Ç’kuptim kanë reklamat pa hesap

Siç e dimë edhe nga fjalori reklamat janë njoftime publike që kanë të bëjnë me kulturën, për libra, për shfaqje teatrore, filma, këngë, festivale, spektakle, etj, etj. Për të kaluar te mallëra e punë tregtie, e për lloj-lloj veprimtarie, publike e private, për lloj-lloj produkti etj, etj. Mund të themi se është kohë që nuk bën pa reklamë, qofshin këto të transmetuara medieve të të gjitha llojeve, rrjeteve të ndryshme sociale, por edhe vënia e tyre broshurave, posterëve, afisheve,  pllakateve.

Me anë reklamash aq shumë po bëhet bujë, saqë nga ajo që mëtojmë të themi, edhe pas një vështrimi e vëzhgimi sado të thjeshtë do ta vërejmë se edhe në këtë fushëveprimtari, shkelja e tejkalimi i rregullave kanë shkaktuar gjithë këtë kaos e rrëmujë, sa që s’ka si të na bëjë të mos themi diç, kur puna ka shkuar deri aty sa të mos na trazojë ky banalizëm përbërë me shund e kiç.

Kah e ku të fillojmë më parë për të dhënë shembuj, e për ta ilustruar, këtë që nisëm ta shfaqim si problem që lë dhe gjurmë shqetësimi pas. Po nise prej derës së shtëpisë. Prej derës së shtëpisë?! Po nëse do dhe prej dritareve, oborreve, ballkoneve,  a edhe prej mureve. Po, po, pasi hije të tyre të purpurta, të kaltëreme, të verdhëllimta hyjnë brenda si mysafire të paftuara. Saqë mund ta marrësh telefonin, të bësh një shkrepje faktimi e dokumentimi, qoftë edhe pa fjalë, ose edhe me fjalët: “Po bëhemi vend i reklamave, e aq shumë po merr hov reklamizimi, sa që…” … të mbetet me përzgjedhë edhe ca shembuj tjerë për të dëshmuar se këto që po thua nuk kanë ndonjë tendencë qëllimkeqe, por bëhen me qëllim të mosnxënies kaq të madhe të hapësirave publike, e që shfaqen me një vrazhdësi imponuese, qiell- diell-e -hënë-nxënëse sa gjithë kjo, të duket shumë e egër dhe e pakuptimtë. Në qytezën ku jetoj kjo dukuri është shumë e theksuar, por kjo vërehet dhe qytetet tjera, në rrugë, në lagje e zona tregtare e industriale, me dallime të vogla. Sidomos bijnë në sy shtyllat e stërmëdha metalike që s’di a do të mund t’i përthekosh me duar, sigurisht disa tonëshe për ta mbajtur kokën katërkëndshe me mbishkrim firme, si të ishte kokë dinozauri andej kah Amazona. Si për ta bërë paksa në të kapshëm e më të lehtë përshkrimin për këtë temë si të ishte byrek i nxehtë me jogurt, një të tillë dinosaur do ta vërejmë tashmë edhe brenda një qendre të madhe tregtare, për të na u kujtuar vargjet: “Kur superkafshët dridhnin botën/Njeriu në gjunjë nuk u ul/Ka pasur vite të mamuthëve/Po kohë të tyre s’pati kurrë/“ nga poezia “Koha e popujve” e Ismail Kadaresë. Dhe popujt këtë kohë duhet ta kthejnë në të mirë të tyre, jo të bëhen qytete pa reklama, por ato t’i përdorin në të mirë të tyre, me masë e me stil. Në një qytezë gjermane ku kam qëndruar për dy javë, kam parë se sa e rëndësishme e sa mirëmbahen hapësirat publike. Ajo qytezë me ekonomi shumë të zhvilluar, me lloj-lloj fabrike e punëtorie, bile dhe me një firmë të njohur botërore të një veture, edhe brenda hapësirës së saj ku ndodhej, objektet nuk e kishte stërngarkuar me reklama, e as brenda qytezës nuk shihje njoftime për ta tërhequr vëmendjen. Gjithashtu shumë më ka pëlqyer dhe një lagje në Shkodër, ku për të parë ca reklama biznesesh duhej të afrohej shumë afër tyre, për të parë se për çfarë bëhej fjalë, për ndonjë dywan suveniresh, për ndonjë rrobaqepëse, për ndonjë kafene a për ndonjë këpucar. Na mjafton të mësojmë prej të mirave, kudo që ato i shohim e ndeshemi me to.

Shumë gjëra mund t’i rregullojmë në vend që t’i lëmë të marrin hov, siç po na ndodh, me një tendencë reklamizimi, që mos të shohim asgjë tjetër përtej hundëve tona përveç reklamave. Dhe kjo pastaj po na nxjerr ca fjalë jo të këndshme, në vend që të na nxirrte fjalë për ndonjë gjë që do të fliste për hapësirë, ajër e diell që na përket të gjithëve, që të ndjehemi sa më mirë që të jetë e mundur. Sidoqoftë është mirë të nisim nga diçka që do na këndellte, e do të na jepte ngazëllim e gëzim për të parë se mundemi të mos e ngarkojmë kaq shumë vetën e jetën, me synimin për të garuar se kush po duket më shumë, kush po bie më shumë në sy, kush kujt po ia shkon, siç thotë ajo anekdota jonë popullore se mira nuk na vije duke i thënë njëri-tjetrit “ ma shkove e ta shkova, po ma ndihmove, e ta ndihmova” e ta nisnim ta zgjidhnim urtë e butë këtë problem të cilin do të duhej ta zgjidh ligji e Maliqi, Meti e shteti, Mrika e republika. Pastaj zbutja e largimi i këtij kaosi të reklamizimit  do të ishte në të mirë tonë e të vetë reklamave, që do na shërbenin të gjejmë udhën më lehtë.

Lehtë me folë, e me shkru’për shumë probleme që na kanë rrethu’, e po grumbullohen, e çdo ditë e humbur për ne nëse nuk nisin me u zgjidh në mënyrën më të duhur, në mënyrën më të mirë të mundshme…