Rrëfime nga lufta – pjesa e tretë

Nga Blerim Metaj, Burim

Blerim Metaj
Blerim Metaj

… Një ditë, derisa isha duke kërkuar në tavanin e shtëpisë nëpër rreckat e vjetëruara, gjeta edhe shumë fletore të mia të shkollës, të cilat u kishin bërë ballë kohës dhe minjve të tavanit, në mesin e të cilave gjeta dhe fletë të grisura nga fletorja e shënimeve të viteve të fëmijërisë … Aq shumë më mbërthyen kujtimet dhe më kthyen mbrapa në ato vite të mbrapshta e ogurzeza, sa nganjëherë më duket sikur po i jetoj tani … Tanimë nuk po mund t’i bart me vete këto ngarkesa të një kohe pa kohë dhe vendosa t’i hedh në letër. Dua që t’ua rrëfej edhe të tjerëve ato që përjetova për ta lehtësuar edhe veten por edhe për të mos lënë që ato të harrohen fare …

Pranverë 1999…

Fundi i marsit 1999 solli edhe luftën afër fshatit, pra, afër fshatit Kaliçan. Sidomos në mbrëmje dëgjoheshin luftimet nga larg, ndërsa neve nga frika na dukej se është fare afër fshatit tonë. Qielli skuqej nga granatimet e ushtrisë serbe dhe dëgjoheshin ushtima me qindra herë më të mëdha se në natën e vitit të ri.
Më kujtohen mirë ato ushtima e krisma të tmerrshme nga shpërthimet e granatave. Një fëmi 9 vjeçar, siç isha unë, e ka të vështirë t’i hedh në harresë. Ato fishkëllime rrënqethëse dhe shpërthime të fuqishme të granatave më përcjellin edhe sot e kësaj dite. Sidomos gjatë ditëve të festave kur lëshohen fishekzjarret dhe shtihet me armë, nganjëherë më duket se gjendem sërish në kohën e luftës. Kjo më shkakton një ndjenjë jo vetëm të frikës, por edhe të pasigurisë.
Si sot më kujtohet se si ndjeja frikë kur tregonin që disa granata i kishin marrë jetën disa bashkëfshatarëve tanë, e nga frika të gjithë flenim në katin e parë, të grumbulluar dhe palosur pranë njëri tjetrit si patatet, apo më mirë me thënë sikur sardinat në konzervë.
Në fund të marsit, kur filluan të vinin refugjatë në fshatin tonë për të kërkuar strehim, ngaqë fshati ynë gjendej rrëzë bjeshkës, këshilli i fshatit vendosi që secila familje në fshat të strehojë nga një familje refugjatësh, të ardhur nga fshatra e qytete të ndryshme të Kosovës. E mbaj mend se fillimisht tek ne kanë ardhur familja e tezakut të babës, Skender Lipaj nga Kamenica e Istogut, ata ishin familje 8 anëtarëshe.
Më 2 prill ishte dita e dytë e festës së bajramit, kur në shtëpinë tonë erdhën edhe familjet e Rexhep e Bajram Ibërdemajt nga Lluga e Istogut. Ata erdhën me një autobus, i cili në fakt ishte pronë e tyre dhe ishin afro 15-20 anëtarë. Pastaj erdhi edhe Sefedin Shoshi nga Studenica, vetë i gjashti. Pa kaluar shumë erdhi edhe nëna e tezakut tjetër të babës, Mejreme Vuthaj nga Cerrca e Istogut (tani e ndjerë). U bëmë 42-43 anëtarë në shtëpinë tonë, sa asnjëherë tjetër.
Edhe pse ishim bërë për një kohë të shkurtër aq shumë njerëz në shtëpinë tonë, megjithate duhet thënë se kemi kaluar shumë mirë, pa asnjë fjalosje me njëri tjetrin, me një harmoni të çuditshme, edhe pse ishim familje të ndryshme. Ne femijët harronim shpesh që ishte gjëndje lufte dhe kohën e kalonim duke luajtur e duke qeshur! Sikur i gjithë fshati ishte i yni dhe mund të bënim çfarë të donim, sepse nuk na bërtiste askush për asgjë, edhe kur bënim ndonjë budallallëk fëmijësh.
Në mbrëmje bëheshim bashkë të gjithë para televizorit për t’i shikuar lajmet. Nuk ndihej njeri i gjallë gjatë kohës së lajmeve, pos ndonjë ofshamë e thellë e babagjyshit ose të ndonjë të moshuari. Nga lajmet ne mësonim për ngjarje të trishtueshme, për vrasje, djegje fshatrash, shpërngulje nga shtëpitë, të cilave pastaj u vihej flaka… Nga lajmet mësonim edhe për luftimet që zhvilloheshin në mes të forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të ushtrisë serbe, gjë që sadopak na jepte shpresë se megjithate do ia dilnim edhe kësaj mënxyre që kishte kapluar Kosovën dhe popullin e saj. Të paktën kështu i kuptonim ne atëherë të rriturit derisa ata shkëmbenin muhabet pas lajmeve, për t’i dhënë kurajo njëri tjetrit e sidomos për të na i hequr frikën ne fëmijëve, e sidomos grave e vajzave. Por megjithate, pas mbarimit të lajmeve binte një si lloj mjegulle e heshtjes. Frika sillej mbi kokat tona. Të gjithë frikësoheshin, ndërsa Mejremja, tezja e babës, gjithëmonë fillonte të qante për djalin e saj, për të cilin nuk dinte më asgjë dhe nuk kishte ndegjuar asgjë për të! Nuk dinte a është akoma gjallë apo…
Çdo natë ne prisnim “dritën e gjelbërt” për t’u nisur drejt malit. Disa akoma shpresonin se ndoshta nuk do të kemi nevojë t’i braktisnim shtepitë tona, sidomos gjyshi im dhe Sylë Lipa. Por ajo shpresë mbeti vetëm shpresë! Në natën e 12 prillit 1999, (më kujtohet si sonte kur po i shkruaj këta rreshta), ka hyrë në oborr një vajzë duke bërtitur, (më duket ishte e Arifajve). Ajo duke bërtitur e duke piskatur tregonte që “Dydeshi (1km larg fshatit tonë) ishte mbushur zi me ushtarë serbë!” Por, në fakt ata kishin qenë ushtarë të UÇK-së, por nga frika e madhe nga njerëz të uniformuar asaj ashtu iu ishin dukur! Me këtë alarm, edhe pse i rremë, na trishtoi aq shumë të gjithëve, sa që donim të nisemi po atë natë, por burrat vendosën që të nisemi të nesërmen.
Në mëngjesin e 13 prillit 1999, më kujtohet që fillimisht kanë shkuar burrat dhe femijët në mal, te Ara e Bushës, për të improvizuar disa “shatora” ose kasolla të vogla për të bërë gjumin. Atë ditë i bëmë disi ato “shtepiza” në mal dhe në mbrëmje shkuam në shtepi për t’i marrë edhe gratë dhe fëmijët që gjendeshin në shtëpinë tonë.
(Po më rrënqethet trupi derisa jam duke shkruar). Sikur të ndodhte tani më kujtohet çasti kur ia kemi kthyer shpinën shtëpisë. Familja jonë, i madh e i vogël, kemi qajtur me dënesë, një vaj që të këpuste shpirtin! E di që aty jemi ndarë me familjen e madhe të Llugës dhe familjen e Sefedin Shoshit dhe ia kemi mësyrë malit së bashku me familjen Lipaj dhe tezen e babës, Mejremen.
Atë natë kemi fjetur për herë të parë në mal. Unë e di që kam flejtur në rimorkio të traktorit me gjyshin tim, Sherifin, ndërsa baba me nënën, vëllaun e motrën time në veturë. Por, atë natë jo të gjithë kanë fjetur. Dikush nuk fjeti fare, duke e mbajtur ndezur zjarrin tërë natën, e dikush duke ruajtur mos po na vjen dikush i padëshiruar!
Mali ishte mbushur plotë me njerëz. Fshati ynë ishte zbrazur tërësisht. Flitej se pikat ishin thyer dhe ushtarët e UÇK-së ishin tërhequr në male. E di që ajo natë ka qenë shumë e ftohtë, ngase edhe bjeshkëve u shihnim borën. Ne ishim afër bjeshkës, në malin që quhet Arat e Bushës te Lugu i Therrave…

Rrëfime nga lufra  – pjesa e parë
Rrëfime nga lufra  – pjesa e dytë