Mësuesi Selami Kreka nga Korça, një legjendë e gjallë, që edhe sot e ndien veten më shumë kosovar! (20)

Më 25 korrik të këtij vitit, ky meteor i rrallë që ka shkelë të 94-tat, bashkë me mësuesin nga Elbasani, Abdullah LaçI- Shaban 97 vjeçar, ende janë në këtë botë, kur shumica e nxënësve të tyre në Kosovë prehen në amshim.- Ndaj edhe nga sot për 3-4 ditë rresht, pjesë e  këtij fejtoni do të jetë rrugëtimi prej një arsimtari e atdhetari, nga një ish-luftëtar, student akademie, një mësuesi të devotshëm në anë të ndryshme të Kosovës, derisa arrestohet nga UDB-a jugosllave, për ta ndarë nga ditari dhe nxënësit e tij në Ferizaj

Nga Rexhep Rifati

Sa ishte interesante rasti si arrita ta “zbuloi” këtë mësues aq më interesant është rrugëtimi tij prej disa dekadash me ditar, qoftë në Kosovë, ku do ta fillojë karrierën. Rasti e deshi që qyteti im, Ferizaj, më  16 Shtator 2016  të zbulojë një pllakë përkujtimore për drejtorët e mësimdhënësit që punuan në gjimnazin e parë shtetëror shqiptar të këtij qyteti, në shenjë të 70 vjetorit të themelimit dhe po në atë pllakë për herë të parë pash se i parafundit, ishte emri Selami Kreka, por askush nuk e dinte se nga ishte prejardhja e tij, ndërsa emrat e gjithë të tjerëve qoftë nga Shqipëria apo Kosova e kishin edhe vendin prej nga kishin ardhur. Dhe pas një lajmërimi që dhashë në fb tim, ekonomistja Vjollca Muka nga Korça, që e kisha takuar edhe më parë përmes një  Shoqatës “Vatra jonë”, mësoj se Selami Kreka është ende gjallë dhe se shumë vite më parë edhe Vjollca e kishte pas arsimtar!

Pas këtij lajmi, Vjollca më përcjelli edhe telefonin e mësuesit Selami, sa arrita për herë të parë të kem një komunikim, që ishte më se emocional e mbresëlënës, sa mësuesit Selami përmes telefonit i dridhej edhe zëri, kur mësoi se isha nga qyteti I Ferizajt, ku edhe kishte dhënë mësim 70 vjet më parë!

Pasoi edhe një vizitë në Korçë me 11 Tetor 2016, me një delegacion ferizajas, në krye me ish kryetarin e komunës, Muharrem Sfarqa, në përbërje të të cilit ishte edhe veterani ia arsimit Ibrahim Hyseni, që kishte qenë nxënës i po atij gjimnazi ku mësuesi Selami kishte dhënë mësim. Ishte ky një takim i rrallë, ku edhe iu nda një mirënjohje nga kryetari i Ferizajt. Me atë rast mësuesi Selami, ndonëse kishte shkelur të 90-tatë,  ndihej shumë i ri, duke na thënë se edhe pse kanë kaluar kaq vite e dekada ai e ndien vetën më shumë kosovar se sa korçar, pasi në Kosovë e ka kaluar pjesën më të mirë të rinisë së tij.

Ndonëse në vazhdimet e ardhshme do të shkruajmë më gjatë për rrugëtimin jetësor të Selami Krekës në shërbim të atdheut dhe të shkollës shqipe, në dy anët e kufirit shqiptar, sa për fillim ju njoftojmë se ky mësues veteran u lind më 25 07 1926 në  katundin Krosnisht të krahinës së Gorës. Ndërsa që aktivitetin antifashist e filloi që në shkollën e mesme në qytetin e Korçës , për të dalë edhe partizan në mars të vitit 1943, duke marrë pjesë në disa beteja dhe pas vitit 1946 bashkë me dhjetar nxënës të akademisë ushtarake ndërprenë shkollimin për ti shërbyer shkollës shqipe në Kosovë, pasi siç tregon tash mësuesi Selami:  “Kosova sapo të arsimohet do ti bashkohet Shqipërisë! “ , kjo së paku iu tha nga Tiranë kur u nisën për Kosovë. Për që me të arritur në Prizren, që atëbotë ishte kryeqyteti Kosovës, fjalët ndryshuan: me një falënderim për mirëseardhje porse “Jugosllavia ishte një shtet i bresht dhe se duhej prit ditë më të mira”!

Sa i parket jetës private mësuesi Selami pasi u martua në Kosovë , aty i lindën dy fëmijë vajza Kaqusha, që ka lindur ne vitin 1948, e që tash jeton në Kanada dhe Ylli, që lindur në vitin 1952, dhe që ka ndjek rrugën e babait, atë të mësimdhënësit, profesor në një shkollë të mesme në Korçë., kurse  motra e vogël Mira ka lindur ne Korçë ne vitin 1959.

Në vazhdimet tjera rrugëtimi jetësor i Selami Krekës, në shërbim të shkollës shqipe në Kosovë, si dhe arrestimi, burgimi nga UDB-a dhe shkollimi i mëtejshëm deri në ditët e sotme, kur jeton në një familje me  djalin Yllin duke gëzuar jetën edhe me nipa e mbesa jo vetëm si gjysh por edhe katragjysh!

(Në këtë vazhdim, shumica e fotove janë nga jeta familjare e viteve më të hershme si dhe disa nga fotot që kam shkrep gjatë takimit në Korçë )