Në ditëlindjen e Sylë Mujajt, që krijoi vepra unike nën peshën e prangave !

 

Vet personaliteti, si edhe vepra e tij shumëdimensionale, përcjell me forcë tragjizmin e një populli të tërë nën peshën e dhunës.- Ndërsa, që piktura e tij u krijua në heshtje, nën peshën e prangave, nga një copë laps të mprehtë e një letër cigareje; një pikturë e lexueshme dhe shumë domethënëse.

 Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Sot e ka ditëlindjen njëri nga personalitetet më komplekse të mërgatës sonë në Zvicër: piktori, poeti e atdhetari i spikatur Sylë Mujaj ( lindur më 30 maj 1958 në Dugaivë, Rugovës)

Piktori, Sylë Mujaj, që është jo vetëm miku im por edhe shumë e shumë mërgimtarëve ka një histori dhe biografi të tërë, sa të dhembshme aq edhe krenare. Ai para se të mbaronte studimet arrestohet nga policia serbe si pjesëmarrës i demonstratave studentore, në mars të vitit 1981 dhe dënohet me 10 vjet burg, nga të cilat, mbi shtatë vjet i kalon në izolim. Tek me ndihmën e Amnistisë Internacionale dhe Komitetit të Helsinkit arrin të lirohet.

Ana tjetër e medaljonit e mikut tonë të çmuar është arti, sidomos piktura e poezia.

Sylë Mujaj është njeriu që prej mungesës së lirisë, krijoi vargje që tronditin me forcën e tyre realiste dhe me fuqinë e tyre artistike. Ndërsa piktura e tij u krijua në heshtje, nën peshën e prangave, nga një copë laps të mprehtë e një letër cigareje; një pikturë e lexueshme dhe shumë domethënëse. Ajo përcjell me forcë tragjizmin e një populli të tërë nën peshën e dhunës.

Prej vitesh Sylë Mujaj jeton me familje në Lugano të Zvicrës. Përkundër shëndetit të dërmuar edhe më tej krijon pa ndërpre: punon mozaikë të mrekullueshëm, ku prin motivet nga vendlindja: Gryka e Rugovës, frymëzim i përhershëm i tij.

Janë edhe dy figura madhore të artit shqiptar e botëror, që na lidhin edhe më tepër me te: aktori Aleksandër Moisiu dhe piktori Ibrahim Kodra, veçmas jubiletë e tyre. Syla sikur bashkëjeton mes këtyre dy artistëve tanë me përmasa ndërkombëtare, duke i shënuar datat që lidhen me jetën dhe veprën e tyre. Për Maestron Kodra është përkujdes me tërë familjen, sidomos kur piktori përballej me sëmurje e pleqëri. Jo pa arsye edhe vetë Kodra e çmonte shumë artistin që e ka sot ditëlindjen. Maestro duke u mbështet edhe në një shprehje të Garsia Lorkës, thoshte se vizatimet dhe poezitë e Sylë Mujajt na bëjnë të kuptojmë se: “Jeta nuk është ëndërr, por mish i gjallë”, përfundon Kodra.

Ky është pra Sylë Mujaj artisti i tretë, pas Moisiut e Kodres, që jeton e vepron në qytetin e Luganos. Ndaj edhe me këtë rast në përfundim të kësaj dite kur Syla ynë  mbushi 62 vjet jetë, ndaj edhe i urojmë me shumë përzemërsi edhe shumë urime vite e vepra të reja arti.

Gëzuar edhe njëherë miku, artisti dhe atdhetari i shquar Sylë Mujaj!

 ( Me këtë rast edhe disa foto nga ekspozita e Sylë Mujës në Ambasadën e Kosovës në Bernë)