Në Kreuzlingen u promovuan librat „Makth“ dhe „Fletëza dhimbjeje“ të autorit Gani Bytyci

Në Kreuzlingen të Zvicrës, të shtunen u bë promovimi I dy veprave letrare “Makth” dhe “Fletëza dhimbjeje”, të shkruara nga Gani Bytyci.

Për këto libra folën referuesi dhe shkrimtari i librit “Makth” Shefqet Dibrani, i cili e lartësoi tejet shumë krijimtarinë letrare të veprës së autorit, duke thënë që vepra të tilla na duhen secilit nga ne ti kemi në sirtaret tona. Dibrani i cilësoi tregimet e autorit si perla të rralla, ndërsa vepra në përgjithësi flet për robërinë dhe zhvillimet letrare të asaj kohe në Kosovë, ku u rrëfye edhe për deformimet politike, morale e shpirtërore të atij sistemi.

Këtë ndjenjë autori e shprehë shumë qartë kur thotë se jemi të vendosur nnë rrugëtimin tonë drejt lirisë dhe jemi të gatshëm për flijim. Pjesëmarrja në rezistencë të madhe me anë të shkrimeve të tij, është një gadishmëri e autorit, të cilën ai do ta shoqërojë edhe me disa tone kritike në adresë të individëve dhe grupeve, të cilët aty-këtu shfaqin krekosje individuale, duke shprehur politikë banale dhe komercializëm patriotic.

Gjithashtu për librin “Fletëz dhimbjeje” foli gazetari, publicisti dhe kritiku letrar Emin Azemi. Menjëherë pas kësaj, filloi ora letrare për këto dy vepra, ku u lexuan fragmente të ndryshme nga të ftuarit, ndërkohë që takimi mori edhe formë bashkëbisedimi.