Më 28 NËNTOR 2022: U tejkalua pragu i 20.000 nënshkrimeve

Sot, në këtë ditë historike, u shënua edhe një e arritur me rëndësi të veçantë në Shqipëri. Aktivistët e Organizatës Politike njoftojnë se kanë tejkaluar pragun e 20.000 nënshkrimeve për projektligjin e minimumit jetik.

Siç njofton Organizata Politike, kjo arritje do të ishte e pamundur pa angazhimin e qindra aktivistëve e mbështetësve të Organizatës Politike, nga Durrësi në Elbasan, nga Shkodra në Vlorë, nga Fieri në Lezhë, po sidomos në Tiranë. Në diell e në shi, për gati dy muaj aktivistet e aktivistët e saj kanë biseduar me dhjetëra mijëra bashkëqytetarë, me origjinë anekënd Shqipërisë dhe të shumë profesioneve e grupmoshave. Falë solidaritetit të tyre të shprehur me nënshkrim, inkurajim dhe përhapje të lajmit, fushata e minimumit jetik ka arritur thuajse kudo në shoqërinë e shtetit shqiptar.

«Sot, në këtë ditë disafish të shënuar, ne krenohemi me pararendësit tanë të mëdhenj, që kanë punuar e luftuar për një mëmëdhe të lirë, të pavarur e të begatë. Ne, me përpjekjet tona modeste, synojmë t’i çojmë përpara idealet për një Shqipëri me drejtësi shoqërore.» thekson në njoftimin e saj Organizata Politike.

Përpjekja për minimumin jetik do të vazhdojë në ditët dhe muajt e ardhshëm. Për të drejtpeshuar gabime të mundshme në marrjen e të dhënave, Organizata Politike ka vendosur të mbledh 1000 nënshkrime shtesë gjatë ditëve në vijim. Por, mbi të gjitha, aktivistët e saj theksojnë se janë të vendosur ta çojnë zërin e 20.000 qytetarëve brenda institucioneve me forcën e këmbënguljes e përkushtimit.

Në lidhjen vijuese gjeni edhe Udhëzuesin me informacione mbi minimumin jetik dhe për shkarkimin e formularit për nënshkrimin e nismës qytetare të projektligjin në fjalë: https://fb.watch/h4orTwAPBI/, apo: https://www.facebook.com/watch/?v=787278185711035&__tn__=F

Duke shprehur falënderimin për nënshkruesit e mbështetësit OP uron – Gëzuar 28 Nëntorin!