Politikani socialdemokrat me prejardhje shqiptare, Arbër Bullakaj, do të bëhet anëtar i Parlamentit Kombëtar të Zvicrës (Nationalrat). Ai do ta marrë mandatin më 27 prill, pas dorëheqjes së deputetes së deritanishme Claudia Friedl nga Partia Socialdemokrate (SP) e kantonit St. Gallen.
Claudia Friedl i jep fund një karriere të gjatë parlamentare prej 33 vitesh, gjatë së cilës ka shërbyer në parlamentin e qytetit, në parlamentin kantonal dhe që nga viti 2013 në parlamentin federal të Zvicrës. Në reagimin e tij publik, Arbër Bullakaj shprehu respekt të veçantë për kontributin e saj të gjatë politik dhe e falënderoi për punën dhe përkushtimin ndaj jetës publike.
Rruga e Arbër Bullakajt drejt parlamentit federal është ndërtuar me këmbëngulje gjatë më shumë se një dekade angazhimi politik. Ai kandidoi për herë të parë për Këshillin Kombëtar në vitin 2015 në listën e Partisë Socialdemokrate në kantonin St. Gallen. Edhe pse në atë kohë ishte relativisht pak i njohur dhe pa mbështetje të madhe financiare, fushata e tij u mbështet nga një rrjet i gjerë qytetarësh dhe aktivistësh që u angazhuan vullnetarisht për kandidaturën e tij.
Në zgjedhjet federale të viteve 2019 dhe 2023, Arbër Bullakaj arriti rezultate të forta elektorale duke u bërë kandidati më i mirë i ri dhe duke zënë vendin e parë në listën e zëvendësuesve. Me dorëheqjen e Claudia Friedl, ai tani do të hyjë në parlamentin federal si deputet i ri nga kantoni St. Gallen.
Gjatë angazhimit të tij politik, Arbër Bullakaj ndër të tjera është bërë i njohur edhe për nismën qytetare “Aktion Vierviertel”, e cila synon zgjerimin e pjesëmarrjes demokratike në Zvicër dhe përfshirjen më të madhe të banorëve me prejardhje migrante në proceset politike. Nga kjo nismë ka lindur edhe e ashtuquajtura “Iniciativa për Demokraci”.
Në deklarimet e tij publike, Arbër Bullakaj ka theksuar se në parlament do të angazhohet për një ligj më të drejtë të shtetësisë për njerëzit që jetojnë në Zvicër, për marrëdhënie të qëndrueshme dhe të besueshme të vendit me Evropën dhe botën, për një qasje të përgjegjshme ndaj digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale, si dhe për forcimin e politikave kundër diskriminimit.
Hyrja e tij në Parlamentin Kombëtar është pritur me entuziazëm nga shumë aktivistë socialdemokratë dhe nga komuniteti shqiptaro-zviceran. Për shumë prej tyre, ky moment shihet jo vetëm si sukses personal i Arbër Bullakajt, por edhe si një hap i rëndësishëm për përfaqësimin politik të qytetarëve me prejardhje migrante, gjegjësisht atyre transnacional dhe me këtë edhe shqiptaro-zviceran në institucionet federale të Zvicrës dhe jo vetëm.



















