Sot e gjashtë vjet më parë: në Cyrih ekspozitë e grafikut Adem Dërmaku

 

Pas pjesëmarrjes në disa ekspozita kolektive me piktorë zviceranë, ky artist që jeton prej vitesh në Zvicër, më 12 dhjetor 2014 në Galerie am Lindenhof hapi një ekspozitë personale me 23  punime, kryesisht piktura në pëlhurë. Adem Dërmaku, njihet si  artisti i vetëm shqiptar nga trojet ballkanike, i specializuar në litografi, i cili aktualisht punon në atelienë e njohur të grafikës në «Wolfenssberger» të Cyrihut.- Në mungesë të aktiviteteve shkaku i pandemisë, të rikujtojmë punën e krijuesve tanë në Zvicër!

 Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Në aktin e hapjes në Galerinë am Lindenhof, të Cyrihut, ku edhe janë të përqendruara disa galeri arti, merrnin pjesë artdashës shqiptarë e zviceranë, si dhe miq e familjar të artistit Dermaku. Merrnin pjesë edhe konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu dhe drejtuesja e Qendrës së Kulturës së Kosovës, Shukrije Ramadani. Për të nda gëzimin me të birin, kishte ardhur nga vendlindja edhe baba i artistit, Xhevat Dërmaku i cili na tha se ndien kënaqësi që merr pjesë në këtë ekspozitë, sepse djali i tij qysh se i vogël ishte i interesuar për art.

Adem Dërmaku është i lindur më 1978 në Gjilan, ndërsa studimet i ka kryer në vitin 2002 në degën e grafikës të Fakultetit të Arteve në Prishtinë, te profesori Fatmir Krypa, tek i cili ka mbaruar edhe studimet pasuniversitare në vitin 2005. Njihet si  artisti i vetëm shqiptar nga trojet ballkanike, i specializuar në litografi. Aktualisht punon në atelienë e njohur të grafikës në «Wolfenssberger» të Cyrihut, ndaj edhe disa nga vizitorët ishin nga radhët e këtij atelie.

Punimet e këtij artisti, si tek kritika ashtu edhe tek vizitorët e zakonshëm zgjojnë interesim. Ndërsa lidhur me këtë ekspozitë të fundit tij, i morëm një prononcim skulptorit akademik, Nexhmedin Jonuzit. Këtë ekspozitë e karakterizojnë teknika të ndryshme, që ka përdorur kolegu Dërmaku, përfshi edhe ato që lidhen me dizajnin grafik, potencoi Jonuzi. Ai shprehi kënaqësinë që Adem Dërmaku është gjithnjë e më i pranishëm me punime në qytetin e Cyrihut, qoftë me ekspozita personale apo kolektive.

Zhvillimi artistik i Adem Dërmakut ka tërheq edhe vëmendjen e kritikëve të njohur shqiptar. Disa nga ta kanë dhënë vlerësime të larta për veprimtarinë krijuese të Adem Dërmakut: se si ai ka sjell rezultate te arritura si në sasi ashtu edhe në cilësi. Veçmas si specializant në teknikën e linogravurës.

Paraprakisht punimet e Dërmakut, janë prezantuar edhe në disa ekspozita kolektive në Kosovë, Japoni, Gjermani, Zvicër, Bullgari e gjetiu.

Nga autori mësuam se  në këtë ekspozitë janë prezantua 23 punime dhe se në to ai ka skalit motive të ndryshme nga përditshmëria, por edhe gjurmë nga vendlindja dhe migrimi. Ekspozita, që ka karakter shitës, do të jetë e hapur deri më 6 janar (gjatë ditëve të punës nga ora 17-20) .