Nga Durrësi, sot një lajm i hidhur për ndarjen nga jeta në moshën 80 vjeçare edhe të një miku të madh të shqiptarëve, ish- industrialist i njohur zviceran, Rolf Alther, i cili në vitin 2007 themeloi Shoqatën Zvicër-Shqipëri (Gesellschaft Schweiz-Albanie), duke u angazhuar deri në frymën e fundit për thellimin e bashkëpunimit ekonomiko- shoqëror mes Zvicrës e Shqipërisë, ndërsa që në dekadën e fundit me të shoqen, Sofijen, nga dashuria e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët blen dy banesa në Durrës, ku edhe kërkonte që prodhimet shqiptare të bliheshin para se ato kineze.
Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati
Për ndarjen e mikut tonë, sot kryetari aktual i Shoqatës Zvicër- Shqipëri (Gesellschaft Schweiz-Albanie), Lars Haefner, i cili përkujtoi angazhimin e madh që tregoi Rolf Alther edhe sa ishte në Zvicër, por edhe pas shpërnguljes së tij me familje në Durrës, si një mik i i vërtetë
i gjithë shqiptarëve pavarësisht se ku jetojnë ata. Me këtë rast z. Haefner falënderon ish- kryetari e parë të shqotës së tij, për angazhim konkret për thellimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të Zvicrës e Shqipërisë por edhe Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi
Duke ngushëlluar miken dhe të shoqen, Sofije Simoni, për këtë ndarje të dhembshme po sjelli fotot nga një takim që pata me këtë çift në Durrës, si dhe shkrimin tim autentik të botuar në librin tim “Shqiptarët në Zvicër- 100 pamje”, ku bëhet fjalë për angazhimin e Rofit dhe rolin që luajti shoqata që themeloi:
Në radhët e miqve zviceranë, që prej vitesh angazhohet për thellimin e bashkëpunimit midis Zvicrës e Shqipërisë, por edhe të Kosovës, është edhe afaristi Rolf Alther, themelues ndërmarrjesh ekonomike-industriale, të menaxhuara me shumë sukses. Në dhjetor të vitit 2007, në Horn am Bodensee, në prani të ambasadorit Mehmet Elezi, themeloi Shoqatën Zvicër-Shqipëri, ku edhe u zgjodh kryetar i saj. Shoqata (me seli në Goldach) synon nxitjen dhe bashkëpunimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror nga persona civilë dhe juridikë ndërmjet dy shteteve: Zvicër- Shqipëri në disa fusha, sidomos në transferim të teknologjisë, përkrahje të projekteve në infrastrukturë, këmbim të tregtisë, nxitje të investimeve dhe masa të tjera të përshtatshme për përfitime të përbashkëta ekonomike. Fushëveprim tjetër janë këmbimet ndërkulturore e sportive si dhe këmbimi i studentëve, binjakëzimi i komunave etj. Përqendrimi më i madh është bërë, sidomos në sektorin e importit të këpucëve, atë të tekstileve dhe të produkteve ushqimore, si vaji i ullirit, frutat e detit, vera etj., si dhe në eksportin e pajisjeve teknike, në sektorin e pasurive të patundshme dhe në atë të turizmit.
Miku, Rolf Alther, thekson në shtyp pozitën e mrekullueshme të Shqipërisë me bregdetin e saj të shkëlqyeshëm, si potencial të madh për zhvillimin e turizmit. Edhe si politikan i rryer, shfrytëzon rrjetin e tij politik, për mbështetjen e Shqipërisë dhe të Kosovës. Në të përditshmen „St. Galler Tagblatt“, për Shqipërinë thotë: “Është një vend shumë interesant ekonomik, politik dhe kulturor dhe mbi të gjitha, një vend shumë i bukur. Shqiptarët kanë një nivel të lartë arsimor, por për shkak të regjimit komunist që ishte i pranishëm për dekada me radhë në vend, ata kanë pak përvojë tekniko-industriale. Banorët janë të zellshëm dhe të etur për të mësuar. Për fat të keq, është shumë vështirë që t’i joshësh sipërmarrësit zviceranë për një angazhim të tillë. Në radhë të parë, për shkak të paragjykimeve të pabaza dhe të padrejta». Në kundërshtim me ta, Rolf dhe kolegët e tij kanë vërejtur në Shqipëri një tolerancë të madhe ndërkonfesionale. Ndërkohë, flet edhe për ndihmën që duhet dhënë Kosovës për mëkëmbjen e ekonomisë së shkatërruar nga lufta. Është edhe adhurues i madh i sportistëve me prejardhje nga Kosova, sidomos i futbollistit , Xherdan Shaqiri, duke kërkuar e duke porositur vendësit dhe shtypin: “Mos e quani “Shakiri”, por Shaqiri!”