Letër publike e poetit e veprimtarit Diamant Abrashit drejtuar minsitrit në ikje Arban Abrashit
I dashur Arban,
Mbiemri i njëjtë do të duhej të na bënte shumë të afërt. Por ja që asnjëherë nuk na u dha mundësia të takohemi personalisht. Kam një simpati viscerale ndaj Jush, jo shkaku i gjakut por shkaku se ishit nismëtar i disa proceseve pozitive për Kosovën.
Lexova në web sajtin Tuaj se nesër do të nënshkruani një marrëveshje për sigurimet sociale me Zvicrën. Më vjen mirë që Zvicra dhe Kosova, shtetas i të cilave shtete jam edhe unë e familjarët e mi, po gjejnë gjuhë të përbashkët për një problem që po zvarritet që nga 31 marsi 2010. Këtë problem nuk e kanë pasur as Serbia dhe Mali i Zi si de Bosnja, ndonëse me ketë të fundit negociatat janë duke vazhduar ende, marrëveshja e vjetër me ish Jugosllavinë ngelet në fuqi dhe gjen zbatueshmëri. Gjë që nuk ndodhi me Kosovën. Nuk ju fajësoj Juve se atëherë (pra më 2010) nuk kishit asnjë kompetencë rreth kësaj. Por do t’Ju fajësoja sikur nesër më 1 qershor (dita ndërkombëtare e fëmijëve) Ju do të nënshkruani një marrëveshje “konfidenciale” me Zvicrën. Pse ky “konfidencialitet” para atyre që do të duhej t’i trashëgonin frytet e punës dhe mundit, djersës e besa edhe shpesh të gjakut të tyre derdhur në kantieret zvicerane të ndërtimit apo prodhimit?. Unë jam shtetas zviceran dhe këtu kam jetuar gjysmën e jetës sime. Po të më pyeste dikush cilin shtet e don më tepër, më beso se do i kisha rrudhur krahët instiktivisht sepse asnjëherë nuk e mësova dot se pse kur jam në Kosovë më mungon Zvicra e kur jam në Zvicër më mungon Kosova?
Një gjë duhet t’a dish: fëmijët e mi (dy) kanë lindur dhe jetuar në Zvicër, janë shtetas zviceranë dhe sot (me vetëdëshirë dhe pajtimin tim si prind) jetojnë në Kosovë. Shkaku i mungesës së kësaj marrëveshjeje ata po diskriminohen që nga 03 shtatori 2014. Janë plot 12.000 Euro të dëmtuar për gati tre vite vetëm përmes shtesave familjare. Ata që po dëmtohen që nga 31 marsi 2010 mund të kenë edhe shuma më të mëdha varur mes labirinteve të (mungesës së) ligjit.
Desha t’ju përkujtoj faktin se sot luftërat më të egra nuk bëhen për motive fetare, politike, territoriale e as etnike por ekskluzivisht për ato ekonomike. Ndaj hapi sytë dhe shih se çfarë po nënshkruan nesër, sepse kjo marrëveshje në thelb mëshef një mashtrim prej disa miliarada franga të shpërndara në vite. E keqja e kësaj marrëveshjeje është se nuk godet burokratët e Kosovës dhe Zvicrës, përkundrazi i promovon ata, por godet vetëm të interesuarit e prekur nga marrëveshjet jopublike.
I ke aty disa djem të mire të Zvicrës si Osman Osmani, Ruzhdi Ibrahimi dhe Hilmi Gashi etj. që në vend se t’i anashkalosh për një dhuratë të Danajve disa milionëshe në emër të donacioneve të nduarnduarshme), mund t’i kyqësh në negociata komplekse por më të favorshme për ata që derdhën djersë e mund edhe për Zvicër por edhe për Kosovë.
Harrova t’ Ju them: gjatë viteve të luftës për mungesë guximi shumë intelektualë me të cilët Ju bashkëpunoni sot nuk morrën rolin e zëdhënësit të Qeverisë në ekzil. Më takoi mua dhe e kreva me efikasitet dhe me nder. Duke e kuptuar pozicionin Tuaj dhe sikletin, shpresoj t’a kryeni edhe Ju me nder detyrën dhe borxhin ndaj Atdheut dhe njerëzve të tij. Ju e kini më të lehtë sepse mbani vetëm passaportë kosovare…
Me respekt, “axhoshi”,
Mr. Diamant Abrashi, Lugano

















