Shtëpia e Filip Shirokës në Shkodër josh me vargje, stil e traditë  

Pas zhgënjimeve që përjetova tek shtëpitë e figurave të shquara kombëtare, në Shkodër pash një objekt të veçantë, shtëpinë ku kishte jetuar poeti Filip Shiroka,  ndërtuar më 1694, në ballë të së cilës është gdhendur portreti i këtij rilindësi.  

Në këtë objekt, dikur të braktisur, të kthyer në Hotel Restorant Tradita Geg & Tosk, mysafirët përjetojnë çaste shumë të këndshme me artistë dhe ushqime tradicionale.  Për të gjitha këto përkujdeset historiani Gjon Dukgilaj, pronari i “Traditës”, që pasion ka grumbullimin e vlerave etnografike e të fotografive të Marubit. Kjo ka bërë, që tash objekti të kthehet edhe në një muze, ku pos tjerash, ruhen edhe kostume kombëtare nga treva shqiptare. 

Me Jakup Rekën, më 26 Shkurt 2017, vizituam dhomën 110 të poetit të “dallëndysheve”, një dhomë e ruajtur dhe e pajisur me orendi klasike nga koha shkrimtarit. Siç joshnin dikur vargjet e poetit, tash aty josh fryma e traditës e bartur deri në ditët tona.