Sot në 200 vjetorin e vrasjes, kujtojmë Ali Pashë Tepelenën

Sot në 200 vjetorin e vrasjes mizore të Ali Pashë Tepelenës ( 24 Janar 1822 ), i cili ndriti një pashallëk të madh me seli në qytetin e Janineës, të cilin e vizitova dy herë dhe prej andej po u sjelli fotot e kalasë dhe muzeut të tij, ku ruhet një arsenal i tërë jo vetëm armësh me vlerë por edhe gjësende personale të pashait si dhe veshje të kohës kur sundoi pashai.

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Siç dihet Ali Pashë Tepelena bëri një qëndresë këmbëngulëse, deri sa i ngujuar ishullin e këtij Liqenit të Janinës u vra me të pabesë, meqë rast trupi u varros këtu ndërsa koka iu dërgua në Stamboll, ngase synonte formimin e një autonomie me bashkimin e krahinave shqiptare nën sundimin e pashallëkut të Janinës.

Në këtë përvjetor ju njoftoj me muzeun dhe Kalanë e Ali Pashë Tepelenës në Janinë, që deri më 1820 ishte rezidenca e dytë e “Luanit të Janinës”, ku mund të gjesh edhe varrin, konakun e shtëpinë e tij muze me shumë artefakte muzeale, por asnjë rresht për përkatësinë e tij shqiptare!

Në Kalanë e  Ali Pashë Tepelenës gjatë rrugëtimeve të mija kushtuar trojeve aktuale apo edhe ish trojeve shqiptare, isha më 1 Maj 2016 dhe me 15 Gusht 2016. Derisa herën e parë ndonëse kalanë e hasëm me bedenat e saj të lartë me të hyrë në qytet buzë liqenit, mezi një plak që shiste disa artefakte të vjetra mundi të na thotë se ku gjendet varri i Ali Pashës dhe hyrja bashkë me oborrin e kalasë. Thuaja se tinëzisht na i ofroi ca panorama për blerje me portretin e Ali Pashë Tepelenës!

Herën e dytë, sërish gjatë një vizite familjare nuk e patëm vështirë të gjejmë as kalanë e le më shtëpinë- muze të Ali Pashë, deri tek e cila arrihet me një barkë mu në mes të liqenit të Janinës, në një objekt shumë atraktiv, por që duhet paguar edhe hyrjen e edhe lundrimin. Edhe një përfitim nga të tjerët nga figurat tona të shquara kombëtare!

Mësojmë se Kalaja e Ali Pashë Tepelenës, që ndodhet në veri të qytetit në një pozicion gjeografik që ndihmonte pashain në mbrojtjen e kësaj fortifikate nga burimet historike, thuhet se është vizonuar nga vetë Pashai, i cili edhe ka inspektuar etapat e ndërtimit të kësaj perle të rajonit.

Kalaja aktuale, brenda së cilës është edhe varri i pashait me trupin e tij të pa kokë (pasi që kokën ia dërguan në Stamboll) u rindërtua prej vet Ali Pashës më 1819 me një sipërfaqe 4-5 hektarësh. Nga ajo që pamë gjatë dy vizitave kalaja ka tre hyrje dhe 3 kulla.

Kjo kala që ishte rezidenca e dytë e Ali Pashë Tepelenës edhe atë deri më 1820 mendohet se është ndërtuar qysh në vitin 539 nga perandori Justinian, porse u rindërtua nga Ali Pashë Tepelena në vitin 1815, i cili sundoi në Janinë që nga viti 1789 e deri sa vdiq më 1822.

Karakteristike është se, brenda kështjellës gjenden dy kala, ajo në veri-lindje njihet si kalaja e Aslës dhe jug-lindorja si kalaja e Its Kale. Në një njoftim thuhet se : “Ju gjithashtu mund të vizitoni edhe konakun e Ali Pashës me muzeun bizantin, thesarin, kishën e Shën Anargyroi-t, xhaminë e Fethiye-s, varrin e Ali Pashës, xhaminë e Asllan Pashës, bibliotekën turke, konakun Soufrai, banjat bizantine, hamamin si dhe sinagoget çifute”, por askund nuk përmendet se mund të vizitoni diçka shqiptare, sepse qarqet greke bëjnë përpjekje që me çdo kusht, të shlyejnë çdo gjurmë shqiptare, madje edhe vet përkatësinë kombëtare të Pashait të Janinës- Ali Pashë Tepelenës, që ngriti kala, kështjella e fortifikata si në Shqipëri ashtu edhe në Çamëri, aktualisht në Greqi, që ka shlye nga hartat edhe vet emrin e Çamërisë!

Por ajo që nuk i pengon grekët janë turistët prej nga do që vijnë, qofshin ata shqiptarë nga cili do cep i shqiptarisë, me rëndësi me lënë lekun aty. Ashtu siç përfitojnë edhe nga konaku, muzeu dhe vet varri i Ali Pashë Tepelenës!

Si shembull konkret po përmendi se kur gjatë vizitës së dytë më 15 Gusht 2016, deshëm të drekojmë në një restorant përballë kalasë, pronari na pyeti se nga ishim dhe kur i thamë nga Kosova ai shkoi ne kuzhinë dhe e thirre një punëtore shqiptare që punonte aty që të na njoftonte me menynë e ushqimit.

Përndryshe për kalanë e Janinës dhe Ali Pashën kisha dëgjuar nëpër odat e vendlindjes sime këngëtarët e lagjes Qamil Luzhën dhe Hamdi Elmazin kur e këndonin me shumë afsh këngën e Ali Pashë Tepelenës dhe atë kohë e sot diku, 65 vjet më parë, më kujtohet strofa që më është ngulit në kokë: Lum kalaja ka ka mrena!/ Ali Pashën me shtatë zemra./ !

Sidoqoftë ia vlen të vizitohet Janina, sepse sado që dikush përpiqet të shlyej gjurmët shqiptare, historia është ajo që ka lënë gjurmë në çdo gurë, në çdo beden, e edhe brenda e jashtë kësaj kalaje ku figuron jehona e famës së pashait që i bëri ballë si sulltanit ashtu edhe Napoleonit, e që në konakun e tij gjatën bujarinë shqiptare edhe emra të mëdhenj piktorësh e poetësh në mesin e tyre edhe vet Bajroni.

Në muze armë me vlerë dhe tablo impozante arti

Ashtu, siç e himnizuan pashain përmes punimeve personalitete mendore të shekullit të 19-të, ndër ta Bajron, Dyma, Hygo, Gete e të tjerë, ngjashëm vepruan edhe piktorë të kohës, duke e përjetësuar “Luanin e Janinës” në tablo impozante arti, që stolisin muret e dhomave, ku nuk mungojnë as dhomat me kostume shqiptare të asaj epoke.  

Nga muzetë që vizitova, më interesanti mu duk Muzeu i Ali Pashë Tepelenës në Ishullin e Liqenit të Janinës, rrethuar nga të gjitha anët me ujë, ku edhe realizova edhe një vizitë familjare. Muzeu është shtëpia ku jetoi derisa u vra nga turqit, Aliu më 24 janar të vitit 1822, në moshën 82 – vjeçare. Karakteristike se tek muzeu, që gjendet në një ishull të banuar, liqeni mund të arrihet vetëm me anije apo barka që nisen nga brigjet e Janinës. Vendi ku gjendet muzeu është tejet atraktiv dhe tërheq shumë vizitorë, kryesisht të huaj, por edhe shqiptarë.

Rrapi 700 vjeçar, me emrin e Ali Pashës

Në oborrin e Muzeut ndodhet një rrap me mbishkrimin: “Rrapi 700 vjeçar i Ali Pashës”. Po aty para hyrjes në ndërtesën dykatëshe të muzeut është edhe një top me gjyle të shkrepura nga koha e Ali Pashë Tepelenës.  Sa i përket brendisë së muzeut, në dy katet, krahas gjërave personale të pashait dhe armëve të praruara me argjend e arë, ka edhe dy dhoma me kostume kombëtare nga shekulli i XIX.

Fustani origjinal i Vasiliqesë

Në mesin e veshjeve tradicionale të epokës, bie në sy veçmas një fustan origjinal i Vasiliqesë , gruas së dashur në kohët e pleqërisë së pashait,  ( që e hasim edhe në disa foto e vizatime), dhuruar nga të afërm të familjes Kondakçi nga fshati i Plisivitsa-s në Thesproti. Krahas kamishit karakteristik të qelibarit bien në sy edhe shumë bizhuteri prej bronzi e argjendi, fustanella burrash, si dhe armë të adhuruar nga aleatët e kohës.  Mes shumë kamave e shpatave dallon edhe një dyfek i artë rreth 200 –vjeçar i pozicionuar në qendër të muzeut,  i cili daton i stampuar në qytën e armës që në vitin 1804.

Pushka “karafile”, një dyfek i gjatë, praruar në ar

Ja edhe disa detaje lidhur me kthimin e kësaj pushke: Në tetor 2015, Muzeu i Ali Pashës në ishullin e Janinës, u pasurua me një pushkë origjinale të Ali Pashë Tepelenës, e cila është e larë në ar dhe ka të gdhendur, emrin e Ali Pashës dhe vitin 1804. Arma kishte qenë në zotërimin e një familje të vjetër fisnike nga Janina që në vitin 1930 ishte shpërngulur në Athinë. Në fund të jetës, zotëria posedues që dëshiroi të mbetet anonim vendosi që t’ia dhuronte Muzeut të Ali Pashës, edhe pse për këtë objekt origjinal mund të kishte marrë oferta nga shumë muze të botës. Arma e ekspozuar tashmë në muzeun e Ali Pashës në Janinë është e tipit karajfile. Pushka karajfil/e, është një dyfek i gjatë, që mbushej nga gryka dhe shkrehej me strall. Ajo, siç do ta shihni edhe në foton që shkrepa, kishte një tytë të gjatë dhe të hollë, shkrehej vetëm një herë dhe pjesën e pasme e kishte në formën e një koni.

Aliu i hyjnizuar në vargjet e Bajronit, Dymas, Hygos e Getes

Ashtu, siç e himnizuan përmes punimeve personalitete mendore të shekullit të 19-të, ndër ta Bajron, Dyma, Hygo, Gete e të tjerë, ngjashëm vepruan edhe piktorë të kohës, duke e përjetësuar “Luanin e Janinës” në tablo impozante artistike, që stolisin muret e dhomave.

Përmes eksponateve të shumta në muze, shihet edhe jeta luksoze që ka bërë pashai , por edhe fuqia e pushteti ngase aty është edhe një lloj mini-shtypshkronje ku janë prodhua monedha ari me figurën e Ali Pashë Tepelenës.

Vet objekti i muzeut të Ali Pashë Tepelenës, që në të vërtetë është shtëpia e tij me gurë dhe dru, ku Pashai i Janinës apo siç thërritej asokohe Luani i Janinës kaloi ditët e fundit të jetës, ndërsa priste faljen prej sulltanit. Por pikërisht në shkallët e drunjta të asaj shtëpia dykatëshe buzë liqenit , në ishullin e vogël , turqit ia prenë kokën sundimtarit të Janinës, që përndryshe ishte themelues i pashallëkut autonom dhe kryengritësi kundër Portës Osmane.

Një trup, në dy kontinente!

Ndërsa që varri, gjegjësisht trupi i pashait, pushon brenda mureve të kalasë, buz konakut të tij në Janinë. Ndërsa siç dihet koka e tij u dërgua në Stamboll, ndaj për Ali Pashainë, flitet si për njeriun që trupi i tij është shpërnda në dy kontinente!

Përndryshe muzeu menaxhohet shumë mirë, por edhe ka mjaft përfitime financiare nga ai, sepse pos barkave të vazhdueshme që lundrojnë nga Janina deri aty, edhe hyrja paguhet prej katër eurosh , ndërsa që dhe mund të blihen libra kushtuar pashait në gjuhën greke apo angleze.

Brenda një oborri edhe muzeu i Marko Boçarit

Në fund të oborrit të muzeut të Ali Pashës është edhe një objekt muzeal kushtuar Marko Boçarit, që ishte një kapiten suliot i luftës guerile dhe Hero i Revolucionit Grek që kishte pjesëmarrje të madhe të shqiptarëve jugorë, që janë të njohur edhe si  “arvanitë”. Marko Boçari është një ndër figurat kombëtare më të nderuara për grekët, dhe portretet e tij mbushin shpesh klasat, zyrat e administratës e të qeverisë dhe baraka ushtarake; pa llogaritur fare se ai vinte nga fiset me gjak të pastër shqiptar të Sulit.

Përndryshe autoritetet e muzeut vetë muzeun e Ali Pashës është edhe muzeu i Marko Boçarit, që karakterizon një tabelë përmbledhëse si “Periudha e Revolucionit”.

Do theksuar se ky muze në zemër të liqenit të Janinës, mbahet mirë, por edhe ka përfitime të shumta nga ana e tij, vetë figurës së Ali Pashë Tepelenës, nga e cila përfitojnë me sa duket më shumë të tjerët se ne vet, së paku nga ana financiare, përmes vizitave të shumta që bëhen aty sidomos nga turistë të huaj, që nuk janë të paktë. Pasi pos që paguhet barka që të sjellë deri aty gjithashtu paguhet edhe hyrja në muze.

Do theksuar se emri i Ali Pashës në muze askund nuk përmendet Tepelena, gjegjësisht Ali Pashë Tepelena, sepse sikur i iket vendlindjes dhe prejardhjes shqiptare të pashait me famë që ishte ndër pashait e rrallë që iu kundërvu portës Osmane, që edhe e kishte emëruar, ndaj nuk e kurse as nga ekzekutimi i pashembullt duke e ndarë trupin e tij në dy kontinente!