Marrëveshja e re për Sigurimet Shoqërore Zvicër-Kosovë
Me entuziazëm po kumtohen hapat drejt arritjes së Marrëveshjes ndërshtetërore të Sigurimeve Shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës. Ajo çka harrohet me këtë rast është se: Diskriminim ende nuk është shmangur – edhe marrëveshja e re në rast të ratifikimit – le anash një periudhë 10 vjeçare pa pensione -dhjetëra-mijëra shtetas të prekur të Kosovës, kontributpagues në arkat e sigurimeve shoqërore të Zvicrës.
Në Ueb-faqen zyrtare të Entit federal për sigurimet shoqërore të Zvicrës me datën 18 mars 2017 është publikuar një njoftim i aktualizuar mbi Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore mes Zvicrës e Kosovës. Në bazë të asaj çka shkruan Qeveria e Zvicrës, aty prezantohen informacione mbi një zgjidhje gjysmake, e kjo kurrsesi nuk shkon në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Përkundrazi.
Ja formulimi nën pikën C: Me marrëveshjen e re kontribut-paguesit, e kthyer në Kosovë “…përfitojnë nga pensionet vetëm duke filluar nga momenti i hyrjes në fuqi të një marrëveshje të re. Pagimi i pensionit për periudhat e mëparshme përjashtohet”
Kështu me radhë vijon njoftimi edhe për të gjitha kategoritë e pensionistëve (invalidët, bashkëshortët, trashëgimtarët). Kjo mbetet të kuptohet kështu: Tash fillojmë prej zeros. Ju që keni derdhur djersën, ju mbeteni pa pensione. Kjo është skandaloze, kur shohim se shtetet tjera të dalura nga ish Jugosllavia nuk kanë as ndërprerje e as përkeqësime të tilla.
Premtimet demagogjike nuk zgjidhin problemet
Ndërsa bazuar në njoftimin e të përditshmes “Koha Ditore” të datës 29 prill 2017: “Ministri Abrashi ka sqaruar se marrëveshja mundëson që qytetarët tanë të shumtë që kanë punuar në Konfederatën Zvicerane, të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare dhe pensionet e invalidëve të punës, të bashkojnë periudhat e kontributeve dhe të drejtat tjera nga fusha e sigurimit social, me rastin e arritjes së moshës së pensionit ose raste tjera siç parasheh legjislacioni.”
Ai në përfundim bënë edhe “urimin” si në vijim: “Urime bashkatdhetarëve tanë në Zvicër”, duke harruar se të prekur dhe pa pensione, pra të diskriminuar padrejtësisht qe mbi 7 vite, janë me dhjetëra-mijëra shtetas të Kosovës që kanë punuar me dekada të tëra në Zvicër dhe të cilët janë kthyer për të kaluar pjesën e jetës së mbetur në vendin e tyre. Çka ka për t’ju thënë atyre ministri dhe pse i shmanget përgjegjësisë për shtetasit e kthyer të Kosovës. Bashkatdhetarët, shtetasit e Kosovës, që kanë vendbanim në Zvicër tani për tani nuk janë të prekur nga mos zbatimi i Marrëveshjes në fjalë. Mos mbetshin bashkatdhetarët në Zvicër e vendet tjera t’ua “qajë” hallin ministri, ashtu sikur ua ka qarë atyre që janë kthyer në vendin amë, të mbetur pa pensione të vendeve ku ata kanë punuar rëndë tërë jetën.
Çka do të ndodh me 10 vite pensione të papaguara të dhjetëra-mijëra punëtorëve mërgimtarë të kthyer nga Zvicra
Ministri, dhe as ekipi i Kosovës për negociata, nuk treguan deri më tani, se çka do të ndodhë me pensionet e papaguara qe mbi 7 vite që nga 1 prilli i 2010. Fjala është për dhjetëra mijëra punëtorë mërgimtar të kthyer në Kosovë, të cilët kanë paguar kontributet në arkat pensionale të Zvicrës me bindjen se kur të arrijnë moshën e pensionit apo në rast rreziku social si invaliditet, vdekje, etj. ata apo bashkëshortët e tyre kanë për të gëzuar pensionet e tyre plotësisht të merituara. Sa është shuma e përafërt në Franga apo Euro e dëmtimit në pensione e shtesa familjare të shtetasve të Kosovës, njëherazi edhe e të hyrave në amvisnit dhe buxhetit e vendit, për këto plot 7 vite të diskriminimit të përzgjedhur vetëm në raport me shtetasit e Kosovës?!
Disa nga dështimet e qeverisë së Kosovës në këtë çështje
Lënia pas dore dhe injorimi i përfaqësimit të interesave të shumë qytetarë, të cilët janë mbështetur në shtetin e Kosovës, edhe me rastin e lidhjes së një marrëveshje të re.
Mos informimi zyrtar e publik i shtetasve të prekur, familjarët e tyre si dhe opinioni në Kosovë dhe diasporën tonë në Zvicër, mbi zhvillimet rreth Marrëveshjes në fjalë, ashtu siç ka bërë Zvicra me këtë rast.
Qeveria e Kosovës pa asnjë arsyetim nuk ka përfshirë më tej dhe ka përjashtuar nga ekipi negociues, ekspertët nga Zvicra që panda kanë këmbëngulur për zbatimin e Marrëveshjes
Nuk ka bërë asnjëherë kërkesë konkrete e zyrtare për rregullim kalimtar, ashtu si e ka kërkuar puna (zbatim të Marrëveshjes se trashëguar), ashtu siç po kërkojnë qe 7 vite sindikatat e punëtorëve tanë në Zvicër, njerëz të politikës e parlamentar/e nga parti të ndryshme të Zvicrës, ekspertët nga fusha e sigurimeve shoqërore të Zvicrës dhe veprimtarët e diasporës sonë në Zvicër.
Përderisa Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Sllovenia kanë arritur ti vazhdojnë marrëveshjet me Zvicrën, pse jo qeveria e Kosovës.
Zvicra përfaqëson interesat e saja, kurse Kosova duhet t’i përfaqësoj interesat e veta. Tek e fundit, Kosova ka mjaftë marrëveshje të nënshkruara, të cilat shkojnë vetëm në favor të Zvicrës. Kosova duhet të kërkojë që Zvicra të jetë korrekte në këtë çështje. Këtë qeveria ua ka borxh shtetasve të saj, të cilët e mbajtën gjallë Kosovën me dekada e vazhdojnë ta mbajnë. Të mos lihen të pambrojtur.



















