Mirishahe Xani më thotë se thotë se me 5 mars 1998 u granatua Polaci, katundi ku u lind. Po atë ditë, nga Polaci dhe Skënderaj forcat ushtarake serbe granatuan edhe Prekazin, katundin e Adem Jasharit. Në Polac, granatimet ranë aty nga ora 5 e mëngjesit, në kohën kur po çelej drita. Babai i Mirishahes nuk ndodhej në shtëpi.
Nga ditari i shkrimtarit, Petrit Palushi, Kukës
Një natë më parë ai shkoi në Prishtinë, ndërsa nëna e saj, në kohën kur ndodhën granatimet, me zë të dridhshëm u tha njerëzve të tjerë të familjes të largoheshin nga shtëpia, kurse për veten e saj, ajo kurrsesi s’mund të shkonte me ta, pasi nëna e burrit të saj qe shumë e sëmurë dhe e rënduar prej sëmundjes, prandaj nuk mund të lëvizte.
Mirishahja e la shtëpinë atë mëngjes marsi, që asaj iu duk i zi dhe i errët, sepse prej atij mëngjesi, së bashku më anëtarët e tjerë të familjes do të lëvizte nga katundi në katund, shpesh dhe nëpër male dhe pranë përrenjve, pa gjetur kurrë qetësi dhe tani në fundin e mbramë , ajo ndodhej në Kukës, e strehuar në katin e parë të një ndërtese të lënë përgjysmë qysh prej dy vjetësh. Kjo ndërtesë e lënë përgjysmë ndodhet mu në mes të Këndit të Lojnave për fëmijë, edhe ky mjedis i shkatërruar qysh prej pesë vjetësh. Që në fillim të prillit edhe ky mjedis i braktisur u mbush me të ardhurit nga Kosova dhe pothuajse të gjithë banojnë në çadrat e ngrehme mbi karroceritë e traktorëve. Në këtë mjedis gjenden 98 traktorë të tillë, të vendosur dy metra larg njëri – tjetrit.
Salla e katit të parë të ndërtesës ku është vendosur familja e Mirishahes dhe e njëmbëdhjetë familjeve të tjera është e rrethuar nga të gjitha anët me traktorë. Salla është e madhësisë tetë me tridhjetë dhe me lartësi 5 metra dhe këtu janë grumbulluar 60 anëtarë të 12 familjeve, të gjithë prej krahinës së Drenicës, por familjet kanë këtu vetëm një pjesë të anëtarëve të tyre. Pjesa që përfshin më tepër se gjysmën e anëtarëve (ata që mungojnë), ose janë vra nga forcat ushtarake serbe, atje në Kosovë, ose janë përfshi në formacionet e UÇK-së, ose kanë mbetur nëpër male dhe pranë rrënojave të shtëpive të tyre. Janë 12 familje të ndryshme, por ngjajnë si një familje e madhe 60 anëtarëshe dhe anëtarët e 12 familjeve përmendin emrat e kryefamiljarëve të tyre, pavarësisht se asnjëri prej tyre nuk ndodhet pranë: Gani Bekaj, Haxhi Bekaj, Sejdi Bekaj, Ismet Bekaj, Halim Osmanaj, Xhevat Osmanaj, Riza Osmanaj dhe Avdi Osmanaj nga Kllodernica, Shefqet Koca dhe Bislim Xani nga Polaci, Xheladin Shala nga Jashanica dhe Rustem Rrecaj nga Llausha. Në këtë familje 60 anëtarëshe ndodhen vetëm gra, vajza të rritura dhe fëmijë të moshës nën 15 vjeç. Jetesa e tyre në këtë vend i ngjan jetesës në një kamping të vogël: Kujdestarja e këtij kampingu apo kryezonja e kësaj shtëpie është Mirishahe Xani. Ajo thotë se në Kukës erdhën ditën e enjte, me 15 prill 1999 dhe një ditë më vonë u vendosën në këtë ndërtesë, nën të njëjtin kulm, me të njëjtin fat dhe shton se shpesh duket se 60 njerëzit nën këtë kulm marrin frymë njëlloj, zgjohen përnjëherësh dhe kur flenë, flenë si të vdekur, ndërsa ajo trazohet shpesh natën, jo nga lodhja, por nga ëndrrat, të cilat kanë filluar ta shqetësojnë së tepërmi, sidomos pas mbërritjes në Kukës. Kur e lanë shtëpinë për herë të parë më 5 mars 1998, ajo s’e kish menduar kurrë se do të shtegtonte prej njërit katund në tjetrin.