Kalaja e Pogragjës së Gjilanit , një fortifikatë Dardane nga fundi i antikitetit të vonë

Kësaj të fund javë, si zakonisht të shtunave apo të dielave “prointegra” prezanton një kala nga trojet shqiptare, kësaj radhe nga Pogragja, që gjendet 10 kilometra në juglindje të Gjilanit, përkatësisht rreth 1 km larg prej fshatit Pogragjë dhe paraqet një monument të rëndësishëm jo vetëm kulturo-historik, por edhe një atraksion turistik   

Është e pozicionuar në grykën e Llapushnicës, në lartësi mbidetare prej 567 m dhe poshtë te këmbët e kodrës rrjedh lumi i Moravës së Binçës. Kalaja ka një sipërfaqe të brendshme prej 1.2 hektarësh dhe është tipike për kohën e Justinianit (shek. VI), respektivisht bën pjesë në kuadër të rrjetit të fortifikatave të ngritura në Dardani nga fundi i antikitetit të vonë. Ky fakt vërtetohet edhe nga dokumentet e shkruara dhe nga monedhat e gjetura gjatë konservimit dhe hulumtimit që i janë bërë kalasë. Monedha më e vjetër e gjetur në kala daton nga vitet 246 – 249, me portretin e Otacila Severa, gruas së Filipit të parë.

Planimetria e citadelës së Kalasë së Pogragjës ka formën e një pesëkëndëshi të çrregullt, ndërsa muri jugor i kullës qendrore ka rolin e murit mbrojtës të citadelës, një nga karakteristikat që e dallon këtë kështjellë prej kështjellave tjera. Kalaja e Pogragjës ka tri mure rrethuese, të cilësuara si: muri i parë, muri i dytë dhe muri i tretë rrethues. Një pjesë e këtyre mureve gjenden mbi sipërfaqen e tokës, ndërsa pjesa tjetër e tyre gjendet nën dhe. Muri i parë rrethues mbi tokë ka gjatësinë 17 metra dhe lartësinë 4 metra. Ndërsa muri i dytë rrethues ka gjatësinë 27 metra. Në pjesën më të lartë ruhen gjurmët e një kulle vrojtuese, muret e së cilës shkojnë deri në dhjetë metra lartësi dhe e cila ka trajtë katrore me dimensione simetrike 8 x 8 metra.

Ndërsa, në pjesët e akseve të kësaj fortese, gjenden kullat me dimensione më të vogla, të vendosura si në pjesën perëndimore, veriore dhe verilindore, si dhe vende-vende ruhen akoma në lartësinë prej afër 4 metrash. Muret janë të punuara me gurë të latuar dhe të palatuar të lidhur në mes vete me llaç gëlqereje. Gjatë punimeve që janë bërë në vitin 2007 është zbuluar edhe kanali i nëntokësor i cili lidh pjesën e kalasë brenda mureve me lumin Morava. Në kala gjendet edhe i ashtuquajturi “Guri i Qumështit”, i cili në popull njihet si guri shërues. Kalaja e Pogragjës paraqet një monument me rëndësi të madhe historike, shkencore dhe kulturore. Marrë nga Databaza e Trashëgimisë Kulturore e Kosovës, transmeton portali ynë: prointegra.ch