Nëse rregulla të shumta aplikohen për fitimin e shtetësisë zvicerane, ekzistojnë po aq edhe për humbjen e saj. Bile nganjëherë, është më vështirë me e fituar se sa me e humbur shtetësinë, qofshin raste të rralla këto.
Përkujtojmë se, përveç mundësive të fitimit të shtetësisë përmes një procedure të quajtur e rëndomtë (pas një kohëzgjatje qëndrimi mbi dhjetë vjeçare), ekziston edhe procedura e lehtësuar e cila, në mes tjerash, aplikohet edhe për personat që janë të martuar me dikë që veç e posedon shtetësinë e këtij shteti (pas pesë viteve qëndrim dhe me plotësimin e ca kushteve tjera, mund të fitohet kjo e drejtë).
Janë pikërisht shtetësitë e fituara përmes procedurave të lehtësuara ata të cilat edhe mund të humben nganjëherë më së lehti.
Praktikat tona profesionale na tregojnë se janë në pyetje veçanërisht rastet e personave të cilët e kanë fituar shtetësinë përmes martesës me një person bartës të shtetësisë zvicerane, dhe ndërkohë apo më vonë, është zbuluar se ai ka pasur një lidhje tjetër martesore në vendin e origjinës.
Shembull tjetër është rasti i mashtrimeve dhe dredhirave gjatë prezantimit të një dosje, atëherë kur zbulohet se janë fshehur fakte të rëndësishme për të cilat kandidati ka qenë i detyruar t’i prezantojë.
Edhe një shembull tjetër tregon se ajo mund të humbet nëse zbulohet se fituesi i shtetësisë ka përdorur akte të dhunës apo të kërcënimeve, para marrjes së vendimit definitiv. Për shembull, nëse, përmes kërcënimeve, ia ka imponuar bashkëshortes që të nënshkruaj një dokument i cili dëshmon njëfarë stabiliteti të bashkësisë martesore (edhe pse në realitet, shkurorëzimi duket i paevitueshëm).
Sipas një rregulle tjetër të përgjithshme, personat të cilët prezantojnë një rrezik apo kanosje të rëndë për sigurinë e brendshme dhe të jashtme të Zvicrës, mund t’iu nënshtrohen procedurave për humbjen e shtetësisë (p. sh. implikimi në grupe terroriste, aktet e spiunazheve kundër shtetit, etj.).
Ligjet parashikojnë edhe disa raste të tjera të humbjes së shtetësisë (p.sh., në bazë vullnetare dhe me kërkesë të personit të interesuar, etj, etj.)
Mirëpo, ekziston edhe një rregull tjetër e cila i shpëton disa persona! Nëse gjendemi përball një afati parashkrimi, atëherë, edhe përpos faktit se një shkelje ligjore ka ekzistuar, shtetësia mbrohet prapëseprapë, nisur nga fakti se konsiderohet se një vepër është vjetërsuar. Është këtu në pyetje kalimi i kohës (p.sh, nëse një procedurë për tërheqje iniciohet tetë vite pas fitimit të shtetësisë, ajo konsiderohet si e vonuar!).
Pas tërheqjes së shtetësisë, varësisht nga natyra e veprës së kryer, personit i rikthehet një status i mëhershëm i qëndrimit, kurse në raste të rënda ai dëbohet nga Zvicra. Tërheqja e shtetësisë nuk mund të aplikohet ndaj një personi që nuk posedon një shtetësi tjetër.
Në Zvicër, tërhiqen diku përafërsisht pesëdhjetë shtetësi brenda një viti.
Përgatitur nga www.zyra-begzati.ch, Neuchâtel, më 25 gusht 2019