Luçie Miloti, që muzikologët e cilësuan si “Bilbili me zë kristalor”

Këtë këngëtare të mirënjohur, që gjatë karrierës saj të gjatë artistike pata rastin ta takoj për herë të parë derisa ishim në Shkodër me Ansamblin e “Kastriotëve” të Ferizajt, kur bashkë me disa nga këngëtarët më të njohur shkodranë pritjes në hotelin “Rozafa” na krijuan një ambient shumë të këndshëm, sa miqësor aq edhe artistik.

Sot në vazhdën e prezantimeve të ikonave tona muzikore, portali ynë, “prointegra.ch”, prezanton këngëtaren e mirënjohur Luçie Miloti, në  90 vjetori i lindjes së saj. Kujtojmë se Luçie Miloti është e lindur në Shkodër më 11 Maj 1930, në një familje me traditë muzikore. Karriera e saj si në skenat kryesore të vendit, ashtu dhe në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare, filloi në moshën 16-vjeçare. Në vitin 1946 u transferua në Tiranë dhe kjo e afroi me jetën artistike kryeqytetase. Fillimisht u emërua  soliste në Radio Tirana dhe vetëm një vit më pas  soliste në filarmoninë shqiptare.

Kudo ku ka performuar është shquar për një zë të mrekullueshëm, të kristaltë dhe me një tingëllim krejt të veçantë. Në repertorin e saj artistik numërohen rreth 500 këngë, të cilat këngëtarja i ka performuar në mbarë vendin dhe në skenat e huaja. Luçie Miloti, gjatë karrierës së saj artistike, ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, në fillim si soliste e Filarmonisë Shqiptare dhe në vazhdim si soliste e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Është vlerësuar me çmime dhe është cilësuar si zëri i rrallë i Ballkanit, «Bilbili me zë kristalor”. Ajo është një fenomen i rrallë, që do të jetojë gjatë në kujtesën e brezave, që e duan dhe e adhurojnë këngën popullore». Ajo në karrierën e saj të arrijë deri te titujt e lartë: «Artisten e Merituar» dhe «Mjeshtren e Madhe» – Luçie Miloti.

Disa kompozime dedikuar kësaj artisteje të mrekullueshme janë: kënga nga Pjetër Gaci, “Qytetit tim”, Rud Gurashi, këngën: “Shpend ma i parë i bukurisë”, Zef Leka, me këngën: “Synin tand larush moj çike”, të Xhevat Lishit, me tekstin e Lah Mema: “Zani yt, na sjell pranverë” të kënduar nga Meri Zefi.

Në kujtimet e artistëve bashkëkohës me të, Luçie Miloti vjen si një këngëtare e veçantë. Skenën e pushtonte vetëm me zërin e saj, sepse asnjëherë nuk i përdorte gjestet shoqëruese. Në repertorin artistik numërohen 500 këngë të cilat këngëtarja i ka përcjellë edhe në botën e huaj. “Çila sytë, due me te pa”, “Për mue paska kane kysmet”, “Bishtalecat palë palë”, “Shpend ma i parë i bukurisë”, “Zanusha”, “Me zaman asaj furije?, “Çu çue Rushja”, etj do të ishin disa nga këngët që dëgjoheshin nëpërmjet Radio Tiranës.

Në formimin profesional të mëtejshëm do të këndonte këngë si “Kaçurrelat e tu”, “Synin tënd larushe mij çike”, “Me t’shi hajtshamos” etj. Në karrierën e saj, Luçie Miloti ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe në skenat e shumë kryeqyteteve të Ballkanit dhe madje të botës. Në Varshavë është vlerësuar me titullin “Bilbili i Ballkanit”, ndërsa në Bullgari muzikologët e kanë cilësuar si “Bilbili me zë kristalor”.

Për kontributin e saj muzikor, më 1961 ka marrë titullin “Artiste e Merituar” dhe urdhrin “Mjeshtër i madh” nga ish-Presidenti Rexhep Mejdani. Me vendimin e Bashkisë së Tiranës, një rrugë e Tiranës mban emrin Luçije Miloti në nder të këngëtares së mirënjohur.

Në maj të vitit 2006, ndërroi jetë nga një sëmundje, pak ditë pasi mbushi 76 vjeç.