Heroi kombëtar shqiptar – Skënderbeu, gjithmonë aktual

Gazmend Freitag: Skënderbeu në Krujë

Piktori ynë i mirënjohur Gazmend Freitag përmes artit të tij piktoresk, krahas ndjenjave shpirtërore vazhdon të shprehë edhe ndjenjat atdhetare të ndërlidhura edhe me zhvillimet aktuale shoqërore e politike. Veprat e tij shtegtojnë hapësirën tonë për më shumë se një dekadë përmes pamjeve impozante në të cilat pasqyrohet kompleksiteti dhe problemet e ashpra në historinë ballkanike e evropiane, që shqetësojnë edhe më tej shoqërinë tonë.

“Në këtë grafikë paraqes heroin kombëtar të shqiptarëve, një histori e hershme e shqiptarëve nën drejtimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeun, i cili frenoi për 25 vjet agresivitetin e Perandorisë Osmane drejt Evropës në kufijtë e trojeve shqiptare.”, shprehet në ueb faqen e tij personale artisti Gazmend Freitag.

Kjo pikturë dhe vepër artistike bëhet edhe me aktuale, kur kemi parasysh se heroi kombëtar shqiptar i njohur botërisht si i tillë, përpos përpjekjeve përvetësuese të fqinjëve tanë edhe më tej armiqësorë, në kohet e fundit edhe nga politikan nihilistë që mbajnë emra dhe kanë prejardhje shqiptare, provojnë dështueshëm të shtrembërojnë historinë dhe të vejnë në pikëpyetje e të mohojnë faktet që qysh moti janë të njohura e të pranuara botërisht, sa i përket heroit kombëtar shqiptar – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, për interesa karrieriste politike apo interesa tjerë jofisnike.