“VATRA” URON VJOSA OSMANI -SADRIU, PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

New York, 6 Prill 2021- Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA i dërgon urimet më të përzemërta Vjosa Osmanit për zgjedhjen si Presidente e Republikës së Kosovës. Vatra beson se presidentja Osmani do të jetë simbol i unitetit dhe garantuese e funksionimit kushtetues, ligjor dhe demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës. Zonja Osmani është zonja më legjitime dhe më e votuar në Kosovën e pasluftës dhe shprehim bindjen tonë të thellë se do i japë Kosovës me anë të maturisë së saj dhe pjekurisë stabilitet politik dhe institucional të munguar së fundmi.

VATRA shpreh bindjen se nën lidershipin e zonjës Osmani-Sadriu, Kosova do të përballojë me sukses sfidat e integrimit euro-atlantik, të forcojë partneritetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të kryejë reformat e duhura për integrimin europian.

Kosova dhe qytetarët e saj kanë tashmë një zonjë shumë të denjë në shërbimin e tyre. Presidentja Vjosa Osmani me cilësitë e saj si politikane moderne, e ndershme, idealiste, e guximshme dhe me karakter të fortë ktheu besimin e qytetarëve tek institucionet e Kosovës. Deri në zgjedhjen e saj si Presidente, Vjosa Osmani kaloi shumë sfida të cilat krijuan profilin e saj si një grua e fortë dhe e denjë për ti shërbyer me shpirt e me zemër Kosovës dhe qytetarëve të saj.

VATRA është e bindur se Presidentja Osmani, do t’i shërbejë me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë unitetit mes të gjithë spektrit politik, frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit ndërinstitucional, forcimit të ligjit dhe kryerjes së reformave të cilat do ta kthejnë Kosovën në një shtet të fortë dhe dinjitoz në sytë e Perëndimit dhe Washingtonit.

Me vlerësim të veçantë Kryetari i VATRËS, Elmi BERISHA

 

(Shkrimin na e dërgoi bashkëpunëtori ynë nga Prishtina, Behlul Jashari)