Intelektuali, atdhetari dhe studiuesi i shquar shqiptar në Zvicër, profesor Astrit Leka (94 vjeçar), shpërblehet me certifikatë mirënjohjeje nga Ambasada e Shqipërisë me motivacion: promovimin e vlerave të kombit Shqiptar në Botë.
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Në ceremoninë e dorëzimit të certifikatës së mirënjohjes, që u bë mbrëmë në selinë e Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, ambasadori Ilir Gjoni tha se është vështirë me pak fjalë të përmblidhet e sintetizohet e tërë veprimtaria atdhetare, patriotike, intelektuale e studimore e profesor Astritit që në moshën 17 vjeçare iu bashkua aradheve LNÇ-së, duke kryer me dhjetëra aksione sa nga to të kthyera edhe në libra apo në filma, me pseudonimin e tij të luftës, Alariku.
Pasi përmendi se profesor Astriti është zotërues i dhjetë gjuhëve të huaja dhe studiues e disa fakulteteve, duke e shtrirë veprimtarinë e tij atdhetare edhe në disa shtete perëndimore, ambasadori Gjoni, veçmas u ndal tek kontributi i profesor Astrit Lekës në vendosjen e statujave të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në metropole të ndryshme në botë, duke e veçuar edhe atë në Gjenevë, këtu e 20 vjet më parë. Po ashtu ambasadori foli edhe për rolin e gruas së Astritit, ekspertes së shquar të fushës së biologjisë, Emine Leka, e cila e mbështeti burrin e saj edhe në ditët më të vështira, kur profesori u përball me sfidat e diktaturës.
Në një fjalë falënderimi, profesor Astrit Leka potencoi se nga pozita një intelektuali dhe lidhjet e shumta që pati, kishte mundësinë të bëhej i pasur, por se zgjodhi rrugën e atdhetarizmit, në të mirë të promovimit të vlerave kombëtare në botë. Ndaj edhe nuk është penduar, sepse siç përmendi një ditë do të shkojmë nga kjo botë, por veprat mbesin, sidomos ato materiale, siç është rasti me bustet e heronjve. Njëherësh ai falënderoi edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, që pas 60 vjetësh e nderoi me një mirënjohje. Me këtë rast falënderoi edhe të shoqen Eminen e cila ndonëse ishte një eksperte e shquar pranoi të shkojë të punojë në stallën e derrave e jo të heq dorë nga burri i saj.
Me fjalë urimi drejtuar profesor Astritit, iu drejtuan edhe Ambasadorja e Kosovën Nazane Breca dhe Ambasadori i Maqedonisë në Bernë, Rafet Hajdari, të cilët i dëshiruan profesorit shëndet dhe vullnet për të përmbyll edhe projektet e tija me interes për afirmimin e vlerave të shqiptarëve në botë.
Me rastin e dorëzimit të kësaj certifikate, merrnin pjesë shqiptarë trojesh të ndryshme dhe adhurues të profesorit si dhe vajza dhe nipi i profesor Astritit.