E pse qenka i pandershëm Ben Blushi?

Shkruar nga Nezir Myrtaj, Prishtinë, 21 shtator 2025

Këto ditë, publiku shqiptar, jo vetëm në Kosovë, pati rastin ta lexojë një shkrim të pazakontë propagande në rrjete sociale, të tipit të pamfletit, i shkruar, besohet nga një dorë e porositur dhe e paguar mirë. Autorin e shkrimit, Ben Blushi, ata që e kanë përcjellë rrugën e tij në politikë, e njohin si tipin kontradiktor e pervers të saj, si deputet e anëtar i Partisë Socialiste, e pas ikjes prej saj, si themelues dhe udhëheqës i partisë me emër tashmë të harruar LIBRA, deri në braktisjen e saj dhe ikjen edhe nga vetë politika drejt strehës së shkarravinave dhe abuzimit me fjalën e shkruar shqipe, si në shkrimin e publikuar me titull: E pse qenka i ndershëm Albin Kurti?

Duke qenë përjetues i realitetit të hidhur nën robërinë e gjatë serbe dhe i të gjitha turbulencave të luftës speciale në Kosovë dhe rreth Kosovës, para, gjatë dhe pas luftës së saj dekolonizuese, më ka rënë të lexoj pa mbarim shkrime me përmbajtje destruktive deri edhe fashiste, njollosëse, denigruese, fyese, likuiduese e përçarëse kundër Kosovës e shqiptarëve, por pamflet si të Ben Blushit, përçarës deri në palcën e kombit, me urrejtje skizofrenike, me të pavërteta absolute, me trillime absurde, me gënjeshtra të paskrupullta, me sajime imagjinare e me marrëzira të tjera, të shprehura me një gjuhë të egër linçimi e terrori si dhe me terma e metafora ogurzeza, siç janë shprehjet “insekt” e “albinsekt”, “korb”, “kthetër” e të ngjashme, nuk më kishte rënë të lexoja më parë.

Këtë shfrim të vrerit të tij, u prira ta pandeh si nevojë të kompensimit të dështimit të vet në jetën politike, e pastaj edhe në fushën e biznesit letrar e publicistik, por kjo ishte lajthitje, sepse nuk mund të konsiderohej i çastit dhe i rastit misioni për shpërndarjen e mesazhit të tij likuidues, vëllavrasës, puçist, përmbysës, kryengritës, antishtetëror, antidemokratik e anticivilizues, që të nesërmen e përhapjes së një lajmi të lëshuar nga ambasada e SHBA-ve në Prishtinë lidhur me të ashtuquajturin dialog strategjik, i cili lajm, pavarësisht nëse ishte apo jo i vërtetë, u dha impuls orekseve të ethshme të zgjatimeve të hegjemonizmit serb, karrieristëve, maskarenjve e puthadorëve, si dhe të gjithë kundërshtarëve të shtetit sovran të Kosovës, të cilët e nisën si në kor luftën speciale kundër institucioneve aktuale të shtetit. Në këtë kor korbash, shprehur me fjalorin metaforik të Ben Blushit, ky i fundit, institucionet e shtetit të Kosovës i njëjtësoi me kryeministrin Albin Kurti, duke e personalizuar shkarravinën kundër tij dhe duke fyer e sulmuar të gjithë votuesit e tij, si shumicë absolute e elektoratit shqiptar në Kosovë. Në këtë fushatë shfrenuese, ai si askush tjetër më qartë, kërkoi nga qytetarët e Kosovës, më saktë nga pjesa “albinsekte” e tyre, siç i quan ai votuesit e tij, që ta heqin qafe, ta shporrin e ta largojnë, sipas tij të keqen më të madhe të Kosovës, Albin Kurtin, duke i dhënë atij dimensionin e fantazmës dhe duke shpikur e rekomanduar edhe mjetin për arritjen e këtij qëllimi, e që është likuidimi i këtyre “albinsekteve”, pasi sipas zbulimit të tij, problemi në Kosovë nuk qenka “opozita”, por qenkan këto “albinsekte” të cilat po e ushqekan Albin Kurtin. Në këtë vazhdë, mbase pa dashur, ai dekonspiron edhe misionin në shërbim të të cilit është, pa e ditur se “të keqen më të madhe të Kosovës”, Albin Kurtin, shumë kohë para tij e kishin “zbuluar” dhe shpallur shumë herë, të gjithë kundërshtarët e shtetit të Kosovës, që nga Vuçiqi e teposhtë. Ben Blushi mund të jetë sulmuesi i fundit, që në mënyrë dëshpëruese, e nën plafin e “atdhetarizmit të tij të rrejshëm”, siç e kishte vlerësuar akademiku Rexhep Qosja qëndrimin e tij disa vjet më parë, në fund nxjerr në sipërfaqe edhe mjetin e vetëm të të dobëtit – shpresën – që “korbi” Albin Kurti të mos vazhdojë edhe për shumë kohë të ushqehet me “insektet” e tij.

Kjo psikologji e sëmurë, që pretendon ta mohojë produktin më themelor të demokracisë, siç është liria e përkrahjes nëpërmjet votës, pa dyshim është atentati më i madh ndaj saj, si dhe mesazhi më primitiv i dhënë nga sorosisti e klanisti Ben Blushi.

Megjithëse duhet të ketë një përkufizim për atë i cili vetë pyet dhe vetë përgjigjet, Ben Blushi u drejtohet të gjithë “kosovarëve”, siç i quan ai shqiptarët e Kosovës me zhargonin e matoshave e të kodoshave, për t’u solidarizuar me ta, me pyetjen: “E pse qenka i ndershëm Albin Kurti?”

Natyrisht, çdo shqiptar i Kosovës ka të drejtë legjitime t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, madje edhe me kundërpyetjen:

E pse qenka i pandershëm dhe maskara Ben Blushi?

E si nuk mund të jetë i pandershëm dhe maskara:

– ai që në mënyrën më të pacipë e pa pikë turpi i thotë publikisht kaq shumë të pavërteta lidhur me situatën në Kosovë, vetëm e vetëm për ta luftuar qeverinë e saj dhe për ta damkosur kryeministrin Albin Kurtin?

– ai që Kosovën e pesë vjetëve të fundit, me një sadizëm të papërmbajtur e përshkruan me ngjyrën më të zezë, me qëllim të mohimit të çdo arritjeje e të çdo suksesi të qeverisë, duke manipuluar me konstatime të paargumentuara, pa asnjë shifër e pa asnjë rezultat analize, lidhur me zhvillimin ekonomik, me investimet, me numrin e të papunëve, me numrin e të emigruarve, e të tjera, vetëm e vetëm që, për efekt propagande dhe fushate politike, ta nxjerrë si të dështuar qeverinë aktuale?

– ai që mohon hapur verdiktin e sovranit, duke e etiketuar kryeministrin e Kosovës me termat njollosës, siç janë: “njeri i papërshtatshëm”, “i paaftë”, “i dëmshëm”, “i paide”, “i mërzitshëm”, “demagog”, “poet i dështuar” (absurd), “delirant” e të tjera?

– ai që gjuan shigjeta helmi mbi qeverinë dhe kryeministrin e një vendi i cili e ka armikun e deklaruar te dera dhe vazhdon të përballet me kërcënimet e përhershme të tij, duke i dhënë atij mbështetje e frymëzim për veprime të tjera agresioni, në të njëjtën vijë e barrikadë me maskarenjtë e politikës, të injorancës e të misionit?

– ai që kryeministrin e Kosovës e quan korb, ikja e të cilit nga pozita e tij kushtetuese nuk qenka më diçka që i duhet lënë atij në dorë, por largimi i tij u dashka të bëhet nga “ata që e kanë krijuar”, pra nga vetë qytetarët e Kosovës, duke rekomanduar qartësisht përdorimin e metodave më anarkiste për ndërrimin e pushtetit?

– ai që i jep vetes të drejtë ta interpretojë krejtësisht njëanshëm bllokadën institucionale në Kosovë, duke nxjerrë njërin dhe të vetmin fajtor, kryeministrin Albin Kurti dhe në anën tjetër duke legjitimuar koalicionin e heshtur e të zëshëm bllokues, pas të cilit koalicion qëndrojnë interesat për restaurimin e situatës së para pesë vjetëve në të cilën gjendej Kosova?

– ai që, pavarësisht realitetit, Kosovën e propagandon si shoqërinë më depresive në Evropë, megjithëse sondazhet e ndryshme vjetore, jo pak herë e kanë nxjerrë popullatën e Kosovës ndër më optimistet?

– ai që përpiqet t’i paraqesë ashtu siç realisht nuk janë, alarmante, marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë, madje edhe më të këqija se në kohën e Jugosllavisë, duke fyer shqiptarët e Kosovës të cilët e kanë përjetuar shtypjen dhe diskriminimin nën regjimin jugosllav e duke mohuar sakrificat dhe përpjekjet e tyre për t’u çliruar nga thundra jugosllave?

– ai që me ndjenjë smirëzie mohon arritjen e mrekullueshme shekullore të shqiptarëve, siç është thyerja e kufirit Kosovë-Shqipëri si rezultat i derdhjes lumë të gjakut të pastër nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që sot ua mundëson shqiptarëve kënaqësinë e lëvizjes, duke trilluar marrëzinë, sipas të cilës njerëzve që po u takokan, Albin Kurti po ua ndaloka të duhen?

– ai që shtetin e Kosovës, të cilin e cilëson si “administratë albinsekte” e quan agjenci anti-Shqipëri, e cila po ndotka plazhet dhe po trembka turistët duke i çuar në Greqi?

– ai që, i vërbuar nga dallgët e urrejtjes, deklaron se në Kosovë nuk paska parë kurrë sentiment më të fortë kundër shqiptarëve të Shqipërisë, sesa sot?

– ai që trillon pa fije turpi, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje, nga një parti e themeluar kundër Serbisë, qenka kthyer në një parti kundër Shqipërisë (cili shqiptar gjakprishur mund të nxisë përçarjen e kombit më shumë se kaq!)?

– ai që në unison me gjithë maskarenjtë e tjerë, shpif në mënyrë të shpifur kundër kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se ai paska ushqyer me dashje akuzat e gjykatës së Hagës për ata që, siç thotë ai, çliruan Kosovën, megjithëse në asnjë prej seancave të kësaj gjykate, përsa dihet publikisht, nuk është përmendur një gjë e tillë?

– ai që…ai që…ai që…

Një shqiptarzi i mallkuar që përlyen e përçanë me aq shumë ligësi, siç ka bërë Ben Blushi, nuk do të duhej ta linte vetëm me kaq. Ai do të duhej ta kompletonte poshtërsinë e tij edhe me gjërat që i ka harruar, apo që bëhet sikur i ka harruar dhe, sikur edhe maskarenjtë e tjerë, ta akuzojë e ta quajë Albin Kurtin, “mashtrues”; “bashkëpunëtor të Serbisë e i Rusisë”; “tradhtar”; “antiamerikan”; “fashist” e të tjera dhe të mos hezitojë ta akuzojë edhe për “nënshkrimin” e asociacionit të komunave me shumicë serbe; edhe për decentralizimin mbi baza etnike; edhe për formimin e gjykatës speciale kundër UÇK-së; edhe për formimin dhe legjitimimin e dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë-Listës Serbe; edhe për operimin për më shumë se njëzet vjet rresht, të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë; edhe për organizimin e sulmit nga banda e Radojçiqit në Banjskë; edhe për dështimin e projektit të “shkëmbimit” territorial me Serbinë; edhe për vdekjen e idesë së të ashtuquajturit Ballkani i Hapur; edhe për demonstratat e serbëve në Beograd, kundër mikut të mikut të tij, Vuçiqit; edhe për braktisjen e plazhit shqiptar nga turistët italianë edhe, edhe, edhe…

Por, në fund, Ben Blushi do të duhej, së paku, ta kishte kurajën e maskarajt, që në përputhje me misionin e tij, të shprehej hapur e të thoshte se Kosova duhet ta njohë e ta respektojë preambulën e kushtetutës së Serbisë; se te ura mbi Ibër, në Mitrovicë, të riinstalohen rojat e urës; që sa më parë të formohet Republika serbe në Kosovë; që të tërhiqet flatarresti ndaj kriminelit Radojçiq e të tjera kërkesa si këto. Pra, të shprehej hapur e pa turp, pasi turpi nuk është për maskaranë.

Ai do të duhej të shprehej guximshëm, sepse po të ishte gjallë Ali Asllani, edhe sot do të thoshte:

Koha është e maskarenjve, po atdheu i shqiptarëve!