Velloja politike e një aksioni policor të paralajmëruar

Se aksioni i mbrëmshëm i Policisë së Kosovës në Karaçevë të Komunës së Kamenicës, do të ishte më shumë një spektakël medial sesa një veprimtari shtetërore për luftimin e krimit të organizuar, flet paralajmërimi që e bëri në seancën e djeshme vetë ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu

Nga Gani Bajrami

Aksioni i mbrëmshëm i Policisë së Kosovës në Karaçevë të Komunës së Kamenicës, zonë kjo kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, është mirëpritur nga qytetarët të bindur se më në fund edhe shteti i kapur në të gjitha segmentet do të luftojë bixhozin e paligjshëm, prostitucionin, trafikimin me njerëz, me armë, me narkotikë, si dhe kontrabandimin me mallra dhe aktivitetet e tjera kriminale. Sipas informacioneve pas prangave janë vënë 33 persona, prej të cilëve 10 janë zyrtarë policorë.

Kryeministri Abdullah Hoti vlerësoi sot se “operacioni i policisë në Karaçevë, i mbështetur edhe nga mekanizmat tjerë, është dëshmi se institucionet tona të sigurisë janë plotësisht të afta për të garantuar rend dhe ligj për qytetarët e Republikës së Kosovës”. Dhe kush nuk do ta dëshironte këtë në shtetin e kapur fort nga bartësit e korrupsionit dhe krimit të organizuar, por a mund të vihen dyshime se aksione të tilla mediale kishte edhe në të kaluarën, sa herë që pushteti ballafaqohej me ndonjë krizë pushtetëmbajtëse.

Se ky aksion do të ishte më shumë një spektakël medial sesa një veprimtari shtetërore për luftimin e krimit të organizuar, flet vetë paralajmërimi që e bëri në seancën e djeshme vetë ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i cili ishte thirrur në interpelancë në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë.

Agim Veliu tha se kishte kërkuar që të kryenin një operacion për mbylljen e kazinove në atë pjesë që në kohën sa në krye të Qeverisë ishte Albin Kurti, por siç tha, Kurti nuk i kishte dhënë leje. Është indikativë se përse atëherë ish-ministrit dhe ministrit Veliu iu deshën të kalojnë rreth tre muaj për atë intervenim pasi atë leje nuk do të duhej ta merrte nga ish-kryeministri Kurti.

Bazuar në deklaratat e disa qeveritarëve aktualë dhe disa shkrimeve në media del se aksioni nuk kishte qëllim parësor luftimin e krimit të organizuar, por tentimin për ta denigruar Albin Kurtin për kinse ndonjë lidhje me bartësit e krimit të organizuar. Në Kosovë ka vite që çdo gjë është e mveshur me vello politike, prandaj edhe aksionet policore duken të këtilla.

Nuk është e panjohur se në Kosovë veprimtari të këtilla si në Karaçevë ka në shumë mjedise të Kosovës, por çështja është kujt i kanë konvenuar, kush i ka mbrojtur dhe kush ka qenë i përfshirë në ato veprimtari nga politika jonë e mbitokës dhe nëntokës.

Një miku im më tha se dikush nga pushtetarët ka nuhatur se zgjedhjet mund të jenë afër dhe lufta me kundërshtarët duhet të ashpërsohet.