Bislim Elshani: Me rastin e 23-vjetorit të zhdukjes së Ukshin Hotit

Ukshin Hoti si gur i provës
Shkëputur nga studimi i Gent Carrabregut:
VARIACIONE HEGELIANE: ÇËSHTJA SHQIPTARE DHE IDEALIZMI REALIST HOTIAN
Në dialogun e famshëm platonik Gorgias, ndër veprat më politike të Platonit, ku mbrohet dallimi qenësor mes filozofisë dhe retorikës—pak a shumë, do mund të thoshim, siç Ukshin Hoti përgjatë viteve ‘90 përpiqej të mbronte autonominë e filozofisë politike nga retorika romantike e politikisht inferiore e Qarkut Kulturor të Prishtinës—Sokrati pohon se ka tre kushte që karakteri i një bashkëbiseduesi duhet të përmbushë për të funksionuar si gur prove apo gashtë* për shquarjen e së mirës nga e keqja. Këto tre kushte janë si vijon:
  • (i) dija (kushti epistemologjik),
  • (ii) vullneti i mirë (kushti i parë moral), dhe
  • (iii) guximi për të folur hapur mendjen (kushti i dytë moral). Gjatë gjithë jetës së tij, Sokrati ishte në kërkim të një bashkëbiseduesi ose miku të përsosur që do të mund të plotësonte këto tre kushte në mënyrë që të mund të gjykonte me kompetencë nëse, në fakt, metoda dhe përmbajtja e pikëpamjeve të tij ishin të qëndrueshme, pra të vërteta. “Disa që takoj gjatë shëtive të mia të përhershme nëpër agoren athinase”, thotë Sokrati, “janë të paaftë të më gjykojnë sepse nuk janë të dijshëm (të mençur).”
Disa të tjerë, pastaj, vazhdon Sokrati, e kanë dijen, por u mungon vullneti i mirë ndaj meje, pra nuk më konsiderojnë mik apo nuk ma duan të mirën. Në fund, ka edhe disa të tjerë akoma, përfundon ai, që mund t’i kenë të dyja, pra edhe dijen edhe vullnetin e mirë, por që u mungon guximi për ta ma thënë të vërtetën shkoqur dhe në sy.
Vetëm ata që mund të plotësojnë këto tre kushte mund të shndërrohen në gur prove. Përndryshe, termi gur prove vjen nga guri me të njëjtin emër dhe me ngjyrë të zezë që në të kaluarën përdorej për të fërkuar arin dhe argjendin me qëllim që të vërtetohej pastërtia apo autenticiteti i tyre. Në varësi të shenjës që linte në gurin e provës fërkimi me ar ose argjend, mund të thuhej se sa i pastër ose i papastër ishte ari ose argjendi që kishim në duar. Nuk do të ishte kurrfarë ekzagjerimi të thuhej se Sokrati gjithë jetën e vet e kaloj duke kërkuar një bashkëbisedues që të mund të përmbushte të tre kushtet e mësipërme. Dhe gjithë jeta e tij, ashtu sikurse edhe fundi tragjik i saj, u bën dëshmi e vështirësisë, për të mos thënë pamundësisë së gjetjes së një bashkëbiseduesi apo miku të vërtetë të filozofisë që të kishte të tria virtytet e përmendura më sipër: pra,
  • (i) dijen apo mençurinë (kushti epistemologjik),
  • (ii) vullnetin e mirë (kushti i parë moral) dhe
  • (iii) guximin për të folur hapur mendjen (kushti i dytë moral). Ai megjithatë gjykoi që ia vlente edhe të vdisej duke kërkuar mikun e përsosur apo gurin e provës që do mund të dëshmonte gabimet e tij.
Në këtë përpjekje jetësore që ia mori jetën për t’ia dhënë përjetësinë, ai u akuzua nga lloj-lloj grupesh në Athinën e lashtë, të cilat i bënë lloj-lloj akuzash, më të njohurat prej të cilave qenë akuzat për korruptimin e rinisë athinase dhe për ofendimin e perëndive zyrtare të qytetit. Duke vendosur për ekzekutimin e tij, shoqëria athinase tregoi se nuk ishte aq demokratike dhe e lirë sa kishte dëshirë të mendonte. Kështu, duke kërkuar pa reshtur gurin e provës që do mund ta provonte gabim vetë atë dhe duke e paguar me jetë këtë përpjekje, Sokrati u bë vetë gur prove për aspiratën athinase për demokraci dhe jetë të mbarë (eudaimonia). Sot as filozofia politike perëndimore dhe as demokracia nuk mund të mendohen pa Sokratin dhe sakrificën e tij.
Jeta dhe vepra e Ukshin Hotit ishin dhe mbeten një gur prove në raport me aspiratën popullore të shqiptarëve të Kosovës për republikë të pavarur, si “hallka tranzitore”, siç e quan ai, në drejtim të zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare—bashkimit me shtetin nukleus shqiptar.
Me veprën e vet studimore, që për të—si një studiues i politikës në traditën e teorisë kritike hegeliane dhe marksiste—nuk mund të kuptohej ndryshe pos si praxis, pra praktikë teorike me pasoja për realitetin politik, Ukshin Hoti i ftonte të gjithë për pozicionim politik. Mund të ishe përbri ose kundër tij, por kurrsesi indiferent ndaj tij. Nuk mund të pretendoje që e ke seriozisht punën e Kosovës republikë e të mos thoje se çfarë mendon për Ukshin Hotin. Republika dhe Ukshini u njësuan dhe ky njësim ndodhi pikërisht sepse ai kishte të tria cilësitë që, siç na mëson Sokrati tek dialogu Gorgias, duhet t’i ketë një gur prove i vërtetë. Ai kishte dijen apo mençurinë (kushti epistemologjik), vullnetin e mirë, si dhe guximin e palëkundur për të folur hapur mendjen e vet (kushtet morale). Në një kuptim, ai duhej të burgosej, izolohej, etiketohej e heshtej si nga pushteti serb ashtu edhe nga pjesa dërrmuese e asaj që në atë kohë filloi të njihej si “alternativa kosovare” pikërisht sepse duke pasur këto tri cilësi ai e nxirrte në pah qartësisht dhe njëkohësisht mosseriozitetin e të parëve për një federatë të të barabartëve (d.m.th. për një federatë ku të gjithë popujt do të ishin të barabartë në lirinë e tyre për të vetëvendosur) dhe mosseriozitetin e të dytëve për republikë të mirëfilltë të Kosovës, si hap i rëndësishëm, ndonëse kalimtar, në drejtim të zgjidhjes së asaj që Hoti e quante çështja shqiptare.
I njëjti gur prove sillte para vetëkundërthënieve morale dhe racionale si politikën jugosllave ashtu edhe politikën e “alternativës kosovare”. Kundërshtari politik nuk mund të urrejë gjë më shumë sesa ta gjejë vetveten në kundërthënie morale dhe racionale. Hoti ishte i vendosur që në shërbim të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare ta paraqiste këtë çështje si gurin e provës që ka aftësinë të testojë tri gjëra njëkohësisht:
  • (i) njëmendësinë e sllavëve jugorë për një Jugosllavi të qëndrueshme, siç disa vazhdonin të deklaronin se e donin,
  • (ii) njëmendësinë e alternativës kosovare për republikë të mirëfilltë të Kosovës si hap i nevojshëm drejt bashkimit të mëpastajmë me Shqipërinë, dhe në fund fare,
  • (iii) në kontekst të situatës së krijuar me rrëzimin e Murit të Berlinit, çështja shqiptare, argumentonte me ngulm Hoti, është edhe gur prove që teston njëmendësinë e projektit evropian për bashkimin e Evropës, përkatësisht dhënien fund të ndarjes që kishte imponuar mbi kontinentin e vjetër gara gjeopolitike ruso-amerikane e Luftës së Ftohtë. Ukshin Hoti u bë gur prove i aspiratës sonë për zgjidhje të drejtë të çështjes shqiptare duke argumentuar për çështjen shqiptare si një gur prove i trefishtë. Autenticiteti, ajo që vetëm guri i provës mund ta dëshmojë, ishte jo rastësisht fjala kryesore e teorisë së tij politike.
Të gjithëve na duket absurde që ortopedi të na operojë zemrën apo anasjelltas, pra që kirurgu kardiovaskular të na e ngjisë dorën e thyer, por seç ka diçka që lidhet specifikisht me politikën që e bën atë një fushë ku të gjithë pretendojnë kompetencë, pa marrë parasysh përgatitjen. Kjo e mundon Hotin si studiues i politikës, si njeri me predispozitë ndaj së vërtetës në politikë, ashtu siç i ka munduar të gjithë studiuesit e filozofët e mirëfilltë të politikës përgjatë gjithë historisë së filozofisë politike perëndimore. Ndaj jo rastësisht, libri i tij Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare hapet me një reflektim mbi marrëdhënien komplekse mes gjuhës, politikës dhe leximit.
* Termi në greqishten e lashtë është basanos.