Ruri, katund arbëresh ku valon flamuri ynë kombëtar e shqipja është ende e gjallë

Gjatë shtegtimeve të mija nëpër vendbanimet arbëreshe në Italinë e jugut, katundin Ruri (ita. Ururi) që gjendet në Molise të Ulët në provincën Campobasso, me rreth 3.000 banorë, pata rastin ta vizitoj më 21 Korrik 2018. Ruri, që është një vendbanim me origjinë shqiptare është i vendosur në një kodër të vogël jo larg bregdetit të Adriatikut dhe rreth 60 kilometra nga Campobasso. 

Teksti e fotot Rexhep Rifati

Për të arritur deri te ky katund, që më tepër i ngjason një qyteze, bashkë me dy shoqëruesit e mi, po ashtu mërgimtarë nga Zvicra: Gjergj Prenkoçajn dhe Shefqet Cakollin bëmë një udhëtim prej disa kilometrash nga fshati tjetër i vjetër arbëresh Qefti (it: Chiueti), në hyrje të Rurit na priste një tabelë e madhe me mbishkrimin në dy gjuhë: “Mirë- si erdhët në Rur”, e mbishkrime të tjera po ashtu në dy gjuhët por edhe një shqiponjë e madhe në bronz brenda parkut qendror të Rurit. Ndërsa që  edhe në sheshin kryesor, ku ishin ngrit Bashkia e qytetit dhe biblioteka, hasëm jo vetëm në mbishkrime dygjuhëshe, por krahas flamurit italian, valonte edhe flamuri ynë kombëtar.

Sa i përket emrit dhe gjenezës së Ururi rrjedh nga etimologjia e shtëpisë së lashtë në fermë të „aurole“, e cila në demin papal të Lucius III të 1181, quhet „Aurora“.

Ruri, përndryshe kufizohet në veri dhe në lindje nga Komunat e  San Martinos e në perëndim me Komuna e Larinos, ndërsa në jug nga Komuna e  Mantorio Frantelit dhe ajo e Rotellos. Nga ajo që pam derisa arritëm në Ruri, shihet se burimi kryesor i të ardhurave këtu është bujqësia, e praktikuar me teknikë dhe mjete të avancuara dhe me një shpirt sipërmarrës.

Mësojmë gjithashtu se midis kulturave kryesore janë: gruri, ullinjtë, vreshtat, lulja e diellit, dhe produktet e tyre të cilësisë së lartë (vaj, verë). Ndërkohë që janë duke u zhvilluar edhe ndërmarrjet artizanale dhe përpunimi i produkteve bujqësore.

Për turistët është me interes të dihet se kuzhina e Rurit përfshin: ragu me mish qengji, makarona shtëpie, ëmbëlsira e Pashkëve dhe e Krishtlindjeve (poprati, caranjue), pampanella dhe kukureci i famshëm (i mbushur me të brendshmet e qengjit).

Ndërsa që, vendi ngrihet dhe zhvillohet rreth një manastiri benediktin ndërtuar rreth vitit 1000 dhe vilës së Aurolës apo Aurorës, e braktisur pas tërmetit shkatërrues të vitit 1456. Muret e mbetura tregojnë në një farë mënyre ekzistencën e manastirit të lashtë dhe Vilës dhe supozohet se mund të jenë ngritur në pjesën më të lartë të fshatit Ururi, ku sot është qendra historike e vendit, veçanërisht ngaqë manastiri i është kushtuar Shën Marisë, ashtu si dhe famullia e kishës së vjetër.

Sa i përket vendosjes së  shqiptarëve, ajo ndodhi në disa valë, duke filluar në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë si rezultat i pushtimit otoman të Shqipërisë. Për ata tashmë të vendosur në vendin e kapitenëve, pasues të drejtuesit Gjergj Kastrioti Skënderbeut, iu lejua nga peshkopi i Larinos, kryezot i vendit, të ripopullojnë shtëpitë e shkatërruara. Ndër familjet e para që u vendosën: Pleshia , Muzaka, Peta, Likursi , Gllava, Syziu, Intrevado, Vasili , Koka, ende të pranishëm në vend.

Sa i përket gjuhës edhe më tej ekziston një lidhje e fortë me origjinën gjë që këtë e hasëm edhe në komunikime me vendasit e edhe gjatë një ndeje të shkurte në një kafe, ku pamë se shqipja, gjegjësisht gjuha arbëreshe, ruhet kryesisht në formë gojore. Mësimet bazë sigurohen nga Instituti i Shkollës Gjithëpërfshirëse, kopshti, shkolla fillore dhe e mesme. Kulti fetar, katolik, ka dy kisha, njëra prej të cilave daton në 1700. Për të mbrojtur rendin publik është stacioni i policisë, ku po ashtu pamë mbi shkrimin edhe në shqip.