Rrëfime nga lufta…. – pjesa e pestë

 

Blerim Metaj

… Një ditë, derisa isha duke kërkuar në tavanin e shtëpisë nëpër rreckat e vjetëruara, gjeta edhe shumë fletore të mia të shkollës, të cilat u kishin bërë ballë kohës dhe minjve të tavanit, në mesin e të cilave gjeta dhe fletë të grisura nga fletorja e shënimeve të viteve të fëmijërisë … Aq shumë më mbërthyen kujtimet dhe më kthyen mbrapa në ato vite të mbrapshta e ogurzeza, sa nganjëherë më duket sikur po i jetoj tani … Tanimë nuk po mund t’i bart me vete këto ngarkesa të një kohe pa kohë dhe vendosa t’i hedh në letër. Dua që t’ua rrëfej edhe të tjerëve ato që përjetova për ta lehtësuar edhe veten por edhe për të mos lënë që ato të harrohen fare …

 

Mëngjesi i 15 prillit 1999

(Isha vetëm 9 vjeç.)

U zgjuam heret në mëngjesin e 15 prillit 1999. Edhe pse ajo ditë ishte ditë e veçantë për ne, baba kishte ditëlindjen, i kishte mbushur 38 vjet, por askujt nuk i binte ndërmënd për ditëlindjen e tij. Këtë ditë në familje ne fëmijët e prisnim me padurim të madh. Sikur na vonohej kjo ditë gjithmonë. Nuk na pritej të hanim ëmbëlsirat e mrekullueshme që gatuante nëna. Por, më 15 prill 1999 situata e përgjithshme kishte rënduar sikur retë e zeza gjithë rajonin, jo vetëm fshatin tonë. Kjo ishte një ditë jo e zakonshme. Në vend të zhurmës së enëve në kuzhinë, atë ditë kishim zhurmë të heshtur, të trishtueshme, zhurmë që të ngjethte misht e trupit, ngase po bëhëshim gati të iknim, të braktisnim votrat tona e të të niseshim në një rrugë të panjohur e të pasigurtë për ne, në rrugën drejt Malit të Zi. Në këtë kohë gjendeshim diku 7 – 8 kilometra larg staneve ku ishim strehuar atë natë, duke pushuar pak pas atij marshimi të frikshëm përmes plumbave dhe granatimeve serbe. Fishkëllimat e plumbave dhe granatimeve më ushtonin akoma në veshet e mi, ndoshta nga frika se mund të na përsëritej e njëjta gjë në këtë rrugëtim të panjohur që do bënim atë ditë.

Sapo kishte filluar të thyhej nata nga drita e ditës kur kisha dalë përjashta atij stani ku kishim kaluar natën, derisa të rriturit bënin gati gjësendet dhe rrobat për rrugëtim. Derisa shihja thyerjen e natës dhe drita depërtonte deri larg, ku mund të dalloje edhe rrugët nga lart, më tmerroi pamja e vargut të njerëzve që po i ngjiteshin malit përpjetë që iknin thuase me vrap! Nga larg dëgjoheshin të shtënat e armëve, por nuk mund ta përcaktoja se kë gjuanin, dikë tjetër apo turmën që kishte kapur malin përpjetë. Ushtima e të shtënave ishte e frikshme në mëngjesin e asaj dite të trishtueshme prilli.

Unë isha i vogël por trishtimin e të rriturve e kuptoja, e shihja dhe e ndjeja, andaj frika ishte më e madhe për mua. Ishte pasiguria e rrugëtimit, një rrugë pa krye, thoshin më të vjetrit. Kjo në imagjinatën time si fëmi shkaktonte tronditje tërmeti…

Pa kaluar shumë, turma e sfilitur e të arratisurve arriti lartësinë në malin ku ishim edhe ne. Ata ishin të gjithë të tmerruar e të frikësuar nga përjetimi që kishin nga nata e kaluar dhe ato që kishin parë e dëgjuar edhe gjatë rrugëtimit thuase me vrap e pa frymë. Nga stërmundimi, sidomos të rriturit, që ishin edhe të ngarkuar me shumë gjësende e rroba, e qe besa edhe me fëmijët e vegjël, thuase ishin futur në një pellg uji nga djersët. Por edhe fëmijët ishin të qullavur, jo vetëm nga lagështia e ajrit por sidomos edhe nga frika.

Pas një kohe të shkurtër pushimi të tyre, u krijua një varg i gjatë, sa nuk i shihej fundi fare. Më dukej se s’kishte ngelur njeri në shtëpitë e tyre, por të gjithë, i madh e i vogël, burra e gra, pleq e të rinj, ishin futur në atë varg karvani të zi si futa. Kështu më dukej mua. Më dukej se të gjithë ishin veshur me të zeza.

Në atë rrëmujë të paimagjinueshme për një fëmi 9 vjeçar, në mesin e gjithë atyre njerëzve që kishin ardhur nga të gjitha anët e Kosovës, m’i zunë sytë edhe dajtë e mi të veshur me uniformat e UÇK-së, Qazimin, Musën, Florimin, Lulëzimin edhe më duket edhe dajën Shefqet. Ishte një gëzim i madh kur pashë dajallarët, sa jo vetëm që thirra nga gëzimi, por mua m’u duk që klitha nga një gëzim i papërmbajtur që nuk e shpjegoja dot. Ndoshta ishte gëzimi i një fëmie për sigurinë që premtonte për ne, sepse ata ishin ushtarë të armatosur që ruanin e mbronin popullatën. Nga gëzimi kam thirrë me zë të lartë babën, nënën dhe gjyshin dhe kam vrapuar si i çartur nga gëzimi drejt tyre për t’iu hedhur në përqafim dhe të përshëndetem me ta! Ato çaste të gëzimit dhe shpresës ndoshta nuk do të jam në gjendje t’i përshkruaj, sepse si fëmi kam fluturuar në fantazitë e mia fëminore, duke humbur fare kuptimin me realitetin.

Bile disa gjëra që kisha shënuar në një fletë të fletores, derisa i shfletoja, më bënë të qesh me zë të lartë, të qeshur me lotë! Këto shënime të pakta në këto fletë më kanë kthyer në kohë, duke rrugëtuar me kohën bashkë nëpër ato rrugë pa rrugë. Këta pak rreshta të këtyre fletëve kaq të çmuara për mua kanë një vlerë të madhe të paimagjinueshme, këto nuk do të më lejojnë të harroj ato që përjetova, e këto përjetime t’ua bëj të njohura edhe të tjerëve, sidomos brezit të sotëm dhe atyre që do vijnë. Prandaj ndoshta nuk do të jam në gjendje t’i përshkruaj drejt dhe realisht ato çaste të shpresës së vetme, se tek e fundit, me gjithë ato mundime e frikë, ne megjithate nuk ishim të humbur, nuk ishim pa mbrojtje, kishim shpresën e grykës së pushkëve të këtyre burrave të veshur me uniformën e UÇK-së, këto tri shkronja kaq të dashura për çdo fëmi të atyre ditëve ogurzeza për nënqiellin e Kosovës.

Ushtarët fillimisht kerkuan bukë, sepse, siç thoshin, kishte 3 ditë që nuk kishin ngrënë asgjë! Jo vetëm se nuk kishin pasë ushqime, por as kohë nuk kishin pasur për të ngrënë nga luftimet e vazhdueshme me hordhitë e ushtrisë serbe dhe çetnikët e Arkanit. Shto kësaj edhe mbrojtjen dhe përkujdesin për popullatën civile. Edhe pse as ne nuk kishim shumë bukë me veti, megjithate nëna ua ndau nga një copë të vogël (3 gishtë) bukë me nga një mollë të vogël, të cilat na i kishte dhuruar dada Rukë.

Edhe pse u ishin dhënë vetëm nga dy kafshore bukë me nga një mollë të vogël sa një kokërr arre, ata e shijuan sikur të ishte bukë me mjaltë! Kështu edhe e tha vetë daja Musë: «Kjo bukë po më duket si me mjaltë!», dhe e mbërtypje ngadalë, nga frika se po i mbaron shpejt.

Prej tyre morëm vesh se familjet e dajallarëve tanimë ishin në Rozhajë. Por, ata ishin shumë të dëshpëruar se ishin thyer të gjitha pikat e UÇK-së në atë rajon, duke u detyruar të largoheshin edhe vetë nga vijat e frontit. Ata na treguan se dy prej dajallarëve, daja Shaip dhe daja Xhevat kishin qëndruar në rajon, për t’u marrë me riorganizimin e pikave të UÇK-së. Të tjerët i kishin dërguar të mbronin dhe të siguronin popullsinë e pambrojtur.

Pastaj një pjesë e ushtarëve dolën në ballë të kolonës ndërsa disa të tjerë në fund të kolonës së krijuar nga e gjithë ajo turmë e njerëzve që kishin lënë shtëpitë e tyre dhe kishin marrur arratinë në sy, pa ditur se ku po shkonin dhe a do ktheheshin ndonjëherë përsëri. Pos dëshprimit ndjehej dhembja e njerëzve për vendin që po e linin, e ndoshta nuk do ta shihnin më kurrë.

Edhe gjatë natës kishte vazhduar të bjerë borë me shtëllunga dhe nuk dukej rrugë gjëkundi dhe ishte e pamundur të ecnim shpejt. Shto kësaj që të moshuarit dhe sidomos fëmijët mezi mund të lëviznin. Ushtarëve u kishte rënë barra më e rëndë e këtij rrugëtimi. Ata çanin borën, si të thuash, me gjokset e tyre, sepse bora nëpër disa vende shkonte deri te gjoksi. Ata edhe pse ishin të lodhur e të rraskapitur, megjithate nuk ndaleshin. Vetëm ndërroheshin në mes vete me ata që ishin të parët. Ata nga fundi as që mund ta merrnin me mend se çfarë mundi ishte bërë për t’u hapë ajo «rrugë» nëpër një borë kaq të madhe.

Ujin e kishim me kimet, me racion, prandaj në ecje e sipër provonim të shuanim etjen duke ngrënë borë. Por bora na e thante fytin edhe me shumë!

Vëllau dhe motra ime4 vjeçar ecnin sikur lepujt dhe nuk lodheshin shumë, ngase ata nganjëherë i merrte dikush në krahë.

Kur i kaluam stanët e Hakajve, ende pa shkuar të stanët e verës, shihnim armë dhe uniforma që i kishin hedhur disa nga ushtrët tanë, e të cilët ishin futur në kolonën e refugjatëve me rroba civile. Ishin nga ata të cilët të dëshpëruar dhe demoralizuar nga thyerjet e pikave të UÇK-së, kishin lënë frontin dhe ishin përzier me popullatën civile për t’u larguar si refugjatë. Në fakt, siç kam marrë vesh më vonë, ata ishin dezertorët e luftës, të cilët nuk kishin qenë në gjendje t’i përballonin gjithë asaj lufte të madhe, e po ashtu nuk ishin më as të gatshëm të mbronin popullatën civile në ikje.

Njësiti i UÇK-së, i cili kujdesej për të plagosurit, kishin futur armatimin dhe uniformat e tyre në një nga stanet e boshatisura dhe të dëmtuara, për të mund të bartnin ushtarët e plagosur përtej kufirit dhe për t’u kthyer pastaj sërish.

Gjatë këtij rrugëtimi pa rrugë, shihnim dhi të egra të ngordhura të vrara apo të mbytura nga egërsirat, pamje të cilat më kanë përcjellur gjatë në mendjen time si fëmi. Më dukej se edhe neve mund të na vrisnin shkijet e të na lënë ashtu mbi borë sikur këto dhitë e egra të ngordhura. Nëna më pat tërhequr vërejtjen që të mos i shikoja shumë, se gjoja është «gjynah». Por kjo nuk mund të bindte mendjen time atë ditë.

Kur kemi mbërritur të vija kufitare me Malin e Zi (jo tek kufiri ku e kanë caktuar sot, e që e kanë shtyrë bukur shumë brenda teritorit të Kosovës), nuk kishte më të përpjeta. Tani ne vetëm i hipnim çantave dhe lëshoheshim teposhtë. Ndërsa disa pleq e plaka i hipnin në batanija dhe i lëshonin teposhtë, deri sa binin në lug.

Kur jemi lëshuar në lug edhe bjeshka dukej ndryshe, aty ishim në një lug të bjeshkëve të Malit të Zi, afër fshatit Bahçe.

Pak para se të arrinim tek autobusët dhe kamionat që i transportonin refugjatët e ikur nga Kosova, e mbaj mend se dikush erdhi e na tha që të shpejtonim sepse shkijet ishin prapa neve dhe ka mundësi të na dilnin përpara. E mbaj mend si kemi shpejtuar sikur me një komandë. Tani edhe mund të ecnim më lirshëm, sepse kishte vetëm pak borë. Ndoshta nga frika, por mua më është dukur se kemi arritur shumë shpejt tek vendi i autobusëve. Edhe pse nuk na ra të prisnim gjatë, mua më dukej se ajo ditë nuk do të mbaronte fare, shkaku i të ftohtit dhe urisë së skajshme. Tamam kur filloi të errësohej erdhi një autobus i vogël. Ne patëm fatin të futeshim nga të parët në këtë autobus, meqë ai ndaloi pikërisht aty ku ishim duke pritur. Pasi kemi hipur në autobus, më kapën veshët bisedën e babës me shoferin, bisedë të cilën nuk e kuptova fare, sepse ata flisnin serbisht, apo siç thonë në popull, shkenisht. Natyrisht që kjo krijoi një «rrëmujë» mendimesh në kokën time. Iknim nga shkijet e armatosur dhe tani shoferi që drejtonte autobusin ishte pikërisht një shka i shkinës! Unë nuk dija të dalloja shkijet nga malazezët, prandaj hutimi dhe trullosja ime i ra në sy nënës time dhe ajo u përpoq të ma shpjegonte. Por ishte e kot. Koka ime e trazuar nuk pranonte shpjegime të tilla në ato çaste.

Ishte bërë terr i zi kur kemi mbërritur në Rozhajë. Mbaj mend se baba pat shkuar për të kerkuar ndonjë strehim për ne, gjë që ishte mjaft e vështirë në atë kohë. Kishte shqiptarë në Mal të Zi që frikësoheshin të na pranonin brenda, për shkak të represaljeve të egra të bandave të paramilitarëve shkije. Por kishte edhe të tillë që edhe nga kjo situatë e jona përpiqeshin për të përfituar materialisht, duke na kërkuar para për strehim!

Baba më në fund arriti të na gjejë një strehim te një familje shqiptare, anëtarët e së cilës nuk i dinin as dy fjalë shqip dhe flisnin vetëm shkenisht. Edhe në mes veti ata flisnin në këtë gjuhë të huaj, në gjuhën e hasmit tonë shumëshekullor. Se a ka paguar gjë baba për strehimin tonë nuk e di dhe nuk e mbaj mend.

Kur kemi hyrë në atë shtepi të vogël e të ngrohtë më është dukur sikur të jam lindur për së dyti, edhe pse mjaft i frikësuar kur i dëgjoja të flisnin shkenisht në atë familje, e që në fakt ishin shqiptarë të asimiluar tërësisht.

Mbaj mend se na shtruan darkën për të ngrënë. Haja shpejt si i babëzuar nga uria e skajshme. Ata na shtruan groshë të nxehtë dhe buka më dukej e butë sikur e dalë nga furra, edhe pse më parë nuk e haja kurrë groshën, atë natë ishte diçka e veçantë për mua, më shuajti urinë e skajshme. Kësaj radhe as nuk pyesja fare se çfarë kishte në pjatën e thellë ku futnim lugët nga dy-tre veta njëherësh!

Së bashku me familjen Lipaj e kemi kaluar atë natë në një dhomë jo edhe aq të madhe. Nga lodhja e stërmundimi, pasi mbushëm barkun me groshë, u shtrimë si sardelet në konzervë ngjeshur me njëri tjetrin. Nuk mbaj mend se kush më ka mbuluar, por e di se sapo kam mbërtypur kafshatën e fundit jam paluar në dysheme dhe më ka zënë gjumi si me sustë…!

Rrëfime nga lufra  – pjesa e parë
Rrëfime nga lufra  – pjesa e dytë
Rrëfime nga lufra  – pjesa e tretë
Rrëfime nga lufra  – pjesa e katërt