Këtë verë në Kampionatin Evropian në Francë, veçanërisht në ndeshjen e futbollit midis Zvicrës dhe Shqipërisë përjetuam emocione shumë të forta. Emocione legjitime pasi gjysma e futbollistëve të kombëtares Zvicerane kanë origjinë shqiptare disa nga futbollistët më të mirë të kombëtares shqiptare janë me shtetësi të dyfishtë. Këta futbollistë vijnë nga Komuniteti Shqiptar në Zvicër i cili është padyshim një histori e jashtëzakonshme suksesi. Është një komunitet qe kontribuon direkt në zhvillimin e mëtejshëm të shtetit Zviceran. Diaspora shqiptare në Zvicër merr pjesë fuqishëm në botën ekonomike, akademike dhe politike të Zvicrës duke u bazuar fort në vlerat e përbashkëta dhe në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit reciprok.
Pikërisht për të forcuar këtë bashkëpunim, grupi socialdemokrat shqiptaro-zviceran të regjionit Bazel në mbrëmjen e 3 Shtatorit 2016 organizoi një aktivitet shumë të suksesshëm nën moton “Të njohim vlerat e përbashkëta’’. Ky eveniment u mbajt në ambientet e qendrës sociale “Quartiertreffpunkt LoLa’’ në qytetin e Bazelit.
Përmbajtje, shumëllojshmëri dhe cilësi
Tubimi u hap dhe moderuar nga aktivisti i socialdemokratëve shqiptaro-zviceranë të regjionit Bazel, Kosta Papa, i cili fillimisht u dha mundësinë e prezantimit dy kandidatëve shqiptaro-zviceranë, Almedinda Maliqit dhe Arsim Sadriut. Më pas ai ia kaloi fjalën përshëndetëse, Kryetares kantonale të Partisë Social Demokrate Znj. Brigitte Hollinger si dhe Z. Mustafa Atiçi, Kryetar i migrantëve socialdemokrat të Zvicrës.
Tubimin e përshëndeti edhe Nënkryetari i migrantëve socialdemokrat të Zvicrës dhe deputeti shqiptaro – zviceran i Parlamentit Kantonal të Schaffhausen-it, Osman Osmani, i cili adresoi tri çështje preokupuese të komunitetit tonë në Zvicër:
- Ligjin për Dëbim, i cili integrohet në Ligjin penal të Zvicrës nga 1 tetori 2016
- Ligjin e i ri për Natyralizim, i cili hynë në fuqi nga 1 janari 2018
- Marrëveshjen e munguar ndërshtetërore mbi Sigurimet Shoqërore mes Zvicrës e Kosovës, që si pasoj është duke diskriminuar në mënyrë selektive qe mbi 6 vite qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore në Zvicër.
Në vijim aktivisti tjetër i socialdemokratëve shqiptaro-zviceran, Urim Deva, prezantoi në mënyrë shembullore dhe të qartë historikun e komunitetit shqiptar në Zvicër dhe marrëdhëniet shqiptaro – zvicerane.
Vlen për tu theksuar pjesëmarrja e lartë dhe përmbajtja e këtij takimi i cili u mbyll në mënyrë festive, shoqëruar me muzikë nga trevat shqiptare, gatime dhe pije tradicionale.
Bazel më të drejtë dhe më social për të gjithë – Almedina Maliqi Kandidate për Parlamentin Kantonal në qytetit e Bazelit
Në vijim, në formë opinioni të përzgjedhur do të botojmë pjesë nga fjalimi i kandidates shqiptaro-zvicerane nga radhët e socialdemokratëve të Bazelit Znj. Almedina Maliqi
Unë kandidoj bashkë me kolegun tim, gjithashtu shqiptar, Arsim Sadriun për mandatin e deputetes kantonale nga njësia zgjedhore e Bazeliz perëndimor në zgjedhjet që do të mbahen me 23 tetor 2016 në listën e Partisë Socialdemokrate.
Unë zotohem se do të angazhohem për një Bazel më të drejtë dhe më social.
Arsyeja se pse po angazhohem politikisht, ka të bëjë me faktin se në vitet e fundit kam vërejtur që në skenën politike të Zvicrës janë duke ndodhur gjithnjë e më shumë padrejtësi. Unë kam filluar ta vërejë ketë diskurs me rastin e iniciativave të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP-së) përmes të cilave shkeleshin dhe kufizoheshin të drejtat e migrantëve. Dikur, në pankartat e kësaj Partie (SVP) shkruhej se “Kosovarët therin Zviceranët“. Kjo mua më ka prekur personalisht shumë. Me rastin e “Iniciativës për zbatim të dëbimit’’, mua përfundimisht mu sos durimi. Dëshiroja që personalisht ti prisja rrugën këtij zhvillimi dhe vendosa ti bashkëngjitëm Partisë Socialdemokrate. Tek ky subjekt gjeta bindjen time politike dhe shumë shpejt erdha në përfundim se kjo Parti trajton të gjithë njerëzit njësoj: të pasurit e të varfërit, zviceranët e migrantët, burrat e gratë, homot e hetereot, myslimanët e të krishterët.
Ajo që mua personalisht më pengon është, se SVP-ja është jo-sociale, – ndërsa unë dua një Bazel social, i cili jeton shumëllojshmërinë dhe si i tillë duhet dhe mund të lulëzoi. Kjo nuk mund të jetë e mundur kur SVP-ja margjinalizon disa grupe të shoqërisë, për shembull të pastrehët, të cilët i dërgon tek stacioni i trenit, pa u ofruar këtyre ndonjë perspektivë. Ky nuk është Bazeli im social. Ky nuk është Bazeli që unë dëshiroj. Vetëm se këta njerëz nuk posedojnë para të mjaftueshme tentohet që të përjashtohen nga qyteti. Bazeli që unë dua është multikulturor dhe pikërishisht kjo shumllojshmëri kulturore duhet të jetë fuqia e qytetit tim.
Pra unë dua një Bazel social – prandaj edhe motoja ime është:
“Bazeli im është social dhe i drejtë”!
Dua të theksoj se kjo drejtësi nuk vjen vetvetiu, për këtë duhet të angazhohemi që të gjithë ne. Është e padrejtë, që banesat në Bazel të shtrenjtohen gjithmonë e më shumë. Nuk është e drejtë që familjet të mos kenë mundësi ti përballojnë qiratë e larta dhe kështu detyrohen të ndërrojnë vendbanim. Kantoni duhet të krijoj kornizat ligjore për të mundësuar hapësira banesore që mund ti përballojnë financiarisht të rinjtë, familjet dhe njerëzit moshës së tretë. Qeveria Kantonale duhet të vejë në dispozicion më shumë hapësirë banesore dhe të mundësojë në mënyrë të vazhdueshme shfrytëzimin e banesave që qëndrojnë të zbrazëta. Rrjedhimisht, kjo çështje mbetet edhe më tej një padrejtësi. Në Bazel vijnë vetëm njerëz të pasur, të cilët kanë mundësi ti përballojnë banesat e shtrenjta dhe kështu rrezikon të zhduket shumëllojshmëria në Bazel. Nëse kjo ndodh, ne do të mbetemi thjesht një qytet pa vlerë
Unë dëshiroj të përfaqësoj denjësisht në parlament të gjithë njerëzit e zonës sonë
Unë jam më se e vendosur të luftoj për një Bazel me social dhe më të drejtë!
Ju faleminderit
Përgatiten: Osman Osmani e Kosta Papa