Vaçe, Ti edhe sot e përherë jeton prore në zemrat tona

Në kuadër të prezantimit të ikonave shqiptare, portali ynë në këtë mes javë prezanton të pakapërcyeshmen, Vaçe Zela, këtë legjendë e muzikës sonë, e cila jo vetëm sa ishte në këtë botë, por edhe pas kalimit në amshim, vazhdon të frymëzojë breza e breza. Për dy dekada sa jetoj në Zvicër, e përcolla hap pas hapi praninë e Saj, që  vetëm dy herë iu dha rasti të vizitojë Kosovën: në kushte robërie kur zëri i saj “dërmoi” grilat si një puhi e së fundi kur shpirti i saj fluturoi përmes Kosovës në Shqipëri, duke iu përmbushë kështu dëshira dhe amaneti i fundit

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Në shenjë kujtimi për këtë artiste të madhe të këngës së lehtë shqipe, po jap një kronologji të jetës saj 20 e sa vjeçare në Zvicër, kur edhe kam përcjell hap pas hapi praninë e saj në shumë ngjarje e manifestim, ndonëse nuk ishte më në gjendje të këndojë, ajo përherë tubonte shumë adhurues të sa.  Pasi që,  prania e saj kudo nxiste dashamirësi, kërshëri dhe një atmosferë të paparë, thuaja se festive.

Vaçe Zela, një nga personalitetet më të shquara shqiptare, që prej rreth 20 vitesh jetoi në Zvicër, pa dyshim, ishte ikona e muzikës së lehtë shqiptare. Në manifestimet prej dy dekadash në Zvicër, nuk kam parë ndonjë figurë të ketë nxitur më shumë emocione në mesin e bashkëkombësve, pa dallim.
Bernë 1984
Në vitin 1984 , Vaçe Zela ishte përherë të parë në Zvicër, në një turne të Ansamblit të këngëve dhe valleve të Shqipërisë në këtë vend kur edhe u shfaqen 8 koncerte..
Langenthal, 13 Janar 2008
Në një shtëpizë pushimi në Langenthal të Zvicrës, dashamirë të artistes Vaçe Zela, u tubuan thuajse për çdo vit, që nga ardhja e saj me familje në Zvicër. Në këtë mënyrë ata, së bashku në kurbet, shuanin mallin që zhurit për atdhe.
Bazel, 11 prill 2009
Ndonëse më 7 prill 2009 ishte ditëlindja e 70 e këngëtares sonë, Vaçe Zela, një festë e vërtetë, më shumë se familjare u mbajt më 11 prill në një shtëpizë në afërsi të Bazelit. Kjo festë familjare kaloi në një atmosferë më se të hareshme me moton: “Jetë të lumtur e të gjatë, e madhja Vaçe, ashtu siç do të jetë i përjetshëm edhe zëri Yt magjik”!
Nojshatel, 9 maj 2009
Prania e legjendës së këngës shqiptare, Vaçe Zela në promovimin e romanit të Bedri Dedjes “Presidenti i planetit të kuq”, në Nojshatel të Zvicrës, nxori edhe një herë në pah fuqinë e madhe që ka arti. Prania e Vaçes dhe vepra e shkrimtarit për fëmijë, Bedri Dedja, tubuan shqiptarët me prejardhje nga të gjitha viset etnike dhe nga shumë kantone të Zvicrës.
Langenthal 16 maj 2009
Në mbrëmjen e promovimit të fjalorit të ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezit , ”Fjalori i Gjuhës Shqipe“, merrnin pjesë figura të artit, kulturës dhe të jetës shoqërore të shqiptarëve në mërgatë. Në mesin e tyre ishte edhe e famshmja, Vaçe Zela, prania e së cilës solli shumë emocione.
Bazel, 13 maj 2010
Mrekullia kulturore ndodhi më 23 maj 2010, në një nga godinat më reprezentative të Bazelit të Zvicrës, në Shycenhaus (Schützenhaus). Aty u mbajt një mbrëmje e titulluar “Vaçe Zela, larg dhe pranë njerëzve”. Mbrëmja kishte tubuar personalitete të shquara të artit e kulturës shqiptare dhe të korit diplomatik nga Shqipëria e Kosova në Zvicër.
Cyrih 7 shkurt 2014
Sot, aeroporti i Cyrihut mu duk më i zymtë se asnjëherë më parë. Me këtë rast u ndamë me pikëllim nga ikona e këngës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela. Ishte lamtumira e fundit me Vaçen nga shteti helvetik. Ishte moment i vështirë, sidomos për të bijën Irmën dhe shokun e saj të jetës, zotëri Pjetër Rodiqin, që merrnin pjesë në përcjelljen e Vaçes përmes Kosovës në atdhe.
Më këtë rast edhe njëherë ngushëllojmë Irmën, që aq shumë u kujdes për shumë vite për shëndetin e të madhes Vaçe. Nga fototeka ime, në shenjë kujtimi, veçova këto 25 foto me të famshmen Vaçe Zela, që kam realizuar bashkë me Skender Hajdarin, me bindje se ajo përherë do të jetojë në kujtimet e shumë mërgimtarëve e të bashkëkombësve përgjithësisht. Ndërkohë me familje dhe shkrimtarin Muharrem Blakaj që poashtu jeton në ZVicër, vizitova edhe Qendrën e Kulturës në Lushnje, që mban emrin e Vaçes, ku pos që na pritën lushjanëtm me shumë ngrohtësi, vumë një buqetë lulesh në bustin e saj në shenjë admirimi të përhershëm për te.

Ajo pushon e qetë në amshim, bashkë me burrin e saj të mrekullueshëm, Pjetër Rodiqin, por emri dhe zëri i saj jetojnë prore në zemrat tona, siç do të jetojë e do të jehojë zëri i saj në qiellin shqiptar ndër breza e ndër shekuj.

I përjetshëm qoftë kujtimi ynë për të madhen Vaçe Zela dhe bashkëshortin e saj Pjetër Rodiqi!