Personalitet i vitit

DITAR TETOVAR
31 dhjetor 2024

Personaliteti shqiptar i vitit 2024, për mua, është Sali Berisha! Çudi? Si është e mundur? Prit pak: Sali Berisha nuk është personaliteti i vitit 2024, ai është personaliteti i tre-katër viteve të fundit!

Vërtet, personalitet i vitit nuk shpallet dikush, i cili e ka nxjerrë njerëzimin nga mjerimi. Këtë s’e ka bërë askush deri më tani. Mjerisht! Gazetat “Time” dhe “Forbes”, të cilat e kanë promovuar Personalitetin e Vitit, të tillë e kanë shpallur edhe Hitlerin, edhe Stalinin, edhe Ten Hsiao Pinin edhe Putinin. Madje më shpesh se një herë!

Sigurisht zgjedhja e personalitetit të vitit nuk është një qëmtim i diktatorëve. Personalitet të vitit këto medie e kanë shpallur edhe Gandin, Luther Kingun, Carterin, Gorbaçovin, Mandelën, Merkelin, Greta Thunbergun dhe figura të tjera interesante. Këtë traditë “Time” për herë të parë e ka filluar më 1927. Atëmot si personalitetin e vitit ajo e zgjodhi pilotin amerikan Charles Lindbergh. Ai e kishte realizuar fluturimin e parë pa ndërprerje nga New Yorku në Paris. Akoma citohet thënia e tij: “Sikur të kisha mundur të zgjedh, më me qejf do të kisha fluturuar me zogj.”

Pse e nominoj Sali Berishën për personalitetin shqiptar të vitit 2024?

Sali Berisha është prej tre-katër vitesh në qendër të opinionit publik. Atë e mba në dritën e prozhektorëve beteja që po zhvillon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, “Drejtësinë e Re”, Edi Ramën dhe të tjerë. Kundërshtarë më të mëdhenj se këta zor se mund të ketë. Dhe sa më i denjë të jetë kundërshtari, aq më i madh bëhet nami.

Mërinë e Amerikës së kësaj kohe Berisha e tërhoqi me denoncimin e vendosur që i bëri projektit të ndarjes së Kosovës, të promovuar nga Rama, Vuçiçi dhe Thaçi, me në sfond forca të errëta e të dukshme ndërkombëtare. Ata e shpallën Berishën “non grata” në Amerikë, pastaj në Angli, pastaj në partinë e tij. Mandej ia mohuan logon, ia mohuan emrin si bartës liste në zgjedhje, ia mohuan komisionerët, fondet, kohën televizive…. Prit pak: Më pas ia ngjeshën edhe një grusht një fulqi! Më vonë ia morën imunitetin e deputetit, e vunë në arrest shtëpiak, sepse nuk kishin të drejtë ta rrasnin mirë në hapsane. I punuan lloj-lloj marifeti, por nuk e thyen!

Këtij persekutimi Sali Berisha iu përgjigj flakë për flakë. Ai e hodhi në gjyq Sekretarin Amerikan të Shtetit! Pastaj e përmbysi opinionin e kundërshtarëve me “Foltoren”; me mbatjen për herë të parë në Shqipëri, më duket edhe në rajon, të të ashtuquajturave “primare”; me fushatën e zgjedhjeve lokale; me konfereca ditore e dytreherëditore mediesh; me intervista e artikuj; me betejë juridike, në Shqipëri dhe në Strasburg… Berisha e ktheu Partinë Demokratike, e fitoi lirinë dhe, sikurse thonë juristët, praktikisht ka rënë edhe akuza ndaj tij. Efekti i betejës së tij: kthimi i pluralizmit të shuar politik! I fortë, a i butë, është tjetër hesap.

Në vitin e fundit të betejës së tij politike, Sali Berisha ka mbajtur 333 fjalime nga dritarja e banesës së tij, ku e vuante arrestin shtëpiak! Ai i denoncoi – me fakte e pa fakte – kryetarin, kryeministrin, kryeparlamentaren, kryeprokurorin, kryespecialprokurorin, kryendërkombëtarin, kryegazetarin, kyebiznesmenin, kryekriminelin… Kryedikushin dhe kryeaskushin!

Nga dritarja e banesës së tij, i arrestuar për korrupsion, ai ka shpërfaqur kontrastin e madh mes mënyrës modeste të rrojtjes së një kardiologu, ish profesori, ish presidenti e ish kryeministri – të djathtë – me atë ekstravagante të një kryeministri të majtë dhe piktori, i cili shumicën e ekspozitave i ka organizuar pasi u bë kryeministër. Kjo është një shfaqje e pazakonshme!

Nuk po flas për performacën politike të Sali Berishës. Do përmendur vetëm se persekutimi që po kalon ai, është disi haku i zënë për atë sesi është sjellë vetë me kundërshtarët politikë. Këtu spikat dhe piskat burgosja e liderit të opozitës, Fatos Nano, dhe manipulimi i zgjedhjeve të vitit 1996.

Po flas për mekanizmin që e shtyu rezistencën e tij dhe e përmbysi të gjithë situatën. Dhe besoj se qëndresa e Berishës i detyrohet pjesërisht karakterit të tij. Socializimit të tij fillestar prej malësori. Goditja e papritur nga SHBA-të, të cilave u ka shërbyer verbërisht, edhe kur e burgosi Nanon, dhe tradhëia e trashëgimtarit, sepse Ramës s’i ka pasur besën ndonjëherë, e xhindosën fare! Vetë Rexhep Qosja, kundërshatari i tij më i hidhur, në ditarin “Dëshmitar në kohë historike” ia admiron atij në një moment trimërinë.

Pastaj Berisha është sot politikani me përvojën më të gjatë dhe më të dendur politike. Ai ka një histori të tërë betejash, negociatash dhe marrëveshjesh me aktorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Intuitën për situatat dhe zellin e punës ia pohojnë atij edhe kundërdërshtarët më të zjarrtë.

Ndjeshmëria për disa tema dhe nervi i reagimit, Berishës i vjen sigurisht nga profesioni i mjekut. Përveç si shkencëtar i renomuar i mjekësisë, ai bind me përgaditjen intelektuale. Përtej brutalitetit, banalitetit, folklorizmit…, ligjërimi i tij i mbarsur me koncepte ekonomike, juridike, politologjike… e nxjerr atë një njeri shumë të informuar dhe të kënduar. Kompetent dhe të artikuluar. Njëkohë – rrëfejnë ata që e njohin – e studionte mënyrën sesi e përshkruan Shekspiri një infarkt. Nëpër formate të lehta televizive flet për Rehanën dhe Taylor Swiftin.

Ai është plak e i ri, rapsod e akademik, modern e krahinor, pragmatist e parimor, vetmitar e bajraktar, i odës e i sallonit, i kuvendit e i katedrës, i parlamentit e i rrugës, i sherrit e i pajtimit, i aveturës e i reflektimit, i vesit e i vyrtytit… Mu sikur e do opinioni! Natyra të tilla sa kanë frymë, janë në skenë. Dhe sa janë në skenë, bëjnë bujë.

Për të gjitha këto drita dhe hije, dhe të tjera si këto, Sali Berisha është personaliteti i vitit 2024. Por, prit pak: Nëse shkon kështu, sikurse po dallohen ca shenja, Sali Berisha do të jetë edhe personaliteti i vitit 2025!