe vendosjen e familjeve shqiptare që u dëbuan me dhunë nga Kosova. Nё familjen Kuzhnini u vendosën edhe delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, të cilët, në vitin 1989, për shkak të shpalljes së Republikës së Kosovës, ishin të detyruar të largoheshin nga Kosova për në Zagreb. Ai u përkujdes edhe për luftëtarët shqiptarë, qё morën pjesë nё luftën që u zhvillua në Kroaci. Një prej aktiviteteve me rëndësi që e zhvilloi i ndjeri Mikeli me disa veprimtarë tё tjerё, ishte organizimi për fillimin e transmetimit të emisionit të lajmeve në gjuhen shqipe në Radio Zagreb.
Mikeli zhvilloi edhe shumë aktivitete të tjera në anë të ndryshme të globit, si dhe mbajtja e grevës sё urisë për Kosovën, që e mbajtën në Bruksel, e cila pastaj u reflektua negativisht në shëndetin e tij.

Mikeli me të vëllain binjak, Simonin ishin ideatorë të Lidhjes Shqiptare në Botë dhe e themeluan atë më 1997, me një qëllim dhe një mision- bashkimin e shqiptarëve. Vëllezërit, Simon e Mikel Kuzhnini kanë dhënë kontribut të madh në mbi dy dekada me bindjen se nuk ka forcë që do të mund të ndalë qëllimet e organizimit të Lidhjes Shqiptare në Botë. Ata kanë arritur të mbajnë tri Kongrese të LSHB, në qendra kryesore shqiptare duke bërë bashkë shqiptarët dhe bartësit institucionalë.

Uniteti mes shqiptarëve ka qenë moto e Mikelit, të cilën është përpjekur ta përcjellë në çdo hapësirë ku ka vepruar. Do të mbetet gjithmonë në histori, projekti “Stop vëllavrasjes, jo hakmarrje”, të cilin vëllezërit Kuzhnini e kanë prezantuar në Mitrovicë.

“Është një plagë që e ka lënduar kombin tonë, për çka ne duhet të angazhohemi dhe ta stopojmë një herë e përgjithmonë”, kishte thënë Mikel Kuzhnini.

Për veprimtarinë e tyre patriotike, Mikeli bashkё me tё vёllanё Simonin, u nderuan nga presidenti i Shqipërisë Bamir Topi me çmimin: “ Nderi i kombit” ,

Më pastaj me fjalë rasti dhe përshëndetje u paraqitën disa nga mysafirët e pranishëm, ndër ta:  Milaim Fejziu, nënkryetar i LSHB nga Maqedonia, afaristi dhe filantropi Lazim Destani nga Gjermania, deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisës, Ermina Përlaskaj, Kanoniku i Ipeshkvisë së St.Gallenit, prifti shqiptar Don Marjan Markaj si dhe përfaqësues organizatash e soqatash jo vetëm nga Zvicra për edhe Gjermani, Kroacia e të tjerë.

Kryesia e LSHB ishte përkujdes edhe për ndarjen e disa mirënjohjeve, ndër të të cilët nga Zvicra: Prof. Dr. Omer Xhemaili, kardiokirurgu me famë ndërkombëtare dhe dhe shef i klinikës kardiokirurgjisë në spitalin  “Triemli” të Cyrihut, Shukrije Ramadani, konsulle e Kosovës si dhe një mirënjohje që mu nda mua (Rexhep Rifatit) për angazhimin tim në gazetari.  Me mirënjohje u nderua edhe Esat Çollaku, luftëtar i shquar i luftës në Kroaci dhe asaj në Kosovë, njëherësh kryetar aktual i Unionit të Shqiptarëve në Kroaci.

Në këtë akademi nuk munguan as pikat artistike. Me këtë rast u shfaq një filmë i gjatë dokumentar kushtuar vëllezërve Kuzhnini, me redaktor Asllan Bajramin i cili edhe ishte i pranishëm në këtë tubim. Ndërsa aktori i mirënjohur Çun Lajçi, këtë rast kishte përgatit një monolog që u prit me duartrokitje nga të pranishmit.