Janari, dhe kujtimet për viganët

Nga Avni Azizi

Përvjetorët e lavdisë, janë kujtimi, është malli dhembja dhe krenaria jonë… Ato pahetueshëm sikur vijnë e na mbështjellin nëpër ecejake… Rrugët vazhdojnë në pafundësi….Çdo kthesë e rrugicë ekspozitë e pashpallur. Portrete, shkronja e emra të gjakosur. Qëndresë e gurëzuar në ideal. Përpara të shfaqen njerëz të heshtur, mosha të ndryshme. Të çiltër, të buzëqeshur për shokët e miqtë por të rreptë e të rrezikshëm për armikun. Është kjo tabloja e një brezi ëndërr plagosur ku mes jetës dhe vdekjes së tyre madhështore, uragan i stuhishëm me gjëmë përplaset mbi dyert e hekurta.

Mbi kohët e acarta trokëllijnë mijëra hapa dhe nisin marshutën nëpër kodrat e rrahura të maratonës së pa ndalur. Zahir, Hakif dhe Edmond tre emra të zakonshëm, tri biografi të martirizuara në rrugën e lirisë, dhe pikërisht ato çaste në agsholin e saj fillojë të buzëqeshë liria… Shkëlqimi i krenarisë kombëtare mori krahët e një epoke të re, krismat e pushkëve të lirisë po gravonin dinjitetin dhe kuptimësinë e jetës mbi valomën e gjakut të shpërndarë anekënd atdheut.

Era po lozte me shamitë e kuqe në gurët e varreve…

Rinia e tyre e pa rini, shpërthente si duf si vullkan kur rrëmbyesit e tokës çdo ditë pa mëshirshëm shkelnin mbi ardhmërinë dhe lulet e atdheut. Fillim Veprimi ishte vendi prej nga ata u nisën për në Olimp. Retë e dendura të qiellit pikonin lot e gjak… Çdo skaj atdheu duhej rindezur zjarri.. dhe zjarri u rindez e qielli ndërroj imazhin e tij. Pushkët e mbushura u shkrepën si rrufetë… Ilegalët dhe veprimtarët ua kthenin maleve bukurinë… Rrugët u gjallëruan. Mali u gjelbërua dhe çdo kthesë e çdo lis si freski pranverore valohej goditja për të shpërthyer të shumëfishuara mbi shtrëngata…

Vallë ishte ky brezi i fundit ëndërr plagosur?!… Si një ndriçim komete vinte nga aty ku Drini me Drinin përqafohen. Një emër…dy…tre sikur yllësit ndritnin horizontin…puna dhe veprimet e themelta depërtonin në thellësitë e shpirtit të atdheut…

Dëbora dhe pikat e gjakut mbi të kishin filluar t‘ia dritësonin nurin atdheut…Ata ballëlartë po kalonin shtigjeve pa menduar se një mendje e zezë po bënte gati skenarin që ajo të ishte rruga e tyre e fundit… Kur janari po mbyllte qepallat me flakën e tij në zemër…

Shkreptinë edhe njëherë…por, kësaj here kjo bie mbi kokat e atyre që mendonin se fare lehtë vritet liria… Dhembja e pikëllimi u shumëfishuan…Ndikimi i çmuar mbi epokën mëri krahët… Rënia ishte vetëm porta e pagjumësisë… Ata u kthyen tek lulet e mbamendjes sikur gurgullima e Drinit nëpër shtatin e tij….

Sot ju vazhdoni ecjen nëpër stinët e mëdha, kaloni nëpër urat e viteve dhe arrini në agun e butë të pranverës. Ju nuk ndjeni të ftohtë, nuk kolliteni… ndonëse shumë hollë jeni veshur. Ju ndiqni gjurmët dhe një shkëndijë freskuese shkreptinë nën këmbët tuaja…

Përpara … gjithçka është e bardhë, ura të gjëra të prera nga shikimi, dhe ne shohim e dëgjojmë gjurmët prapa jush. Ju vazhdoni drejt stinëve të reja që janë të pa njohura për të gjithë ne. Vetëm troku i historisë dhe përjetësisë ju ndjek pas dhe ai ju mbështjellë ngado që shkoni, në çdo skaj ku mund të ndaleni…

Ju mund të pushoni edhe në barin e pranverës, edhe në gjethet e luleve, edhe në buzëqeshjet e fëmijëve… Dhe sot, dhe prapë përsëri… Ju vazhdoni në rrugën tuaj me dëshirat për të mos ndalur udhëtimin tonë nëpër sipërfaqen e kësaj bardhësie.

Ju ecni dhe nuk doni të besoni… asgjë nga ajo që ne duhet ndryshuar… Ndoshta nganjëherë është e nevojshme për të kaluar nëpër dëborë të pastër, sepse jeta vendos të merr një fletë të madhe e të bardhë për të nisur një ditë të re…

Por… Sot ngjyra e borës po bëhet më e dukshme dhe më ndritur si kurrë më parë!  Ani se sot është ngricë e ne mezi presim gjelbërimin. Por, ju vazhdoni edhe më… për të gjetur atë që ne kemi dashur. Për të nderuar atë që është fshehur në velin e dëshirave tuaja…  Sot fillon sot… Çdo ditë është sot dhe sot nuk mund të jetë nesër… Sot fillon… nesër përgjithmonë humbë mundësinë për të qenë sot…  Ditët zgjasin si flakë janari si përjetësi e jetës.

Përvjetorët përsëriten në jetën tonë në pafundësi. Ju pushoni të lidhur me zinxhirë me përjetësinë. Në botën e kujtimit të përjetshëm çdo epope, çdo rënie, çdo kujtim mbartë peshën e dhembjes, pikëllimit dhe krenarisë.