Kurrë më statut punonjësish sezonalë!

Në ditën e sotme, 20 vjet më parë hyri në fuqi lëvizja e lirë e njerëzve mes Zvicrës dhe BE-së. Me këtë rast u shfuqizua statuti mizantropë i punëtorëve sezonalë. Po sot, me një aksion para Parlamentit në Bernë, Unia kujtoi shfrytëzimin e punëtorëve sezonalë – dhe kërkon një të drejtë të sigurt qëndrimi për punonjësit pa pasaportë zvicerane.

Sindikata Unia angazhohet prore për kushte të mira pune
Statusi i punëtorit sezonal në Zvicër zbatohej nga viti 1931 deri në vitin 2002. Kjo krijoi një kategori punëtorësh të diskriminuar pa dokumente e që punonin për paga të ulëta. Heqja e këtij statuti jo dinjitoz dhe çnjerëzor dhe futja e lëvizjes së lirë të personave me vendet e BE/EFTA paraqiste një përparim të rëndësishme për të drejtat e punëtorëve.

Politikat e migracionit vazhdojnë të diskriminojnë punëtorët
Por politika e migracionit mbetet edhe sot e kësaj dite një mjet diskriminimi ndaj punonjësve. Ende vazhdojnë të zbatohen kuotat për të ashtuquajturit shtetas të vendeve të treta. Megjithatë, ato lejohen vetëm për pozicione të kualifikuara. Si rrjedhojë e kësaj politike rezulton situata me punëtorë të paligjshëm në punë të pakualifikuara. Mirëpo në një situatë të pasigurt janë edhe vet qytetarët e BE-së që ndodhen në Zvicër me leje qëndrimi afatshkurtër.

Statusi i qëndrimit si shpata e Damokleut
Përveç kësaj, të gjithë migrantët mund të humbasin të drejtën e tyre të qëndrimit në rast të vështirësive personale dhe financiare. Kjo pasiguri nuk ekzistonte as në kohën e statutit të punëtorëve sezonalë: kushdo që kishte marrë një leje qëndrimi, pas 15 vjetësh, asokohe kishte një qëndrim relativisht të sigurt në Zvicër. Sot nuk është më kështu. Parlamenti duhet ta eliminojë shpejt këtë gjendje jo dinjitoze: Kushdo që ka qenë në Zvicër pandërprerë dhe ligjërisht për më shumë se 10 vjet, duhet të ketë siguri për statusin e qëndrimit, siç kërkohet edhe nga një nismë parlamentare në pritje, të iniciuar nga deputetja nacionale Samira Marti.

Kërkohej një ndjeshmëri më e madhe politike
Me një aksion para Pallatit Federal dhe me fletëpalosje, sot sindikata Unia tërhoqi vëmendjen e deputetëve për faktin se ka ende shumë për të bërë edhe 20 vite pas përfundimit të statusit të punonjësit sezonal. Në veçanti, duhet të marrin fund situatat e pasigurta të banimit që i bëjnë punëtorët të pambrojtur dhe janë një portë për shfrytëzim dhe dumping social. Përndryshe, kushte të tilla si ato të statutit të punëtorëve sezonalë kërcënojnë të kthehen në rrugë të tërthorta në botën e punës zvicerane.