Kalaja e Novobërdës, e cila ndryshe njihet edhe me emrin “Londra shqiptare”, është tregim i gjallë i asaj që dikur paraqiste civilizimin e lashtë, duke i përballuar kështu tri perandori, një territor arkeologjik i pasur me mbetje të lashta e që së fundi është vënë edhe nën mbrojtje të shtetit.
Kjo kala që dikur njihej si qyteti më i madh në rajon, e madje edhe më gjerë, shtrihet në mes të rrafshit të Kosovës dhe Anamoravës, ku sipas të gjeturave thuhet të jetë ndërtuar në shek. XIV, ndërsa cdo gur i rrahur nga koha i kësaj kalaje, tregon vlerat më të mëdha të lashtësisë së trojeve tona.
Pozita e mirë gjeografike dhe strategjike e kalasë në maje të Novobërdës, ka bërë që të pushtohej tri herë, nga osmanët, bullgarët dhe serbët. Që të tre këta pushtues, lanë gjurmë të pushtimeve të tyre, gjurmë këto të cilat i gjejmë edhe sot në gurët e kalasë. Por, këto pushtime patën edhe efektin e vet, e sidomos të fundit që ishin serbët, e që bënë që kalaja të merrte këtë gjendje që e ka sot. Ajo është shkatërruar në masë, por prapë heroikisht i ka qëndruar rezistencës së kohës.
Në territoret e kalasë, madje edhe sot, shkojnë shumë “piratë” me shpresën se do të gjejnë ar, duke gërmuar dhe dëmtuar kështu hapësirën përreth. Ky territor i mbrojtur nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, ka qenë disa herë pre e këtyre “piratëve”, të cilët thuhet se kanë bërë dëme të konsiderueshme dhe të pariparueshme. Ky vend, është njohur si vend që ka qenë gjithmonë i pasur me xehje, në të cilin më parë janë gjendur edhe minierat që kanë arritur të prodhojnë deri në 6000kg ari në vit.
Kjo kala, kalaja e Artanës, e që dikur ishte i dyti qytet më i madh pas Londrës, ia vlenë të vizitohet dhe të shihen ato mbetje arkeologjike të kohës, që tregojnë shumë për historinë dhe lashtësinnë e popullit shqiptar.