Kur rilindeshim n’RILINDJE

Si sot, n’Hashimin, Isën, Ramushin!

Kanë ndërrua kohnat. Po, kanë ndërrua.
Për t’mirë a për t’keq, s’guxoj me iu thanë, se xheraçinat m’lëshohen përmbi, e flokët ka vite që m’kanë lanë!
Po, mbase për t’mirë, se për t’mirë punuen do mendje ndritun që nga ato vitet e etjës për dituni e liri!

 Shkruan: Çun Lajçi

– Mbaj mend vitin gjashtëdhjetë e nandë, e gazetën e vetme, t’mirën. Oh ma t’mirën n’botë “RILINDJËN” që pritshim para shtypshkronjës se vjetër ora 1:00 e natës m’u ba, e me marrë të ngrohtë, si pitalkat e Prizrenit për yftar.

O ju s’me besoni e di, se besua as unë s’iu kisha, por duert e mërdhime atyne dimnave me borë, i ngrohnim tue shfletua t’bekuemen, që krejt e nxeht nga maqinat dilte, tue na e pru botën n’Kosovën e territ, t’merrit e skamjes.
Aty gjeje gjithçka, por jo s’i n’ketë kohë, fillimi Hashim e fundi Hashim, edhe pse kohë e Titos ishte, gjithmonë s’fillonte me te faqja e parë !

E di se nuk me besoni, se besua s’iu kisha as unë, por politika ishte n’hijen e artistëve të mëdhenjë!
E politikanët n’za, kishin nderin me folë për emnat e tyne, filmin e teatrin!
E Rilindja ime, m’i sillte n’Prishtinë artistët n’za Barton, Elizabetë, Brando, Brizhit Bardo, Llankaster, Ava Gardner, por kurrë pa Bekimin e Farukun e Abdurrahmanin, yjet tanë!

Po, ju s’e besoni, e di, se as unë besua s’iu kisha, por poetet e botës i lexoja mbrenda natës, por kurrë pa Azemin, Gjergjekun, Rrahmanin, Gungën e Aliun!

Kanë ndrrua kohnat. Po, kanë ndrrua.
Për t’mirë mbase, për t’keq s’guxoj me iu thanë, se flokë s’kam, e ernat nganjiherë po fryjnë! Por, gazeta sot, s’asht si atëherë!
Ajo sot s’lexohet për artistin, e rolin e tij. Për poetin e poezinë e tij. Për shkrimtarin e romanin e tij. Për piktorin e pikturën e tij.
– Jo, ajo duhet ta ketë fillimin Hashim, mesin Isë e fundin Albin.
Politikë fund e krye!
Ajo duhet t’ketë Ramusha, Fatmira, Kadria, shamje, mallkime, ofendime, linçime, se ndryshe, s’quhet gazetë e populli s’e lexon.

Po kanë ndrrua kohnat, edhe ne kemi ndrrua, populli s’din ç’asht bujqësia, ai mësua ka pollitikë, e idhuj i ka Hashimat. Ata janë vipa, n’deka e n’dasma, që vinë si shahirat n’kuaj shale, e populli u ban temena!

Do poet shkruejnë, edhe do prozatorë. Do shtëpi botuese botojnë sa mundin vepra. Do piktorë mbushë i kanë ateletë e tyne me piktura. Por, ah, s’janë t’rangut t’Hashimave me shkrua gazetat për emnat e tyne. E RILINDJA ka vdekë, kur vdiqen Esadat, Çettat, Rozhajat,Gazmendat!

Unë e kam gabim, e mund t’me shani, por sot t’jeshë Hashim, Isë, Ramush e Fatmir, je gjithçka e bi gjithçka! Dhe po nuk shave si hamshorët analista, kush s’të njeh e s’flet me ty!
Po m’thotë nji mendje thuej se kjo quhet MJERIM, por s’po e them, se nuk kamë flokë, e ernat po fryjnë.
Ndihmom Zot!

Dardani, 10.05.2020

( Shkrim kushtuar “Rilindjes”, gazetë kjo nga e cila sigurova bukën për tri dekada, nga aktori e poeti ynë i shquar Çun Lajçi, me një foto të tij nga viti 1972 , kur edhe e njoha për herë të parë Çunin në shkallët e Teatrit të Kosovës)