Mentor Kaçi-17 vjet burg për një ideal

Nga Shqipe Bytyqi

Gjakovë, 28 shkurt 2026. Sot, në qytetin e tij, me nderime te mëdha dhe me pjesëmarrje të gjerë qytetare, iu dha lamtumira e fundit Mentor Kaçit. Gjakova përcolli një nga bijtë e saj më të devotshem, një njeri që i dha jetës së vet një drejtim të qartë: rezistencën dhe dinjitetin.

I lindur më 1952, ai u formua si artist i montazhit filmik, por rruga e tij nuk mbeti brenda studios. Historia e Kosovës e thirri në një tjetër front. Në vitin 1981 u dënua me rreth 10 vjet burg për aktivitet politik kundër regjimit jugosllav. Pas lirimit, nuk heshti. U përfshi në organizimin e strukturave të rezistencës dhe në vitin 1990 ishte ndër themeluesit e Frontit te Rezistencës dhe Bashkimit Kombëtar, nje nismë me synim të qartë, përgatitjen e një organizimi politiko-ushtarak përballë shtypjes jugosllave.

Arrestimi i dytë në vitin 1991 ishte brutal. Dhunë, bastisje në shtëpi, pranga sërish. U dënua me 7 vjet të tjera burg. Në total, Mentor Kaçi kaloi 17 vjet në burgje, vite te gjata izolimi, presioni dhe sakrifice, vite të paguara për bindje.

Në vitet e organizimit të hershëm u bënë përpjekje konkrete logjistike: uniforma të qepura në fshehtësi, rrjete të ngritura ndër treva, përgatitje strukturore që më vonë do të shiheshin si pararendëse të UÇK-së. Ai ishte pjesë e atij kapitulli të heshtur, kur gjithçka bëhej pa zhurmë, por me rrezik maksimal, atij kapitulli që edhe sot flitet pak.

Pas burgjeve, mbeti aktiv në jetën publike dhe ishte ndër themeluesit e Unionit Demokratik në Gjakove duke kërkuar të kontribuojë ne ndërtimin institucional të vendit.

Por përtej titujve dhe strukturave, Mentor Kaçi ishte një njeri qe nuk e ndërroi bindjen me rehati. 17 vjet burg nuk janë statistikë, janë jetë. Janë familje që presin, janë prindër që plaken, janë fëmijë që rriten pa praninë e babait.

Sot Gjakova e përcolli birin e saj me shume respekt. Dhe në atë respekt kishte më shumë se ceremonial, mirënjohje.