Katundi i Diogardit, që rrjedh nga një familje ushtarake e Skënderbeut

Në vazhdën e prezantimeve në portalin tonë prointegra, kësaj radhe qendrën e vetme arbëreshe në krahinën e Avelinos: KATUNDI, apo it. Greci, nga edhe e ka prejardhjen ish- kongresisti amerikan Xhozef DioGuardi (Joseph J. DioGuardi), Kryetar i Ligës Shqiptaro-Amerikane, që më tepër se gjysmën të jetës së tij ia kushtoi Kosovës dhe çështjes shqiptare e që për prejardhjen e tij thotë se: “Rrjedhë nga një familje e ushtarëve të Skënderbeut”, njërit nga komunitetet e para arbëreshe në Itali.

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Gjatë udhëtimeve të mija në mesin e vëllezërve arbëresh, përherë preokupim kisha si dhe kur të vizitoj vendin e prejardhjes së ish-kongresistit shqiptaro-amerikan, Xhozef DioGuardi apo Joseph J. DioGuardi, i cili veç ka mbush të 80-tat ( lindi më 20 Shtator 1940). Ai duke qenë më parë si kongresistë amerikan e tash edhe këtij intelektuali e atdhetari, që aq shumë iu përkushtua çështjes së Kosovës, duke pas përherë në krah të shoqen, Shirley Kloj Diogardi, as në këtë moshë nuk ndalet së punuari për çështjen e Kosovës, por edhe asaj atë shqiptare në përgjithësi, pasi për te shqetësim i përhershëm është çështje shqiptare në Ballkan.

Banorët arbëreshë, që mbërritën në shekullin XV e quajnë Katund

Se kemi një lidhje gjuhe e trungu këtë e dëshmon edhe vet DioGuardit, i cili thotë se prejardhja e tij vjen: “nga një familje e ushtarëve të Skënderbeut që kishin ndihmuar Mbretërinë e Napolit më qysh më 1461 ”. Banorët arbëreshë, të cilët mbërritën në shekullin XV, e quajnë qytetin Katundi, që në gjuhën arbëreshe do të thotë “qyteti, qendra e banuar”.

Në katundin prej nga e ka prejardhjen DioGardi, u gjenda më 20 Korrik 2019, bashkë me shoqëruesit: kryetari i SHKA “Dardania” nga Winterthuri, Shefqet Cakolli; Elida Jorgonin nga Durrësi, kryetare e Shoqatës “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe veprimtarin nga Lozana, Gjergj Prenkoçaj, me prejardhje nga Malësia e Madhe.

Që të arrinim nga provinca e Foxhes, në Katund ( it. Greci), ku ka jetuar dhe ka pasur shtëpinë babai i DioGardit, nuk ishte aspak një rrugëtim i lehtë, sepse navigacioni na nxjerri disa rrugëve të ngushta njëkahëshe derisa arritëm në provincën Kampanja, ku Katundi është i vetmi vendbanim arbëresh e ku edhe më tej ruhen mjaft mirë gjuha, tradita veshjet dhe ku sheshin e tij e stoliste me busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të përuruar viteve të fundit. Ishte kënaqësi se në Katund nuk takuam vetëm pleq por edhe të ri e madje edhe nxënës, që sapo dolën nga oborri i shkollës në shesh. Ndërsa hasëm në mikpritje edhe brenda familjeve arbëreshe, që na gostitën me pije e ëmbëlsira.

Katundi me histori të lashtë e me figura të shquara arti

Siç mësuam ky fshat malor është shumë i vjetër, daton nga shekulli IX qe shkatërruar nga saraçenët; më 1462 u ripopullua nga arbëreshët, të cilët prej kësaj kohe, ndonëse në kushte të rrethimit nga gjuha e kultura e huaj, sërish e ruajtën shqipen dhe zakonet arbërore.

Nga Greci, apo Katundi kanë dalë shkrimtarë, poetë e dramaturgë të njohur arbëreshë, si: Leonardo de Martino, Luixhi Llanda, Xheradi Konforti, Jani de Majo etj.

Pak statistikë për Katundin

Ja edhe pak të dhëna për Katundin: Në vitin 1898 Greçi ose Katundi siç quhet nga arbëreshët kishte 3863 banorë, në vitin 1920 numëroheshin 3200 banorë, në regjistrimin e vitit 1951 kanë qenë në 2756 banorë, dhe në vitin 1991 vetëm 1186 banorë, sepse edhe këtu migracioni e bëri të veten, si në shumë fshatra arbëreshe. Ata ruajnë gjuhën, zakonet, doket, traditat dhe folklorin e shqiptarëve të lashtë. Katundi apo Greci vazhdon të ruajë të kaluarën me tërë madhështinë e tij për më shumë se 5 shekuj dhe pret të gjithë të rikthehen, apo edhe të vijnë e ta vizitojnë, ku nga afër rrëfehet historia e komunitetit të parë arbëresh në Itali

Ngritja e flamurit ne ballkonin e shtëpisë së familjes DioGardi

Ndaj edhe me të shkelur në Katund, cak kishim shtëpinë e familjes së Diogardit, por nuk mundëm e të mos i bëjmë një vizitë edhe vet këtij lokaliteti arbëresh që ka dhënë figura të shquara në të mirë të kombit e të kulturës shqiptaro- arbëreshe. E pastaj të shoqëruar nga një vendas arbëresh vizituam edhe shtëpinë e babës së DioGardit, që tash e posedonte një tjetër pronar, e që ishte në meremetim e sipër.

Por ne që kishim bërë gjithë atë udhëtim nuk u përmbajtëm pa hip në katin e sipërme për të shpalos flamurin shqiptar në ballkonin e kësaj shtëpi qindvjeçare. E që për ne shqiptarët kishte një domethënie të veçantë, pasi në te kishte jetua familja e Diogardit, prej nga babai i tij  si shumë arbëresh tjerë kishte migruar në Amerikë, ku edhe kishte lindur Diogardi, i cili do të bëhet personifikim i së mirës shqiptare tash e gjysmë shekulli.