Irma Kurti drejt sukseseve dhe çmimeve letrare

Irma Kurti, e cila nga viti 2006 jeton në Itali, njihet si autore, gazetare e përkthyese e suksesshme për diasporën shqipe. Qysh nga mosha e hershme puna dhe talenti i saj letrar kishin suksese të mëdha. Njohja e gjuhës angleze në të cilën i përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës dhe e gjuhës italiane bëri që ajo ta realizonte letërsinë në gjuhë të ndryshme, ku më pas do merrte çmime të shumta për veprimtarinë e saj në këtë fushë.

Përveç se në Itali, sukseset e saj u panë edhe në Zvicër ku për librin e saj me poezi të titulluar ’In una stanza con i ricordi’, ajo mori çmimin e parë në Edicionin e XXI të konkursit Universum. Në vitin 2018 ajo ishte antare nderi e Akademisë Universum në Zvicër, ndërsa në 2019 në Zurich arriti të prezantonte romanin ‘Njeriu që fliste me pemët’ dhe një libër të saj me poezi.

Sukseset e saj nuk mungojnë as këtë vit. Ajo u nderua me titullin Ambasadore për Shqipërinë nga Akademia e Arteve dhe e Shkencave Filozofike në Bari, kurse romani i saj “Le onde chiamano il tuo nome” (Dallgët thërresin emrin tënd) hyri në listën e 10 finalistëve të konkursit Casa Sanremo Writers.

Për fund, romani i saj në gjuhën italiane “Vite chiuse a chiave”(Jetë të mbyllura me çelës) shpallet fitues në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Napoli. Irma Kurti vazhdon të mbetet aktive edhe më tutje në krijimtarinë e saj letrare.

Në shpirtin tim bie shi

Më mungojnë shumë bisedat tona baba,

pasditeve të gjata në qytetin e huaj,

në humnerën e heshtjes ku ti ke rënë

padyshim, që më ke tërhequr edhe mua.

Në dhomën e spitalit pa asnjë dritare,

ka ditë që me ty flas e flas pa pushim,

oh, sa puthje të kam dhuruar, në jetë

jo kurrë nuk t’i kam dhënë, me siguri.

Baba dëgjomë, është e vërtetë gjithçka

them dhe ky boshllëk pafund nëpër ditë,

derisa belbëzoj se koha është e keqe,

e zymtë dhe e ftohtë, plot me re e shi.

Nuk mund të tregoj se dielli buzëqesh,

se lindin jetë, lulet po hedhin shtat,

sepse ti e adhuroje stinën e pranverës

por tani i burgosur je në këtë shtrat.

Jashtë dhe në shpirtin tim bie shi…

Poezi e shkëputur nga përmbledhja “Nuk është ky deti” të cilën autorja e botoi në vitin 2016.