Katër librat e Tahir Z. Berishës, një thesar i rrallë jo vetëm për mësuesit shqiptarë

 

Nga vizita në Kosovë, javën e kaluar u ktheva ma tri libra të rrallë, të kolosit të arsimit shqip, Tahir Z. Berishës, të cilat mi përcolli kushëriri i tij Mujë S. Berisha përmes dy miqve të mi po ashtu të mirë: Hamaza Halabakut dhe Nusret Dërgutit. Ndaj edhe që të tretë i falënderoj përzemërsisht me këtë rast, aq më parë që këto janë librat një arsimdashësi dhe të një arsimbërsi të madh, por edhe të një miku tim të hershëm me të cilin pata një bashkëpunim të ngushtë deri në frymën e tij të fundit.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Tahir Z. Berisha, duke nxjerr në dritë këto tri vëllime të mëdha librash, kushtuar pishtarëve të arsimit në trojet etnike, si dhe vëllimin e IV-të të librit “Emra që nuk harrohen – Arsimtarët shqiptarë në diasporë”, Tahir Z. Berisha (këtë të fundit me Hamza Halabakun e Çerkin Bytyçin), bëri të pavdekshëm mijëra emra mësuesish të shkollës shqipe, që si fanarë ndriçuan edhe skutat më të thella të trojeve shqiptare. Shtjellimi i rreth dy mijë e sa faqeve, me të dhëna biografike te rreth tremijë mësuesve në trojet etnike e në mërgatë, ishte një punë e tij prej sizifi

Ndonëse i shtyrë në moshë, ai nuk prajti së punuari për mësuesit dhe shkollën shqipe, qoftë si inspektor i lartë arsimi, përfaqësues institucionesh apo edhe pas kalimit në pension. Dashuria e tij për shkollën dhe mësuesit ishte e pakufishme. E ndoqi dhe shoqëroi kudo. Përpiqej në çdo formë të afirmonte e popullarizonte shkollën dhe përgjithësisht gjuhën shqipe. Sidomos këtu në mërgatë. Sa e sa herë në adresë time dërgoi artikuj të ndryshëm për shtypin shqip që botohej në Perëndim.

Vetëm një njeri me shpirt dhe zemër të madhe e fisnike, si Tahir Z. Berisha mund të ketë pas aq shumë dashuri për brezin e tij, kombin përgjithësish, por edhe për kulturën, traditën dhe gjuhen e tij. I tillë ishte deri në momentet e fundit, derisa e mbajti në jetë fryma e shëndeti. Bëri, një punë kolosale sidomos në avancimin e procesit edukativo-arsimor të shkollës shqipe, ndaj edhe me plot të drejt mund të thirret edhe KOLOSI I SHKOLLES SHQIPE.

Gjithsesi do theksuar se ai deri në fund të jetës ishte një figurë mbresëlënëse dhe një personalitet shumëdimensional. Kënaqësi e veçantë ishte të rrije me te, sidomos në oda burrash: të dëgjosh se me ç ‘stil e shije fliste për ndodhitë e ndryshme. Si për periudha të më hershme apo aktuale, qoftë në Kosovë e trojet tjera shqiptare.

Më ka rastis të jem disa herë në takime e ndeja ku ishte i ftuar, Tahiri, qoftë si mysafir shtëpie apo edhe nderi. Ishte njëherësh tregimtar dhe hokatar i mrekullueshëm. Kudo dëgjohej me interesim e vëmendje si në oda ashtu edhe kuvende. Aq më parë, pasi nuk u ngjante shumë të tjerëve. Ishte shumë origjinal. Veti e tij ishte se nuk dinte të rëndonte e therte me fjalë, ndaj edhe adhurohej dhe ishte i mirëpritur në çdo mes. Kudo që ishte, të kthente në sy e veshë!

Sa e sa herë unë nga Cyrihu e ai nga Londra komunikuam me telefon apo postë elektronike, duke u përqendruar më tepër tek problemet me të cilat përballet mërgata, veçmas në sferën e arsimit shqip. Tematikë tjetër, që e preokuponte Tahirin, pos mësimit plotësues, ishte ruajtja e traditës dhe gjuhës. Shpesh ishte pjesëmarrës në evenimente kulturore të grupeve artistike, qoftë në Londër e gjetiu në Angli.

Vizitat në Kosovë nuk i kalonte vetëm brenda rrethit të familjes së gjerë Berisha, apo edhe në fshatin e lindjes Vërban, që aq shumë e donte, pasi një pjesë të mirë të pushimit ia kushtonte edhe evenimenteve dhe ngjarjeve kulturo-arsimore në Kosovë. E ndiente veten mirë, vetëm kur rrethohej më sa më shumë miq. Si duket këtë dëshirë e pasion e kishte trashëguar që në fëmijëri: në odën e babës Zeqë, një mikpritësi shembullor të kohës së tij.

Krejt në fund, vlerësoj se zotëri Tahir Z. Berisha edhe si njeri edhe si pedagog meriton një respekt dhe notë të lartë. Tërë kjo punë e madhe, pos si vlerë pedagogjike, dokumentare e historike, do shikuar edhe si kapital i kulturës së përbotshme shqiptare. Këtu qëndron edhe figura prej një atdhetari të devotshëm e Tahir Berishës.

Në fund dua të vlerësoj mbështetjen e familjes, gjatë punës shumëvjeçare të Tahir Berishës, sidomos gjatë publikimit dhe botimit të veprave të tij. A gjatë tërë kohës , siç më thoshte, dorë të djathtë në këtë punë kishte djalin e tij Gazmendin, ndaj edhe me këtë rast këtë shkrim e bëra me shumë kënaqësi, nisur nga miqësia e madhe që më lidhte me Tahirin, por edhe interesimin që tregojnë pasardhësit e tij për të ndriçuar jetën dhe veprën e kryefamiljarit që edhe në dhe të huaj punoi shumë për gjuhen, kombin dhe vendin e tij. U preftë në paqe në dheun e Kosovës që e pati mall dhe e donte aq shumë.

Kënaqësia tjetër është se po nga dera e madhe e familjes së Tahir Z. Berishës është edhe udhëheqësi i misionit konsullor i Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, i cili pos tjerash interesim ka edhe krijuesit në mërgatë dhe librin, ndaj edhe i mbetem borxh si “kompensim” për 4 librat e Tahirit ti dhuroj për konsullatën tonë që drejton një numër të konsiderueshëm të librave të autorëve qüe krijojnë në mërgatë.

( Me këtë rast dy nga fotot e shkrepura në Prishtinë me 14 Gusht 2007 me Tahir Berishën dhe Hamza Halabaku, si dhe një foto me të madhen Vaçe Zela që i dhurova librin “”Emra që nuk harrohen – Arsimtarët shqiptarë në diasporë”, gjë që kjo e gëzoj shumë si dhe fotot nga librat e fundit që mu dhuruan në Kosovë).