Një përgëzim në 70- vjetorin e aktorit Ismet Krasniqi LALA  

Sot në 70 vjetorin e lindjes, ca rreshta kushtuar një figure sa më të veçantë, sa bujare e fisnike aq edhe artistike, të brumosur në fusha të ndershme arti: qoftë si aktor, shkrimtar e organizator, kudo i suksesshëm dhe mbi të gjitha përherë i afërt, i dashur e njerëzor. Dhe padyshim ky është miku dhe artisti e shkrimtari ynë: Ismet Krasniqi- LALA, që për habi i paska mbush sot të 70-tatë, ngase ai asnjëherë me sharmin, humorin dhe afrinë njerëzore, apo më mirë me thënë vëllazërore, nuk e lenë një përshtypje të tillë.

Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati

Ismeti apo LALE, siç njihet në mesin e miqve apo të komunitetit artistik është i lindur më 16 mars në Drenoc të komunës së Malishevës, por që nga viti 1969 jeton në Klinë, e që pos Fakultetit Filozofik – Dega Filozofi Sociologji është i diplomuar edhe në Akademinë e Arteve në klasën e Enver Petrovcit, pasi që pasion jetësor kishte teatrin në të cilin me shumë sukses luajti në dhjetëra role që nga rinia e tij e hershme duke u kurorëzua edhe me shumë e shumë mirënjohje e falënderime.

Nuk u shkëput as fotografia e gazetaria

Por ai në një mënyrë nuk u shkëput as nga gazetaria, pasi që qysh si student ishte i angazhuar edhe fotoreporter në gazetën studentore “Bota e re”, ndaj edhe sot kur ka shkel në të 70-tatë ate në çdo manifestim e gjen me aparat në dorë e jo rrallëherë edhe me mikrofon di drejtues apo moderator shumë të suksesshëm manifestimesh të karakterit lokal apo edhe në nivel kombëtar.

Pas punës mësimdhënie ne gjimnazin e Klinës “ Luigj Gurakuqi”, në vitet 1986-1990, po në këtë qytet ishte drejtor i Shtëpisë së Kulturës “Jehona e Dukagjinit”. Më pastaj në shumë festivale e manifestime kulturore, e sidomos në festën tradicionale Dita e Plisit, shquhet si moderator dhe organizator i shkëlqyeshëm, duke krijuar përherë një atmosferë të hareshme dhe komunikuese me publikun pjesëmarrës. Ndërsa që me me shfaqje të ndryshme ku ka luajt role të shumta, pos në Kosovë është paraqit edhe në shtetet të ndryshme jo vetëm në nivel Ballkanik por edhe evropian si në Gjermani, Zvicër e të tjerë.

Krijues i dalluar i letrave tona

Ismeti shquhet edhe si krijues i letrave tona, me shkrime estetike letrare, duke qenë edhe autor i disa botimeve kryesisht monografive kushtuar figurave të shquara të folklorit, artit popullor por edhe ngjarjeve të rëndësishme të artit, duke mos e përjashtuar edhe librat kushtuar autorëve që veprojnë në mërgatë.

Prej kohësh është edhe anëtarë i klubeve dhe shoqatave letrare, si në nivel lokal si në Klubin e Shkrimtarëve “VOREA UJKO” ashtu edhe në atë “PEGASI ALBANIA”

Organizator i shkëlqyeshëm i “Ditës së Plisit në Kosovë

Ja edhe një shkrim i im i shkurt për organizimin e Ditës së Plisit nga miku dhe organizatori ynë i shkëlqyeshëm Lale, në katundin Uçë të Istogut, më 30 Qershor 2018:
“Gjatë ditës së sotme isha pjesëmarrës në Edicion jubilar, të pestin me radhë të Ditës së Plisit të mbajtur në fshatin Uçë të Istogut, ku pati një pjesëmarrje nga anë të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë dhe trojeve të tjera etnike. Ishte ky një manifestim gjithë popullor i përshkuar me kumtesa nga Prend Buzhala e Sadik Bicaj, lexime letrare, barsoleta dhe këngë e valle.

Ishte vërtetë një manifestim që vetëm mund të dëshirohet. Me propozimin organizatorit, Ismet Krasniqi – Lala, në të ardhmen festa e Plisit në Kosovë do të organizohet me 5 Maj, në ditëlindjen e kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Në këtë manifestim mori pjesë edhe një grup artistësh nga Shkodra, bashkë me drejtuesit e  Shoqatës Atdhetare DUKAGJINI nga Shkodra, në krye me Ndue Sanajn, e cila ndau disa mirënjohje për dëshmorët e këtij fshati, përfshi edhe Shkollën 9- vjeçare «Tre dëshmorët e shkollës shqipe, me «Mirënjohja Martin Camaj”.

Kjo ditë festive e Plisit tonë u përcoll me vallëzime dhe me një drekë tradicionale të vendaseve mikpritës, të cilët bashkë me organizatorin e kishin stolis  jo vetëm ambientin me simbole kombëtare por edhe rrugët deri tek oda e Daut Fetahajt.

E bija Majlinda: Qëndro kështu Baba!  

Po në planin familjar, çfarë është Ismeti ynë i respektuar, për këtë sot shkëputëm urimin e të bijës së tij Majlinda Krasniqi Gashi:

“Sot ditë e veçantë për të gjithë Familjen tonë e sidomos për Ty, sot Babi, ti feston 70 vjetorin. Sa do doja të isha afër të përqafoja, të uroja dhe ti cakërronim gotat së bashku. Mbasi jam unë ajo qe ta dhashë titullin baba do i them disa fjalë te bukura për ty plot dashuri …

Urime për babin më të mirë në botë, jemi shumë me fat që të kemi .Ti dëshiroj të gjitha mirat e botës, shëndet ,lumturi e harmoni…Emri babë te jep forcë, siguri, jo vetëm kur isha fëmijë , por edhe tash që jam e rritur …Gjithmonë je mundu me at forcë që e kishe me na plotësua çdo dëshirë.

Çdo herë e pate forcën, vullnetin të punosh me ndershmëri, andaj jo vetëm nga Familja por edhe nga rrethi kolegët e shoqëria gëzon respektin me të madh.

Qëndro kështu si je ,me plot kuptimin e fjalës je gjithçka për mua. Të duam ne Familja jote pamasë dhe te falënderohemi ty Babi e Mamit tonë për çdo sakrificë dhe sfidë qe keni kaluar për ne sepse nuk ishte e lehtë qe 6 fëmijë ti rritni, ti edukoni e ti shkolloni, por falë jush jemi sot ku jemi, por fakti me i bukur është qe jeni të rrethuar nga 14 nipa e mbesa ..

Urime Ditëlindjen Babi te puqim gjithmonë!

Gëzuar !

( Fotove autoriale ia bashkëngjita edhe një foto – urim të vajzës së mikut Lalës)