Bashkëbisedim familjarë dikur…
(Motive popullore)
Im at, Hemi:
“Biro, qofsh gjithmonë me shëndet e jetë të gjatë!
Paçi fatin e mirë dhe të mbarë!
Puno si njeri, me dinjitet e ndërgjegje.
Mos lëndo, mos mashtro e mos tradhto askënd!”
Mixha Faik:
“Qëndro në vendin ton, punoni për të.
Mos ki frikë nga askush,
që kjo tokë e larë me gjak e lot
të ketë rend, ligj, shtet e Zot!”
Axha Can:
“Djalë, vendos vetë çka bën.
Dëgjo zërin e zemrës dhe të mendjes.
Por kujto fjalët e të mençurve,
se në fund, je e zeza e kresë tënde.”
Baca Lush:
“Mos dëgjo askënd, puno me krye tënd.
Ruaju siç thotë populli: ‘Se shkon si qeni n’rrush!’”
Baca Lam:
“Mos e bjer punën ngushtë, mos leh si qeni i keq.
Sa të duash të jesh azgan, kurrgjë nuk mund të bën,
veçse mbetesh një askush dhe je e zeza e fatit tënd.”
Ime ëmë, Mira:
“Bëhu i mirë, biri im.
Mos u nxin me fjalët e të tjerëve.
Mos bjerë në bela me askënd.
Fjalën e fundit kurrë mos e qit të parë.
Çka të vie në dorë, mos e bëj pa menduar,
sepse shpejt mund të pendohesh.”
Xh.H.



















